Kryeartikull

Historia e çuditshme e vlonjatit Nuredin beu dhe pritja madhështore në SHBA

Disa vite më parë, isha ftuar në Nju Jork dhe Uashington DC, për të prezantuar në “Explorer Club” dhe “National Geographic”, projektin e kërkimeve nënujore në Shqipëri.

E meqenëse rruga më shpuri pranë këtyre qendrave të njohura botërore të eksplorimeve dhe kërkimeve historiko/gjeografike, u mundova të shikoja se çfarë mbanin arkivat e tyre për Shqipërinë e dikurshme.

Ende pa zbritur nga kuverta e anijes, Nuredin Beu rrethohet nga të gjithë gazetarët dhe fotografët e mediave të Nju Jork, duke u përshëndetur dhe fotografuar prej tyre. Nuk kam gjetur ndonjë intervistë të tij nga ky moment dhe është e paqartë arsyeja se përse vlonjati ynë ka pasur këtë pritje kaq të çuditshme. Nuredin Beu sapo ishte martuar me një amerikane shumë të pasur një lloj Kardashian e kohëve tona dhe mundet që ky status të ketë tërhequr median amerikane. Fakti që në këtë pritje të ketë qenë edhe fotografi i “National Geographic” e bën me interesante këtë pikëpyetje.

Nuredin Beu jetoi në Amerikë diku rreth 5 vjet. Nuk dihet asgjë mbi jetën e tij amerikane, por nga arkivi i Zyrës së Zbulimit ushtarak amerikan, pararendësja e FBI (dokumente të papublikuara) më rezulton se ishte i survejuar si një njeri me influencë të theksuar austro-gjermane. I vendosur në një vilë të rrethuar nga pyjet, pronë e së shoqes bënte një jetë të tërhequr dhe të rrethuar nga njerëz të artit dhe kulturës ekskluzivisht ky një rreth i krijuar nga bashkëshortja amerikane.

Nga Amerika tenton të përfshihet në jetën politike shqiptare ku si pjesë e një organizate politike pa ndonjë veprimtari të njohur vjen në Europë për të përfaqësuar Shqipërinë në bisedimet e Paqes. Ndoshta, ky ka qenë momenti që e ka bërë që të rikthehej përsëri në Vlorë ku zgjidhet si kryetar i Bashkisë apo siç quhej atëherë kryekatundar. E drejtoi Vlorën, brenda mundësive të kohës disa vjet duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në hapjen e Shkollës Tregtare, por edhe në disa projekte publike.

Ndër kujtime të kohës, Nuredin Beu përmendet si një person me reputacion shumë të madh në Vlorë dhe si personi, i cili familja e njohur e Vlorajve kishte si primat të sajin. Fakti qe kishte luftuar e krye te vlonjateve kundër zbarkimit të bandave greke në Himarë në 1913-4, por edhe kundër bandave të Haxhi Qamilit i kishin dhënë atij një reputacion si njeri jo vetëm i fjalës. Me ardhjen në pushtet të Zogut duket se marrëdhëniet e tij me pushtetin ishin komplekse. Një aristokrat si Nuredin Beu mund ta ketë pasur të vështirë pranimin në krye të vendit të një oxhaku inferior si ai i Zogollit të Matit. Por Matiani në krye të një pushteti të fortë e hodhi në qeli menjëherë pas dështimit të Kryegritjes së Fierit ku duket se roli i Nuredin Beut duhet të ketë qenë i rëndësishëm aq sa Zogu ta dënonte me vdekje. Vetëm ndërhyrja e ishgruas së tij amerikane në Departamentin e Shtetit bëri që Zogu t’i falte jetën.

Nuredin Beu ishte një prej shtyllave të rëndësishme të Ballit Kombëtar me një mbështetje të rëndësishme në Vlorë. I skicuar si Kryeministër i vendit nga Gjermanet ai refuzoi këtë detyrë të vështirë duke mbetur në prapavije të ngjarjeve politike. Në dimrin e ‘45-s, së bashku me disa Vloraj të tjerë si Ekrem beu dhe Xhelaledin Pasha largohen nga Shqipëria. Pas një përfshirje disavjeçare në ngjarjet politike të emigracionit vendoset përfundimisht në Gjermani ku bashkëjeton me një mikeshën e tij gjermane. Ndahet nga jeta në Heidelberg.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button