Kronika

I arrestuar për blerje votash në Himarë, GJKKO kalon për gjykim çështjen ndaj Fredi Belerit

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka kaluar për gjykim çështjen për Fredi Belerin, duke pranuar kërkesën e SPAK.
Seanca paraprake u zhvillua sot në Gjykatën e Posaçme, ku kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë do të dërgohet në gjyq me provat për blerje votash në zgjedhjet e 14 majit.

Avokati i Fredi Belerit u shpreh për mediat se kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, ka deklaruar se ai po mbahet në burg politikisht.

“Po mbahet në burg politikisht. E deklaroi në sallë të gjyqit”, tha avokati për mediat.

Ndërkohë Fredi Beleri ka depozituar në të dyja gjykatat edhe në Shkallën e Parë edhe ne Apelin e Korrupsionit kërkesën për të marrë zbutje të masës nga arrest me burg, në një masë më të butë, ku sipas tij ai duhet të shkojë në detyrë për të drejtuar Bashkinë e Himarës.

Fredi Beleri u arrestua në flagrancë dy ditë para zgjedhjeve lokale dhe vijon të mbahet në burg edhe pasi doli fitues në garën e 14 majit, nën akuzën për korrupsion në zgjedhje. Në pamundësi për të bërë betimin si kryebashkiak, Beleri akuzoi kryeministrin Rama si personin përgjegjës që pengon dhënien e lejes së veçantë që ai të kryej betimin. Sipas Belerit, nuk ka asnjë vendim gjyqësor që të ketë rrëzuar kërkesën e tij, pasi kjo do të përkthehej në kufizim të rëndë të të drejtave kushtetuese.

Kryeministri Rama vazhdimisht është shprehur se çështja Beleri i takon vetëm drejtësisë. Gjatë Asamblesë Kombëtare të PS-së, ai tha se nuk ka asgjë për të diskutuar me palën greke në lidhje me këtë çështje sepse pala greke nuk dëgjon asnjë koment por vetëm këmbëngul duke rënë ndesh me ligjet tona.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button