Ekonomia

Inspektorati i Punës, draft për të kufizuar gjobat abuzive nga inspektorët

Bizneset janë ankuar në Këshillin e Investimeve për nivelin e gjobave të parashikuara në Kodin e Punës, duke pretenduar se janë shumë të larta në krahasim edhe me vendet e tjera të rajonit (deri në 50-fishin e pagës minimale).

Por gjithashtu, mungesa e përcaktimit të qartë të një minimumi lë hapësirë të madhe në dispozicion të inspektorëve për vendosjen e tyre dhe krijojnë mundësi për arbitraritet, kanë argumentuar bizneset.

Sekretariati i Këshillit të Investimeve, pas kësaj ankese analizoi këto pretendime dhe u gjet se në praktikë, masat e gjobave përcaktohen nga inspektorët në mënyrë proporcionale në raport me shkeljet në fushën e punës.

Sekretariati i Këshillit të Investimeve gjeti se aktualisht, Inspektorati Qendror dhe Inspektorati i Punës po punojnë për përgatitjen e një Metodologjie “Për mënyrën e vendosjen së masave administrative/Gjobave” e cila është ende draft.

Kjo Metodologji do të kufizojë diskrecionin e inspektorëve të punës apo mundësinë e vendosjes së gjobave në mënyrë abuzive. Kjo është parë si masë në kuadrin edhe të projektit e-inspections (inspektimi online).

Gjithashtu, Ligji Nr. 9634, datë 30.10.2006 “Për inspektimin e punës” u ndryshua së fundi me Ligjin Nr. 57/2017, datë 20.04.2017, i cili pritet të hyjë në fuqi brenda muajit maj 2017.

Me këtë Ligj janë bërë saktësime në lidhje me nivelin e gjobave sa i përket kufirit minimal, të zbatuara nga inspektorët, duke u parashikuar konkretisht: “Inspektori i punës vendos gjobë nga 10 deri në 50-fishin e pagës minimale, sipas parimit të proporcionalitetit, në përputhje me ligjin për inspektimin”. Gjithashtu me këtë Ligj u bënë dhe një sërë saktësimesh të tjera të Ligjit në raport me Kodin e Punës.

Nga Analiza e bërë nga Sekretariati rezulton se tendenca është për rritje të masave administrative (gjobë) dhe forcim edhe të sanksioneve penale në disa vende.

Sekretariati vlerëson se shqetësimi i biznesit lidhur me kufizimin e diskrecionit të inspektorëve të punës në vendimmarrjen e tyre për vendosjen gjobave, adresohet nëpërmjet ndryshimit më të fundit ligjor me Ligjin Nr. 57/2017 që ndryshoi ligjin “Për inspektimin e Punës”, i cili vendos kufijtë minimalë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button