Ekonomia

Intervistat e Bankierëve: Si e presim 2017-n

Bankierët janë optimistë se në afatin e mesëm sistemi bankar do të ketë ecuri pozitive, pavarësisht sfidave të shumta. Ndërsa për vitin 2017 ai do të ndodhet nën presionin e krizës politike dhe zgjedhjeve të përgjithshme. Ata paralajmërojnë dhe për rrezikun e rritjes së kredisë jashtë vendit.

Z. Christian Canacaris, drejtor i Raiffeisen Bank, pohon se kjo pritshmëri positive lidhet me rritjen e GDP-së, që do të thotë se do të ketë rritje të kredisë.
Ndërsa z. Maltin Korkuti, drejtor i Bankës Credins pohon se ekonomia shqiptare ndodhet në një fazë ristrukturimi dhe rialokimi të kapitaleve. “Ekonomia është para sfidës për të forcuar sektorët me avantazhe konkurrues afatgjatë dhe këto janë procese që do të japin ndikimin e tyre edhe në kreditimin e ekonomisë. Nuk duhet neglizhuar dhe fakti që 2017-a është një vit zgjedhjesh, që do të ketë gjithashtu ndikimin e vet në ekonomi”.

Z.Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Anëtar Bordi i Intesa Sanpaolo Bank Albaniaështë më i drejtpërdrejtë kurflet për shqetësimin e rritjes së kredisë jashtë vendit. “Stoku i kredisë i dhënë nga bankat shqiptare në vende të tjera po rritet vazhdimisht, duke sjellë të paktën dy efekte negative: së pari, daljen jashtë
të burimeve të brendshme (kryesisht depozitave të qytetarëve shqiptarë) dhe së dyti, rreziku i shtuar që vjen nga marrëdhënie që lidhen me juridiksione të ndryshme (rreziqe operacionale dhe tregu)”.

Z. Frédéric BLANC, drejtor ekzekutiv i Societe Generale Albania, pohon se tradicionalisht, ujërat e turbullta në rajon gjithmonë e ndikojnë sistemin bankar nga pikëpamja gjeopolitike. Sfida tjetër e madhe, sipas tij është realiteti i një vendi që po ecën më shpejt sesa pritej në dixhitalizim dhe në mënyrë automatike kjo ndryshon industrinë tonë në mbarë botën.

Drejtori i Alpha Bank, z. Periklis Drougkas, njëkohësisht dhe kryetar i Shoqatës së Bankave, e vë theksin në sfida kryesore të cilat kërkojnë reagim të menjëhershëm: a) qëndrueshmëria politike, që ndikon në vendimmarrjen e aktorëve në ekonominë vendase dhe investitorët e huaj, dhe b) transparenca dhe kuadri rregullator/ligjor, që ndihmojnë investuesit e huaj për të marrë informacion të besueshëm. Për më tepër, reforma në drejtësi pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në mjedisin e biznesit.

Z. Gazmend Kadriu, Drejtor i Përgjithshëm i Union Banke pret sistemin bankar pas 5 ose 10 viteve të duket shumë më ndryshe sesa është tani. Ai mund të dalë më mirë, ose edhe më keq sesa është tani. “Kjo do të varet nga mjaft faktorë që janë jashtë kontrollit të vendit. Por do të ketë varësi të madhe edhe nga faktorët brenda vendit, në radhë të parë nga rregullatori, nga Banka e Shqipërisë”.

Znj. Adela Leka, Drejtuese e Drejtorisë Ekzekutive të ProCredit Bank Shqipëripohon se në radhë të parë duhet të ekzistojë një klimë e qetë dhe e favorshme për investitorët (vendas dhe të huaj), të cilët janë partnerët kyç për zhvillimin e mëtejshëm të aktivitetit kreditues, si një motor i gjenerimit të rritjes së sistemit bankar.

Z. Bozhidar Todorov, drejtor ekzekutiv i First Investment Bank – Albania (FIBank – Albania)shprehet se faktorët që ndikojnë në huadhënie varen shumë nga zhvillimi i Shqipërisë në përgjithësi dhe i ambientit të biznesit në veçanti. Reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare duken të jenë në rrugën e duhur dhe ka shenja që ekonomia e vendit po hyn në një kurbë rritëse, gjë e cila është shumë pozitive për të gjithë agjentët ekonomikë.

monitor 777.inddFlet z. Christian Canacaris, drejtor i Raiffeisen Bank

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2017?

Ne jemi mjaft pozitivë, duke marrë parasysh edhe faktin që këtë vit do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme elektorale. Duke qenë se rritja e GDP pritet të jetë afër 4%, mendoj se ky fakt do të na japë më shumë mundësi ne si bankë dhe sistemit bankar në përgjithësi.

Si e prisni ecurinë e kreditimit dhe NPL-ve për sistemin bankar dhe bankën tuaj në 2017-n?

