Ekonomia

INSTAT: Numri i ndërmarrjeve ekonomike aktive në vitin 2013 ishte 84.790

Numri i ndërmarrjeve ekonomike aktive për vitin 2013 ishte 84.790 duke u rritur me 1,4 përqind krahasuar me vitin 2012, bën të ditur INSTAT në një raport të publikuar të hënën.

instat-320x181Sipas aktivitetit ekonomik, ndërmarrjet që operojnë në sektorin e tregtisë zënë 43,3 përqind, ndërsa sipas madhësisë, ndërmarrjet me 1-4 të punësuar mbizotërojnë me 89,4 përqind ku prodhuesit e shërbimeve zënë 78,9 përqind. Në vitin 2013, numri i të punësuarve gjithsej është rritur me 28.565 të punësuar ose 9,0 përqind krahasuar me 2012. Prodhuesit e shërbimeve kanë kontribuar me 6,9 përqind, ndërkaq prodhuesit e të mirave kanë kontribuar me 2,1 përqind.

Shitjet neto në 2013 arritën vlerën 1.637 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 5,8 përqind ndaj vitit 2012. Shitjet e realizuara nga prodhuesit e shërbimeve për 2013 përbëjnë 65,3 përqind të shitjeve gjithsej dhe kontribuojnë me 4,8 përqind në rritjen gjithsej të këtij treguesi.
Përsa i përket investimeve dallohet një rritje e tyre prej 9,5 përqind në vitin 2013, ku investimet nga ndërmarrjet kapën vlerën 163 miliardë lekë, në krahasim me 149 miliardë lekë që u investuan në 2012. Ndryshe nga treguesit e tjerë, prodhuesit e të mirave dhanë kontributin më të madh në rritje me 9,4 përqind duke përbërë 56,9 përqind të investimeve gjithsej për 2013 nga 52,9 përqind që përbënin në 2012.
Rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve shprehin se shitjet neto për të punësuar për vitin 2013 kanë pësuar rënie me 3,0 përqind, si rezultat i rritjes së numrit të të punësuarve (9,0 përqind) me një ritëm më të lartë se sa shitjet neto (5,8 përqind). Situata paraqitet e njëjtë për prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve. Rritja e punësimit me përkatësisht 5,4 përqind dhe 11,4 përqind përkundrejt rritjes së shitjeve neto me 2,9 përqind dhe 7,4 përqind rezultoi në rënie të shitjeve neto për të punësuar për prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve përkatësisht me 2,4 përqind dhe 3,6 përqind. Ndër treguesit makroekonomik të llogaritur është edhe vlera mesatare e investimeve të kryera nga një ndërmarrje. Ky tregues është rritur me 7,9 përqind në 2013 krahasuar me 2012.
Anketa strukturore pranë ndërmarrjeve ka për qëllim të ofrojë informacion mbi strukturën ekonomike dhe karakteristikat kryesore të ndërmarrjeve të regjistruara në regjistrin statistikor të ndërmarrjeve sipas aktivitetit ekonomik dhe që janë aktive në periudhën referuese Janar-Dhjetor 2013.
Në këtë botim, statistikat janë paraqitur sipas aktivitetit ekonomik, të klasifikuara sipas Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (NVE Rev.2) dhe madhësisë së ndërmarrjes, sipas numrit të të punësuarve (1-4, 5-19, 20-79 dhe 80+ të punësuar).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button