Opinion

Hipokrizia shqiptare përballë një akti racist, tipik trampist

Pezullimi i vizave për "parazitët shqiptare" nga administrata amerikane, u përshendet nga qeveria shqiptare si ndarje e vlerave të përbashkëta me "aleatin tonë strategjik"

Nga ANDI BUSHATI

Vendimi tronditës i administratës Trump për të na renditur edhe ne mes 75 vendeve të cilët nuk do të përfitonin më nga programi amerikan për vizat e emigracionit, u prit në Shqipëri me ndjenjën e vasalitetit tonë të turpshëm ndaj hiperfuqisë.

Një videomesazh i ministres së jashtme, i cili menjëherë u ripostua edhe nga kryeministri Rama, pasi sqaroi domethënien e asaj që kishte ndodhur dhe hodhi poshtë aludimet absurde të opozitës, se Amerika ia kishte hequr vizën Shqipërisë, u shndërrua në dëshminë flagrante të republikës së bananeve në të cilën jetojmë. Në fund të tij ekzaltohej me të madhe aleanca e pathyeshme strategjike me partnerin tonë, e ngritur mbi vlerat Po cilat janë këto vlera? Po të analizohet me kujdes, vendimi i departamentit të shtetit për vende si Shqipëria, Kosova, Somalia, Eritrea etj, duket qartë se ai është një dënim kolektiv, që etiketon një komb duke e barabitur individin me etninë të cilës i përket. Ai u paratha nga vetë presidenti amerikan, i cili, ende pa u qetësuar nga ekzaltimi i rrëmbimit të Maduros, postoi në 4 janar, në rrjetin e tij Truth Social, arsyet e vërteta të asaj që do të ndodhte më pas.

Trump publikoi një tabelë me të dhëna për përfituesit e ndihmës sociale në SHBA, të ndara sipas origjinës së familjeve emigrante. Në pasqyrën e emërtuar “Imigrant Welfare Recipient Rates by Country of Origin”, rezultonte se 41.3% e familjeve të emigrantëve shqiptarë në Amerikë jetojnë me ndihma sociale. Pra, thënë shkurt, vendimi i fundit i prodhuar nga shqetësimi për të ndëshkuar përtacët që jetojnë në kurriz të taksapaguesve amerikanë, i penalizonte në tërësinë e tyre bashkëatdhetarët tanë.

Kjo lloj logjike, që i shkon për shtat politikave të ekstremit të djathtë të SHBA-së aktuale kundër emigrantëve, ka dy probleme thelbësore. E para ajo vendos standartin e ndëshkimeve kolektive. E dyta, ashtu sikurse dukej edhe në postimin e presidentit Trump ky ndëshkim bëhet mbi baza të etnisë dhe origjinës. Pra mesazhi është: shqiptarët po penalizohen në grup, pasi ata klasifikohen si parazitë.

Pikërisht, për të shmangur qasje të tilla përçarëse dhe stigmatizuese praktikat më të mira perendimore, e kanë kthyer në tabu hartimin e statistikave në bazë etnie e aq më tepër vendimmarrjet shtetërore të nxitura prej tyre.

Duke injoruar këtë kordon sanitar të vendosur që pas Holokaustit dhe luftës së dytë botërore, administrata Trump, me retorikën e saj antiemigracion, po i rikthehet politikave që nuk duhet pasur frikë të etiketohen si raciste.

Mirëpo, deri këtu, ky mbetet një shqetësim ekskuzivisht amerikan, që ne si qytetarë të botës mund ta denoncojmë me zë të lartë, por pa pasur asnjë mundësi ta retushojme që nga largësia e  instikameve të provincës sonë të vogël. Prandaj, problemi ynë nuk është, as me politikat e instaluara përmes votës në SHBA, as me vetë ideologjinë e MAGA-s. Ai është me sjelljen e qeveritarëve dhe opozitarëve tanë kundrejt tyre.

E këtu shkëlqejnë me të gjithë forcën hipokrizia dhe servilizmi. Si mundet qeveria shqiptare, pikërisht në ditën e kësaj mase me aromë racizmi kundër qytetarëve të saj, të lëshojë një mesazh për këtë temë ku ekzalton vlerat e përbashkëta që ndajmë me partnerin tonë strategjik?

A nuk na kanë folur Skëndërbeu dhe Mamica në emër të të tjerave vlerave, deri dje?

A nuk ishin ata që ekzaltonin kultin e emigrantit, kur pranonin, në tokën tonë refugjatë nga opozita iraniane (te ardhur që në kohë të Berishës), apo bashkëpuntorët e perëndimit të braktisur në Afganistan?

A nuk mburreshim atëhere, në kohën e presidentit Biden, se ne, si vend emigrantësh kishim vlera të përbashëkëta me atë Amerikë që nuk i diskriminonte njerëzit në bazë të etnisë?

A nuk ka ratifikuar Shqipëria prej tre dekadash konventën evropiane për të drejtat e njeriut, që në nenin 14 të saj thekson se shtetet dhe politikanët nuk mund të përdorin të dhëna etnike/ kombëtare, në mënyra që shkelin dinjitetin apo barazinë?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të prodhonin automatikisht të tjera…

Me Amerikën e cilave vlerave jemi aleatë ne: atë kozmopoliten dhe të hapurën e deri djeshme, apo me atë ksenofoben e ditëve të sotme?

Ku e pozicionon veten opozita shqiptare, e cila nuk gjeti dot asnjë fjalë kundër kësaj mase me ngjyra raciste, por e përdori atë në mënyrën më të ulët të mundshme, si një armë më tepër në luftën brenda llojit?

Po qeveria “e majtë”, si u bëkërka partizane për të drejtat e refugjatëve të huaj që vijnë tek ne, por është njëkohësisht në gjendje të “ndajë vlera të përbashkëta” me ata që ndëshkojnë kolektivisht emigrantët

Për dilema të tilla, askush nga ata që klithin për besnikëri ndaj Amerikës, nuk ka përgjigje. Prandaj, nga kjo ballo me maska të vjen për të vjellë. Sepse janë episode të tilla, si ai i ndëshkimit kolektiv të “parazitëve shqiptarë” në SHBA, ato që na ndihmojnë që të hapim sytë për të kuptuar se në ç’cirk palaçosh është shndërruar skena jonë politike.

E populluar nga të tillë që vetëshpallen aleatë të Amerikës edhe kur ajo është pro LGBT-ve edhe kur i ndalon martesat gay; edhe kur, “partneri ynë strategjik”, financon për çlirimin e Ukrainës edhe kur ai është i gatshëm të sakrifikojë teritore të saj; edhe me atë SHBA- që i mirëpret emigrantët edhe me tjetrën që ngre mure për ti mbajtur larg.

Aq absurde është kjo, sa edhe në një rast si ky i ndërprejes së vizave, qoftë qeveria, që u kap pas “vlerave të përbashkëta”9, qoftë opozita që u fsheh si struci, nuk guxuan të merren me thelbin e çështjes.

Të gjithë bashkë u reshtuan në mënyrë absurde, sërish me hiperfuqinë, ndonëse vendimi që ajo mori, ishte këtë radhë, kundër votuesve të tyre. 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button