Mendoj se kjo lidhet me rritjen e GDP-së që përmenda më sipër, që do të thotë se do të ketë rritje të kredisë, si rezultat i rritjes së GDP-së.

Credins Bank - Maltin KorkutiFlet Maltin Korkuti, drejtor i Credins Bank

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në vitin 2016?

Sistemi bankar në Shqipëri vazhdoi dhe në vitin 2016 të jetë një bazë e qëndrueshme për t’i dhënë frymëmarrje ekonomisëshqiptare. Sistemi mbeteti shëndetshëm dhe i mirëkapitalizuar dhe statistikat zyrtare të Bankës së Shqipërisë,konfirmojnë për vitin 2016një rritje të totalit të aktiveve me 6.8%.

Credins Bank, më 31 dhjetor 2016, rezultoi me rritje në të gjithë treguesit financiarë, duke e mbyllur vitin me aktive 166.94 miliardë LEK, në depozita143.04 miliardë LEK, në kredi 109.26miliardë LEKdhetë diversifikojë ofertënduke siguruar gjatë vitit 2016 pozicionimin si banka e tretë më e fuqishme në vend. Nisur nga fakti që jemi banka e parë me kapital shqiptar në vend, kjo arritje na bën shumë krenarë dhe na jep sigurinë për të vazhduar me ritme të qëndrueshme përpara. Strategjia jonë për të ulur në mënyrë graduale portofolin e korporatave, duke rritur financimin në fushën e ndërmarrjeve të mesme, sektorin mikro, agro dhe individë, rezultoi e suksesshme dhe gjeneroi disbursimin e25,500 kredive gjatë vitit 2016, nga ku 87% kanë rezultuar në segmentin individë. Gjatë 2016-s vazhdoi zgjerimime dy degë të reja dhe nisi një proces në shkallë të gjerë për rivitalizimin e degëve. Po në vitin 2016, selia qendrore e bankës u vendos në godinën e re prestigjioze në rrugën “Vaso Pasha”, nr. 8, së bashku me një degë pa shërbime cash, që do të shërbejë si model për shtimin e shërbimeve me teknologji të avancuar në dobi të klientëve. Viti 2016 u mbyll me hedhjen në treg të Mastercard, që plotëson kështu nevojën e klientëve tanë individë dhe biznes, për një kartë në monedhë të huaj.Me kartën VISA, në vitin 2016, Credins Bank ka 13,8% të tregut në sistemin bankar shqiptar dhe103,180 përdorues.

Në vitin 2016, në qershor, AMF licencoi Shoqërinë e Administrimit të Fondeve të Investimit dhe Fondeve të Pensionit, Credins Invest, një shoqëri ku Banka është aksioner mazhoritar.
Në këtë mënyrë, Credins Bank, drejtpërdrejt apo falë partneriteteve të ndërtuara me SiCRED, Credins Invest,siguroi gjatë vititpër klientët e saj një gamë produktesh e shërbimeshqë i përgjigjen çdo nevoje: depozita, investime, pensione.

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2017?

Falë rrjetit kapilar të Credins Bank, të shtrirë tashmë në të gjithë vendin, dhe mbulimit me degë të reja të disa qyteteve strategjikë gjatë 2017,si dhe falë të gjithë punës së bërë në 2016 për diversifikimin e produkteve, rritjen e aftësive shitëse të stafit, përmirësimit të ndjeshëm të infrastrukturës së degëve, riorganizimit dhe intensifikimit të punës në sektorin retail, ne besojmë në një rritje të qëndrueshme të bankës në 2017. Rezultatet e prekshme në tremujorin e parë të këtij viti janë inkurajuese. Cilësia e depozitavedhe krediveështëpreokupimi ynëkryesordhe ne synojmë të mbetemi zgjedhja numër një e shqiptarëve për këto produkte. Produktet e rejanë fushën e kartave, kryesisht ato Mastercard,pagesave, pensioneve, e-commerce, do të jenë padyshim produkte në fokus në vitin 2017.

Si e prisni ecurinë e kreditimit dhe NPL-ve për sistemin bankar dhe bankën tuaj në 2017-n, në afatin e shkurtër dhe të mesëm dhe cilët janë faktorët kryesorë që do të ndikojnë për secilën?

Masat e marra në vitet e fundit kanë dhënë tashmë disa rezultate inkurajuese për uljen e nivelit të kredive me probleme, por ende ka hapësira për përmirësime në kuadrin ligjor dhe institucional. Vazhdimësia e zbatimit të planit të masave për uljen e kredive me probleme do të ketë efekte në afatin e shkurtër. Vitin e kaluar, Kuvendi miratoi një paketë ligjore që përfshiu ndryshime në Kodin Civil, Kodin e Procedurës Civile, ligjin “Për Falimentin” dhe në ligjin “Për Shërbimin Përmbarimor”. Pritet që efektet nga zbatimi i këtyre ndryshimeve të sjellin përmirësime të mëtejshme në procesin e ekzekutimit të kolateralit.

