Ekonomia

Hetimet për borxhet e CEZ-it, Braçe: Të përfshihen të gjitha kompanitë

Erion Braçe, kryetar i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, në një intervistë për Top Channel thotë se, ai nuk ka një qëndrim për propozimet e një hetimi ndërkombëtar për aferën e CEZ-it, por nuk ngurron t’i sugjerojë Prokurorisë se duhet hetuar gjithçka, që nga hyrja, biznesi dhe largimi i CEZ-it nga Shqipëria, përfshi edhe rrjetin e kompanive CEZ.

“Privatizimin e kompanisë OSSH në vitin 2009, procedurën e konkurrimit, kontratën e nënshkruar dhe anekset që i janë bashkëngjitur kësaj kontrate me fuqinë e ligjit, të votuar në Parlamentin e Shqipërisë. Në fletoren zyrtare, kontrata e votuar në Parlamentin e Shqipërisë me fuqinë e ligjit shoqërohet nga anekse, të cilat edhe në publikimin zyrtar të kësaj kontrate janë të bardha. Njëra prej anekseve, që për mua është më i rëndësishmi i kësaj kontrate, është Deklarata Rregullatore, e cila është e bardhë, siç mund ta vëreni edhe ju”, është shprehur Braçe.

Erion Braçe thotë se, menjëherë pasi kompanisë DIA iu ndërpre kontrata, në skenë dolën rrufeshëm 9 kompani të tjera.

“I gjithë biznesi i kompanisë DIA u mbyll në 2011-n dhe është transferuar i plotë në 9 kompani të tjera. Siç po hetohet, e bëhet mirë për këtë, marrëdhënia e CEZ-it me kompaninë DIA, të hetohet qartësisht marrëdhënia e CEZ-it me 9 kompanitë e tjera. Siç është identifikuar si klient pronari i DIA-s, ashtu unë jam në gjendje t’iu identifikoj edhe 9 të tjerët; dy çekë dhe 7 shqiptarë; si klientë të qeverisë së asaj periudhe”, shpjegoi më tej deputeti socialist Braçe.

Deputeti Braçe e vë theksin në njërën prej këtyre 9 kampanive, të quajtur “Ce2Services”, pasi – sipas tij, – në kontratë ajo ka një specifikë ndryshe nga të tjerat.

“Është kontrata midis CEZ-it dhe kompanisë ‘Ce2Services shpk’, e cila ka një paragraf të posaçëm vetëm për mbledhjen e detyrimeve nga kompania Albpetrol. Interesante është se, përqindjet për mbledhjen e detyrimeve nga kjo kompani publike, ku 100% të aksioneve i zotëronte qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe ku ndikimi i qeverisë ishte i drejtpërdrejtë për të mbledhur këto detyrime, përqindja e arkëtimeve (Fee-ja e suksesit) shkonte nga 32% për principalin dhe 50% për interesat e kamatëvonesave të kësaj kompanie”, shpjegoi Braçe.

Këto qëndrime të Braçes janë të njëjtat me ato të 4 viteve më parë, atëherë kur ai, nga selia e PS denonconte aferën CEZ. Por i pyetur se, përse gjatë dy viteve në qeverisjes së koalicionit të majtë nuk ka pasur asnjë hetim, ai thotë se Prokuroria, përfshi agjenci qeveritare, duhet të ishin marrë me këtë çështje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button