Heqja dorë nga gjykimi i shkurtuar/ Kërkesa e plotë Mediut për SPAK: Pretendojmë prova të reja me dëshmitarë
Është zbardhur kërkesa e plotë e ish-Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediut ndaj SPAK, për heqjen dorë nga gjykimi i shkurtuar në lidhje me çështjen e Gerdecit.
Kërkesa drejtuar gjyqtares Irena Gjoka, e dorëzuar nga avokatët mbrojtës të Mediut ka si synim heqjen dorë nga gjykimi i shkurtuar ku pretendohet marrja e provave të reja me dëshmitare, kryerja e ekspertimeve dhe riekspertimeve teknike dhe marrja e provave të reja dokumentare, të domosdoshme për zgjidhjen e drejte të çështjes.
Në kërkesë thuhet:
Përfundimisht, në unitet qëndrimi me të përfaqësuarin prej nesh z. Mediu, dorëzojme kërkesën tonë duke shprehur vullnetin e tij, për të hequr dorë nga riti i shkurtuar që përzgjodhëm në krye të herës dhe për të proceduar me gjykimin e zakonshëm. I mbrojturi prej nesh Z. Mediu çmon se kjo është rruga më e drejtë për të demonstruar pafajësinë e tij në këtë çështje.
Kërkesa e plotë:
“Në cilësinë e përfaqësuesve ligjore të Z.Fatmir MEDIU, gjatë shqyrtimit prej jush të çështjes në seancë paraprake, kërkuam kalimin për gjykim dhe realizimin e procesit me rit të shkurtuar. Ky qëndrim mbështetej në faktin e qartë të parashkrimit të ndjekjes penale për veprat penale që i atribuon ende Prokuroria e Posaçme Z.MEDIU. Në këto rrethana, në këndvështrimin e mbrojtjes, një debat për thelbin e akuzave do të ishte i panevojshëm.
Vendimi juaj i ndërmjetëm, me anën e te cilit rezervuat të drejtën për t’u shprehur lidhur me këtë çështje të rëndësishme të zbatimit të ligjit vetëm në vendimin përfundimtar (për më tepër i paarsyetuar), përbën shkak të reflektimit tonë procedural dhe të bindjes se gjetja e të vërtetës në këtë çështje, realizohet në mënyrë më të plotë e të gjithanshme, vetëm nëpërmjet gjykimit të zakonshëm, me debat mbi provat.
Përcaktimi ligjor i afateve te parashkrimit dhe tejkalimi i tyre ndjeshëm në këtë rast, do te duhej te vlerësohej në mënyrë të menjëhershme, sidomos në dobi të ekonomisë giyqësore.
Sa me lart, edhe në dritën e vendimit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, nr. 1, datë 28.10.2022, i cili qartësisht e rrëzon argumentin e akuzës për ndërprerjen e afatit të parashkrimit.
Gjithashtu, në seancën gjyqësore të datës 07.06.2023, u njohëm me mendimin e përfaqësuesve të prokurorisë për të thirrur në proces, me cilësinë e viktimës, të gjithë personat që patën pësuar dëme nga aksidenti i Gërdecit, qëndrim që de facto asgjëson këmbënguljen e tyre para së njëjtës gjykatë, se kërkuesit nuk plotësonin kriteret ligjore për t’u thirrur në këtë cilësi ne procesin ndaj z. MEDIU. Në vijim të kësaj kërkese, edhe gjykata, me një qëndrim tërësisht inkoherent, e pranoi kërkesën e prokurorisë, duke mohuar atë që pati vendosur në seancat pararendëse. Këto qëndrime diametralisht te kundërta, si nga prokuroria ashtu edhe nga gjykata, na krijojnë bindjen se gjykimi i shkurtuar nuk ofron asnjë garanci se procesi ndaj z. MEDIU do të jetë një proces i ndershëm dhe i drejtë.
Në rrethanat specifike të sipërtreguara, çmojmë se heqja dorë nga riti i shkurtuar dhe zhvillimi i një procesi debatues mbi provat dhe vlerën e tre provuese, duke ia nënshtruar çdo provë debatit të kryqëzuar të palëve, përbën alternativen me të dobishme për zgjidhjen e drejte të çështjes. Për këtë arsye, ne pretendojmë marrjen e provave të reja me dëshmitare, kryerjen e ekspertimeve dhe riekspertimeve teknike dhe marrjen e provave të reja dokumentare, të domosdoshme për zgjidhjen e drejte të çështjes. Kjo mënyrë procedimi dhe marrja e provave të reja bëhet edhe më e rëndësishme, teksa gjendja e akteve ne fashikullin e prokurorisë daton në vitin 2009, ndërkohë që zhvillime të reja gjyqësore, të konkluduara me vendime përfundimtare, sjellin një realitet tjetër të fakteve, të ndryshëm nga hipotezat e akuzës.
Përfundimisht, në unitet qëndrimi me të përfaqësuarin prej nesh z. Mediu, dorëzo me kërkesën tonë duke shprehur vullnetin e tij, për të hequr dorë nga riti i shkurtuar qe përzgjodhëm në krye të herës dhe për të proceduar me gjykimin e zakonshëm. I mbrojturi prej nesh Z. Mediu çmon se kjo është rruga më e drejtë për të demonstruar pafajësinë e tij në këtë çështje.
Me bindjen për të drejtën e kërkimit dhe pranimin përkatës prej jush, shprehim konsideratën më të lartë.”