Në vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka përmirësuar kuadrin rregullativ, duke përcaktuar afate të qarta për klasifikimin në zërat jashtë bilancit të kredive të humbura, si dhe duke lehtësuar ristrukturimin e kredive në fazë të hershme. Përmirësime janë bërë edhe në regjistrin e kredive, duke shtuar informacionin për çështjet gjyqësore në proces ndaj debitorëve, ndërsa po punohet për një sistem pikëzimi të huamarrësve (credit scoring). Në një horizont më afatgjatë, duhet pasur parasysh që, në thelb, cilësia e kreditimit varet nga performanca e përgjithshme e ekonomisë. Treguesit ekonomikë janë ende të brishtë, pavarësisht se me një prirje pozitive. Kur ekonomia rritet nën potencialet e veta, edhe hapësirat e kreditimit ngushtohen. Rritja e ngadaltë e kredisë ka një ndikim serioz në ecurinë e raportit të kredive me probleme. Në kushtet e një rritjeje më të lartë të kredisë, atëherë edhe raporti i kredive me probleme do të ulet.

Duhet pasur parasysh gjithashtu se ekonomia shqiptare ndodhet në një fazë ristrukturimi dhe rialokimi të kapitaleve. Ekonomia është para sfidës për të forcuar sektorët me avantazhe konkurrues afatgjatë dhe këto janë procese që do të japin ndikimin e tyre edhe në kreditimin e ekonomisë. Nuk duhet neglizhuar dhe fakti që 2017-a është një vit zgjedhjesh, që do të ketë gjithashtu ndikimin e vet në ekonomi.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Sfidat kryesore të sistemit bankar lidhen së pari me pritshmëritë e klientëve. Brezi aktualkonsumator ka pritshmëri të larta, veçanërisht lidhur me teknologjinë. Kështu që sistemi bankar është vazhdimisht nën presion për t’ju përgjigjur këtyre pritshmërive. Një tjetër sfidë mbetet rritja e konkurrencës nga institucionet financiare jo banka, qoftë në fushën e kreditimit, qoftë në fushën e teknologjisë. Këto kompani, ndryshe nga bankat tradicionale, kanë një dinamikë dhe përshtatje më të shpejtë me ndryshimet rregullatore apo ato teknologjike, duke ofruar produkte financiare alternative për klientët. Dhe së fundmi, kërkesat rregullatore në rritje mbeten sfidë e përhershme e sistemit bankar. Këto kërkesa marrin shumë kohë, vëmendje dhe energjinga drejtuesit e lartë, si dhe kërkojnë investime në njerëz, sisteme apo procedura.

 

monitor 777.inddFlet z.Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Anëtar Bordi i INTESA SANPAOLO BANK ALBANIA

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe bankës tuaj në 2016?

Lidhur me Intesa Sanpaolo Bank Albania, kam shumë arsye për të qenë i kënaqur, pasi banka ka arritur shumë rezultate pozitive, p.sh., reduktim domethënës të stokut të kredisë me probleme (NPL) dhe normës së NPL-së (shumë më poshtë nivelit mesatar të sistemit), një rritje të cilësisë së portofolit të kredisë, rritje të pjesës së tregut për “kredinë për rezidentët”, optimizim efektiv të kostove, si dhe fitim neto të konsiderueshëm. Dua të theksoj se fitimi neto është gjithmonë qëllimi final i një kompanie, por është edhe rezultat i strategjive afatgjata të ndërmarra në fusha të ndryshme si për shembull, inovacion, Menaxhim i riskut, Kujdesi ndaj klientit, Integriteti, si dhe investimet e vazhdueshme në burimet njerëzore.

Në kahun negativ, banka ka vuajtur presionin e fortë të shkaktuar nga trendi rënës i normave të interesit, një fenomen i përbashkët ky për të gjitha sistemet bankare; gjithsesi, ne ishim të aftë që të kompensonim të ardhurat më të ulëta nga interesat nëpërmjet të ardhurave shtesë nga tarifat bazë për bizneset dhe kosto risku shumë më të ulët krahasuar me të kaluarën.

