“Homo Balcanicus” nga Niko Nikolla / “Gërsheti i fantazisë dhe i realitetit”
“Homo Balcanicus” është titulli i librit me tregime dhe novela, i cili është promovuar së fundmi nga familjarët e vetë autorit Niko Nikolla, i cili i është një personazh mjaft i njohur nga të gjithë si, ish-Kryeredaktor i Revistës “Hosteni”, apo edhe si një ndër figurat më të spikatura të humorit e satirës shqiptare, i cili mes vlerësimeve që ka marrë, eshte nderuar edhe me Urdhërin “Naim Frashëri” i klasit të parë, lidhur me veprimtarinë e gjërë publicistike dhe letrare.
Dy vajzat e tij, Flora dhe Zana, në bashkepunim me shtëpinë botuese “Toena”, e botuan këtë libër si plotësimin e amanetit që ai la pak përpara se të ndërronte jetë, në praninë e mjaft shokëve e miqve, të afërmve, e ish-kolegëve të tij, si Xhevahir Spahiu, Gaqo Bushaka, Filip Çakulli, Fisnik Sina, Luan Laze, e mjaft të tjerëve.
Në një mbrëmje mjaft të veçantë, nuk munguan emocionet e vlerësimet për një figurë, qe është përkufizuar dhe përkufizohet nga miqtë dhe kolegët si një njeri i pazëvendësueshëm, drejtues mbështetës e përkrahës i humuriot dhe karikatures shqiptare, personalitet i shumëanshëm dhe një intelektual, i cili ka botuar edhe shume vepra në letërsi.
“Si Gërsheti i fantazisë dhe i realitetit”, është përkufizuar vepra më e fundit e Nikollës nga shkrimtari i madh Dritëro Agolli.
Ndërkohë, krijuesi Bardhyl Londo në fjalën e rastit në mbrëmjen e promovimit të librit, u shpreh se “promovojmë sot një vepër, e cila vjen si një trashëgimi jo vetem e një njeriu, por e një populli të tërë, me të cilën ne do ta kujtojmë gjithmonë si një personalitet të shumanshëm, një nga publicistët më të njohur shqiptare, me një veprimtari me shumë vlera në punën e tij në
revisten “Hosteni”, i cili me anë e letërsisë së mirfilltë ka sjelle një vepër qe shpreh një të vërtetë, por edhe tendencën pozitive për t’i quajtur gjithë ballkanasit vëllezër, si një tjetër vlerë të madhe njerëzore e shtuar e tij”.
Edhe Filip Çakulli e ka përshëndetur aktivitetin në nder të figurës së Nikollës, duke u shprehur se “ai është një figurë e pazëvendësueshme si shok, mik, i afërm, por edhe si një organizator, drejtues e përkrahes i humorit dhe karikatures shqiptare, nga i cili kam mësuar mjaft dhe i detyrohem për atë çka jam e që kam arritur edhe sot”.