Interpoli kthen në Tiranë, të dënuarin me burgim të përjetshëm, arrestuar në Londër
Interpoli ka kthyer sot në Tiranë, një të dënuar me burgim të përjetshëm, 48-vjeçarin Hektor Voci, arrestuar në Londër, Angli.
Sipas Policisë, Voci ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Krujë, më 23 maj të vitit 2000 e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”.
Arrestimi u bë i mundur falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Manchester – Angli.Në aeroportin Nënë Tereza në Rinas, Voci iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
SI NDODHI VRASJA E POLICIT DHE ARRATISJA E VOCIT NE ANGLI
Më datë 10.02.1997, Hektor Voci, njofton Policia, ka qënë duke udhëtuar me makinën tip Benz ku ka qënë pasagjer. Në segmentin Tiranë – Fushë-Krujë, makina që drejtohej nga B.XH dhe ku ishte pasagjer Hektor Voci, ka parakaluar në mënyrë të gabuar duke rrezikuar ta rrëzonte në kanal automjetin qe drejtohej nga shtetasi A. C., punonjës policie pranë Komisariatit nr.4, në Tiranë.
Shtetasi A.C i ka ndjekur me makinë dhe i ka ndaluar ata pranë fshatit Tapizë, ku me pistoletën në dorë, me tytën drejtuar poshtë i është afruar makinës duke u prezantuar që ishte punonjës policie .
Ndërkohe që B.XH ka dal nga makina dhe i drejtuar dorën në mënyre fyese, duke i thënë që ishin punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar.
Punonjësi i Policisë A.C ka dal përpara makinës ku takohet me shtetasin Hektor Voci, i cili mbante në dorë automatikun model 56, që kishte marrë për kryerjen e shërbimit. Hektor Voci ka qëlluar me breshëri automatiku ndaj shtetasi A.C, duke e lënë të vdekur në vënd.