Për më tepër, dua të nënvizoj se rezultatet e sipërpërmendura janë arritur, duke fokusuar aktivitetin tonë ekskluzivisht në tregun shqiptar dhe duke mos e zgjeruar aktivitetin e huadhënies jashtë. Fakti është se, ndërsa pranojmë se kërkesa e brendshme për hua është e ulët, misioni ynë është që të bëjmë biznes në vendin mëmë. Fatkeqësisht, stoku i kredisë i dhënë nga bankat shqiptare në vende të tjera po rritet vazhdimisht, duke sjellë të paktën dy efekte negative: së pari, daljen jashtë të burimeve të brendshme (kryesisht depozitave të qytetarëve shqiptarë) dhe së dyti, rreziku i shtuar që vjen nga marrëdhënie që lidhen me juridiksione të ndryshme (rreziqe operacionale dhe tregu). Ne konfirmojnë, pa asnjë dyshim, angazhim në tregun shqiptar.
Lidhur me rezultatet e sistemit bankar në tërësi, është e qartë se ka një numër çështjesh kritike, që reflektohen në nivelin e ulët të përfitueshmërisë së regjistruar në vitin 2016. Kjo mund të kuptohet nga një analizëe rezultateve individuale, madje edhe nëse merren në konsideratë ngjarje të jashtëzakonshme, si falimenti i disa kompanive të mëdha.

Megjithatë, ne duhet të theksojmë si një fakt pozitiv se në tërësi, kapitalizimi i sistemit është ende i lartë, po ashtu edhe likuiditeti. Gjëja më e rëndësishme, që bën diferencën, është edhe njëherë cilësia e portofolit të kredisë,e cila ende shkakton kosto ekstremisht të larta të riskut. Është bërë njëfarë progresi gjatë vitit të shkuar, për sa i përket reduktimit të stokut të kredisë me probleme, por jo mjaftueshëm për të siguruar qëndrueshmërinë e biznesit të bankave në afatgjatë; secila nga bankat duhet që të gjejë mënyrën për të reduktuar nivelin e kredisë me probleme, me shpresë poshtë nivelit prej 10% të totalit të portofolit.

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2017?

Duke pasur parasysh skenarin aktual, që po vazhdon prej disa kohësh, të normave shumë të ulëta/negative të interesit, kërkesës së brendshme të dobët për hua, domosdoshmërinë për t’u marrë me stokun e kredive me probleme, sistemi bankar do të vazhdojë të përpiqet për të gjetur një strategji të përshtatshme domethënëse; prandaj unë pres disa përmirësime, por ende jo rezultate plotësisht të kënaqshme. Edhe një herë, sistemi duhet të fokusohet në cilësinë e portofolit të kredisë, e cila luan një rol kritik në përfitueshmërinë, duke pasur parasysh se sa më shumë të ulet norma, aq më shumë cilësia e portofolit do të jetë e rëndësishme për rezultatin final; kjo do të thotë se ne duhet ta reduktojmë sa më shumë të jetë e mundur ndikimin e provizionimit të kredive të reja. Supozoj se të gjitha bankat, pavarësisht përmirësimit në skenarin makroekonomik, do të jenë të kujdesshme në huadhënie. Për më tepër, në këtë moment, ne vëzhgojmë një qasje të tipit “ulu dhe prit” të sipërmarrësve për sa u përket investimeve të reja, në pritje të zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.

Nga ana tjetër, skenari makroekonomik është përmirësuar ndjeshëm, si brenda ashtu dhe në nivelin ndërkombëtar, dhe reformat e brendshme tashmë të miratuara do të fillojnë të japin ndikimet e tyre pozitive, duke hapur rrugën për një mjedis më të mirë të biznesit; ne duhet të kapim këtë trend të favorshëm.
Përsa i përket Intesa Sanpaolo Bank, kam shumë arsye të besoj se do të konfirmojmë të paktën performancën e vitit 2016.

Si e prisni ecurinë e kreditimit dhe NPL-ve për sistemin bankar dhe bankën tuaj në 2017-n në afatin e shkurtër dhe të mesëm dhe cilët janë faktorët kryesorë që do të ndikojnë për secilën?

Ndërsa për këtë vit nuk pres ndonjë rritje domethënëse për sa i përket portofolit të kredisë, veçanërisht për korporatat, kam besim se do të kemi rritje të mëtejshme në kredinë për individët dhe biznesin e vogël, që do të varen kryesisht nga rritja e konsumit privat. Kjo është diçka e mirë dhe duhet ta rrisë Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit, i cili pritet që të arrijë në rreth 4%. Në afatmesëm, situata do të përmirësohet për shkak edhe të mjedisit të jashtëm. Shenjat pozitive të rimëkëmbjes në ekonominë botërore do të kontribuojnë në zhvillimin e Shqipërisë. Pozitivisht do të ndikojnë gjithashtu edhe investimet e pritshme në infrastrukturë, në sektorët kyç si turizmi apo agrikultura. Kam besim se në afatmesëm, bankat do të kenë mundësi që të rrisin aktivitetin e huadhënies, duke mbyllur kështu hendekun aktual (raportit hua ndaj depozitave) me sistemet bankare të huaja.
Ajo që mbetet një parakusht për Shqipërinë është zbatimi efektiv i reformave tashmë të miratuara, për të bërë të mundur integrimin në Komunitetin Europian. Nga ky këndvështrim, reforma në drejtësi luan një rol vendimtar. Është gjithashtu një çështje besueshmërie në arenën ndërkombëtare; ne nuk mund të përballojmë që të humbim besimin e partnerëve tanë strategjikë.

Mbi të gjitha, është tepër e qartë nga të gjitha vëzhgimet e bëra nga çdo Shoqatë Biznesi që, mjedisi i biznesit mund të përmirësohet vetëm nëse do të mundësohet zbatimi i ligjit, që do të kontribuojë po ashtu në uljen e informalitetit dhe korrupsionit. Të tre këto fjalë, Korrupsioni, Informaliteti dhe Zbatimi i Ligjit janë të lidhura me njëra-tjetrën, duke qenë fytyrat e ndryshme të të njëjtit problem.
Për më tepër, ka nevojë për një përshtatje më të mirë me praktikat më të mira ligjore; përsa i përket sistemit bankar, është i këshillueshëm një integrim më i madh në tregjet financiare, mbikëqyrjen financiare dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Gjithashtu një partneritet eficient me Bashkimin Europian do të mundësojë realizimin e investimeve në infrastrukturë që janë kaq shumë të nevojshme në Shqipëri, si hekurudhat, portet, aeroportet dhe lidhjen me korridorin europian. Në këtë këndvështrim, unë do të vlerësoja realisht përpjekjet e bëra nga Shqipëria për të integruar tregjet ballkanike në të ashtuquajturin treg të zgjeruar, që me siguri do të tërheqë investime të huaja shtesë. Është e nevojshme që të hiqen sa më shumë barriera që të jetë e mundur, duke synuar të arrihet një objektiv i dyfishtë: zhvillimi i tregtisë reciproke dhe një rajon më i paqtë. Ballkani ka nevojë për këtë balancë, në mënyrë që të hyjë në Europë. Ndryshe nuk mund të jemi pjesë e tij.

Cilat janë sfidat me të cilat sistemi bankar do të përballet në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Në terma të përgjithshëm, në Europë, sfidat kryesore vijnë nga ndryshimet në mjedisin rregullator dhe nga nevoja për të përshtatur rregulla më të rrepta, në mënyrë që të parandalohen goditjet e brendshme dhe të jashtme. Këto ndryshime do të ndikojnë në mënyrë domethënëse, herët apo vonë, gjithashtu edhe sistemin bankar shqiptar. Ndikimi i referohet jo vetëm kostove (të larta) shtesë, por gjithashtu edhe nevojës për të zhvilluar aftësi të reja dhe kompetenca për të gjithë organizatën, duke filluar nga qeverisja e Korporatave, menaxhimit të Riskut, sistemit të Kontabilitetit, si dhe menaxhimit të Kapitalit. Intesa Sanpaolo Bank Albania, duke qenë pjesë e një prej bankave më të mëdha në Europë dhe duke qenë e detyruar të përshtatet me kërkesat e reja, ka ndërmarrënjë sërë projektesh në këtë drejtim. Midis të tjerash, mund të përmend zbatimin që nga janari 2018, të sistemit të ri të kontabilitetit, që përshtat tërësisht standardet e IFRS9; do të jetë një lloj revolucioni në mjedisin bankar, ndikimi i të cilit ende do të duhet të vlerësohet plotësisht.

Një tjetër sfidë, ose madje një kërcënim, për bankat, është e ashtuquajtura teknologjia Dixhitale, që do të riformatojë tërësisht aktivitetin bankar, veçanërisht në segmentin e “retail”. Unë e mirëpres një inovacion të tillë, duke menduar se do ta bëjë jetën e njerëzve më të mirë, por sërish bankat do të duhet të përshtaten me shpejtësi në këtë botë të re, që kërkon investime të mëdha.

Për ta përmbledhur, edhe pse mendoj se situata makroekonomike dhe skenari afatshkurtër do t’u mundësojë bankave të bëjnë më mirë biznesin e tyre të përditshëm, në perspektivën afatgjatë, ne do të hyjmë në një treg më të vështirë dhe shumë më konkurrues. Çdo bankë dhe institucion financiar duhet të përcaktojë strategji të qarta dhe të gjejë rrugën e vet për të qenë i suksesshëm në këtë territor të paeksploruar.

monitor 777.inddFlet Z. Frédéric BLANC, drejtor ekzekutiv i Societe Generale Albania

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe bankës tuaj në 2016?

Performanca e sistemit bankar në Shqipëri ishte shumë e qëndrueshme në vitin 2016. Duke pasur parasysh rreziqet e vazhdueshme si informaliteti, ndikimin e reformave të papërfunduara të sistemit ligjor si dhe transparencën në aktivitetin e institucioneve publike, bankat kanë regjistruar në bilancet e tyre një vit të vështirë, por të suksesshëm.

Banka jonë në një mjedis të tillë ka treguar gatishmëri konkrete, duke qenë ndër mbështetësit më të mirë të rritjes së kredisë në vend, duke mbeshtetur ekonominë shqiptare në të dy kahet: kompanitë, në nevojat për likuiditet dhe investime dhe individët në planet dhe kapacitetet konsumatore. Kjo, e kombinuar me elasticitetin e lartë ndaj rasteve që u paraqitën me risk, i ka vënë një theks të veçantë suksesit të vitit të kaluar të Societe Generale Albania.

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2017?

Planet dhe pritshmëritë tona janë për të vazhduar një rritje stabël dhe të qëndrueshme të të gjithë treguesve bankarë. Ne do të vazhdojmë me një përqasje më të balancuar midis depozitave e kredive të individëve dhe korporatave, duke u fokusuar veçanërisht në përmirësimin dhe zgjerimin e gamës së shërbimeve tona. Kjo do të ndikohet gjithashtu dhe nga inovacioni, veçanërisht në fushën dixhitale, ku grupi ynë dhe SGAL ka përqendruar përpjekjet dhe investimet. Ne besojmë se faktorët e sipërpërmendur, të lidhura me rritjen e presioni mbi marzhin dhe kostot do të jenë një sfidë shumë më e madhe për bankat në vitin aktual.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për rritjen e kredisë në sektorin bankar dhe bankën tuaj dhe faktorët që do të ndikojnë?

Societe Generale Albania vazhdon strategjinë e rritjes së qëndrueshme duke reflektuar pritshmëritë e rritjes së ekonomisë shqiptare. Si një vit elektoral, një ngadalësim i aktivitetit mund të jetë i dukshëm përgjatë vitit, që ne do të përpiqemi ta trajtojmë dhe kuptojmë si sezonal. Ne do të fokusohemi veçanërisht në sektorët ku shohim potencial të qëndrueshëm rritjeje, si ato tradicionale dhe ato të lidhura me zhvillimet e avancuara në agro-biznes ose energji, përfshirë eficiencën e energjisë. Fuqia konsumatore, e mbështetur direkt dhe indirekt nga realizimi i buxhetit, ndërkohë që investimet e huaja janë ende të kufizuara, do të bëjë që rritja tek individët të jetë me një ritëm shumë më të shpejtë sesa për korporatat.

Cilat janë sfidat me të cilat sistemi bankar do të përballet në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Tradicionalisht, ujërat e turbullta në rajon gjithmonë e ndikojnë sistemin bankar nga pikëpamja gjeopolitike. Sfida tjetër e madhe është realiteti i një vendi që po ecën më shpejt sesa pritej në dixhitalizim dhe në mënyrë automatike kjo ndryshon industrinë tonë në mbarë botën. Kjo po ndodh me shpejtësi edhe në Shqipëri, i përqafuar nga tregu dhe i orientuar kryesish nga pranimi masiv i klientëve. Në anën tjetër të këtij zhvillimi dixhital ne kemi kujdesin real të lidhur me nivelin e NPL-ve, dhe reformat në tërësi që po e çojnë vendin drejt Bashkimit Europian. Kapaciteti investues për të lehtësuar ose mbuluar këto nevoja e karakteristika të tregut dhe për të kapërcyer hendekun në kthimin e oreksit të aksionerëve do të vijojë të jetë në afatin e mesëm sfida kryesore.

Alpha Bank _ Periklis DrougkasFlet kryetari i Shoqatës së Bankave, z. Periklis Drougkas

Si e vlerësoni performancën e sistemit bankar në vitin 2016?

Zhvillimet e përgjithshme në sistemin bankar shqiptar ishin pozitive. Normat e ulëta të interesit, si dhe sistemi bankar i mirëkapitalizuar, janë një bazë e qëndrueshme për rritje të kreditimit dhe financimit të rritjes ekonomike lokale. Gjithsesi, për shkak të masave mbikëqyrëse dhe rregulluese në nivel kombëtar dhe europian, politikat e kredidhënies së bankave vazhduan të ishin konservative. Ndërkohë që normat e interesit në tregun ndërbankar vazhdojnë të jenë pranë normës bazë, tendenca e përgjithshme e tregut të depozitave dhe kreditimit, vijoi të tregojë norma në rënie të interesit.

Përgjatë vitit 2016, sistemi bankar ka vënë vazhdimisht në zbatim masa për zvogëlimin e stokut të kredive në vonesë. Gjatë 2015-s, kreditë në vonesë shënuan rënie të konsiderueshme, si pasojë e fshirjes së detyrueshme nga bilanci i bankave, ndërsa në tremujorin e katërt të 2016-s, kreditë në vonesë arritën në 18.27%, të ndikuara gjerësisht nga falimentimi i dy korporatave si dhe mbikëqyrja e përmirësuar në lidhje me klasifikimin e kredive në vonesë. Si rrjedhim, përfitueshmëria e bankave u ndikua nga kërkesat në rritje për provigjione.

Në lidhje me mjedisin makroekonomik, të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar treguan se ekonomia shqiptare shënoi rritje prej 3.4% në bazë vjetore dhe faktorë kryesorë nxitës ishin konsumi dhe Investimet e Huaja Direkte (IHD) në projekte të mëdha të lidhura me energjinë (Trans Adriatic Pipeline dhe Hidrocentrali në Devoll). Gjithashtu, remitancat nga vendet e rajonit vazhduan të jenë të qëndrueshme. Politika monetare e vënë në zbatim nga Banka e Shqipërisë ka mbështetur rritjen në kërkesën e brendshme dhe besimin e konsumatorëve.

Këta tregues pozitivë nga tregu, si konsumi dhe investimet private, janë jo vetëm një bazë e shëndetshme për qëndrueshmërinë e tregut në të ardhmen, por tregojnë gjithashtu rritje të besimit e të punësimit, normë më të lartë të përdorimit të kapaciteteve, si dhe hyrje më të mëdha nga IHD-të.

Cilat janë pritshmëritë tuaja mbi performancën e sistemit bankar në 2017?

Mjedisi në të cilat bankat veprojnë është ngushtësisht i lidhur me mjedisin makroekonomik në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar.
Mjedisi i jashtëm po tregon përmirësim, edhe pse rritja ekonomike është e ulët dhe e rrethuar nga pasiguri. Ekonomitë e partnerëve tregtarë të Shqipërisë shënuan rritje pozitive, edhe pse me ritëm të ngadaltë. Gjithsesi, qëndrueshmëria e tregjeve europiane mund të ndikohet, në vitet në vijim, nga pasojat e referendumit në Mbretërinë e Bashkuar.

Mjedisi i brendshëm po tregon zhvillime premtuese pozitive. Siç është përmendur edhe më parë, tendenca rritëse për sa i përket konsumit dhe investimeve private, janë një bazë e shëndetshme për qëndrueshmërinë e tregut në të ardhmen.
Gjithsesi, janë dy sfida kryesore të cilat kërkojnë reagim të menjëhershëm: a) qëndrueshmëria politike, që ndikon në vendimmarrjen e aktorëve në ekonominë vendase dhe investitorët e huaj, dhe b) transparenca dhe kuadri rregullator/ligjor, që ndihmojnë investuesit e huaj për të marrë informacion të besueshëm. Për më tepër, reforma në drejtësi pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në mjedisin e biznesit.

Zhvillimet e përgjithshme në sektorin bankar dhe sistemin financiar do të vazhdojnë të jenë të qëndrueshme gjatë vitit 2017. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të ndryshme është i përmbajtur. Treguesit kryesorë financiarë në lidhje me kapitalizimin, likuiditetin dhe përfitueshmërinë tregojnë kapacitetin e plotë se sektori mund të përballojë risqe operacionale nën kushte normale, por edhe të tregojë rezistencë në kushte më të vështira. Për më tepër, niveli i kufizuar i kredive me probleme dhe tendencat e tyre rënëse, janë një bazë e shëndetshme për 2017.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për rritjen e kreditimit në sistemin bankar në nivel afatshkurtër dhe afatmesëm dhe faktorët kryesorë që do të ndikojnë në tendencat respektive?

Ne parashikojmë që viti 2017 do të karakterizohet nga luhatje. Ndërkohë që tregu vendas dhe ndërkombëtar po lëshojnë sinjale pozitive, sistemi bankar duhet të ketë në konsideratë që po vepron në një vit elektoral, që, siç tregojnë të dhënat historike, ndikon kryesisht në kërkesë më të vogël për investime nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Në tremujorin e tretë, sipas Bankës së Shqipërisë, bankat shtrënguan standardet për kreditimin e sipërmarrjeve, për investime si dhe për kapital qarkullues. Ndërkohë që çmimi i shërbimeve financiare ka shënuar rënie, bankat kanë rritur kërkesat për aplikime të suksesshme.

Kërkesat për kolateral dhe çmimi i ofruar për shërbimet financiare, janë përdorur nga bankat për të ofruar kushte më të mira huadhënieje për individët. Rritja e kreditimit për këtë segment mbështetet fortësisht në kreditimin e konsumatorëve. Zhvillimet pozitive të këtij portofoli janë nxitur nga promovimet e bankave për këtë shërbim, si dhe kërkesa më e lartë për kredi për shtëpi, përgjatë kësaj periudhe.
Në nivel afatmesëm, sistemi bankar mund të hasë probleme për sa i përket përfshirjes së aktiveve fikse në pronësi në bilanc. Zotërimi dhe trajtimi i këtyre aktiveve mund të krijojë kosto shtesë dhe vështirësi operacionale. Ky problem tregon se tregu i pasurive të paluajtshme është i kufizuar dhe ka nevojë për strukturim, në mënyrë që të thjeshtëzojë gjetjen e blerësve të mundshëm dhe të ofrojë shitje të shpejtë të këtyre aseteve.

Cilat janë sfidat kryesore me të cilat do të përballet sistemi bankar, në nivel afatshkurtër dhe afatmesëm?

Siç u përmend më parë, sistemi bankar në Shqipëri ka qenë i qëndrueshëm dhe ka treguar tendencë përmirësimi, pavarësisht se vazhdon të hasë disa sfida të rëndësishme.
Për sa i përket infrastrukturës së tregut financiar, situata është në përgjithësi në përputhje me standardet ndërkombëtare; gjithsesi, mungesa e Bursës së Shqipërisë, pavarësisht kuadrit ekzistues ligjor, kufizon zhvillimet në tregun e kapitalit në vend. Në sektorin bankar, niveli i kredive me vonesë vazhdon të parandalojë rritjen e përgjithshme të kreditimit. Edhe pse kuadri ligjor dhe institucional është forcuar, qëndron ende risku i zbatimit.
Nga këndvështrimi makroekonomik, përpjekje më të mëdha duhet të bëhen për investimet në infrastrukturë, pasi vështirësitë në transport, energjetikë dhe infrastrukturë dixhitale kufizojnë konkurrueshmërinë dhe zvogëlojnë tregtinë.

Risku i teknologjisë mbetet një shqetësim për sistemin bankar. Ne jemi të vetëdijshëm se bankat që nuk ua dalin përballë risive teknologjike, rrezikojnë të humbasin një pjesë të konsiderueshme të veprimtarisë bankare. Kjo është veçanërisht e vërtetë për bankat që bazohen në sisteme kompjuterike që nuk janë në gjendje të përshtaten ndaj përvojës, shërbimeve dhe produktit që pret klientela.
Gjithsesi, ne shprehim besimin tonë se sistemi bankar në Shqipëri, nën mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë, do të reagojë në kohë ndaj sfidave, me të cilat përballet ekonomia, nëpërmjet veprimeve dinamike që kërkohen nga situata.

 

monitor 777.inddFlet Gazmend Kadriu, Drejtor i Përgjithshëm i Union Bank

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në vitin 2016?

Viti 2016 ka qenë një tjetër vit“zakonshëm i mirë” për sistemin bankar. Sistemi bankar arriti që të shënojë rritje në dy parametrat kryesorë të volumit të punës së saj: depozitat dhe kreditë. Norma e rritjes nuk është galopante, mund të thuhet edhe se nuk është aq sa do t’i duhej shtetit, në radhë të parë në kreditimin brenda vendit që çalon ende. Mirëpo, njëkohësisht do të ishte shumë naive që nga sistemi bankar të pritet të jetë ai që do të çajë përpara dhe do të ecë më fort se çdo segment tjetër i shoqërisë. E rëndësishme është që sistemi bankar nuk ndalet, e as nuk shënon regres, por vazhdon rritjen më tutje. Lidhur me pjesën tjetër të performancës, atë të profitabilitetit, është herët për t’u komentuar, se në pjesën më të madhe, as shifrat finale nuk dihen në tërësi. Shifrat dhe shenjat e para tregojnë një vit profitabël në total për sistemin bankar. Ky është gjithsesi një lajm i mirë për publikun. Po të njëjtat shenja të para sikur tregojnë që fitimi do të jetë më i ulët se vitin e kaluar dhe nuk do të jetë i kënaqshëm ndaj nivelit të kapitalit të investuar dhe riskut të pranishëm (duke kursyer sistemin bankar nga halli që të justifikohet edhe për çështje fitimi).

Sa i përket bankës sonë, viti 2016 mund të thuhet se ka qenë tanimë “zakonshëm shumë i mirë”. Ne përsëri i arritëm dhe i tejkaluam objektivat e vendosura në të gjitha parametrat e saj: depozitat, kreditë, profitabiliteti. Vazhdojmë ritmin tonë standard të një rritjeje të kujdesshme dhe të sigurt, në të gjitha aspektet, në të gjithë treguesit.

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2017?

Sistemi bankar do të varet shumë nga specifika e vitit 2017 si vit zgjedhor. Për fat shumë të keq, zgjedhjet në Shqipëri nuk bëhen një proces normal administrativ, që gjithsesi përcakton skuadrën e re qeverisëse të vendit, dhe prandaj është një festë demokracie, por që nuk ka pse të përbëjë stres të veçantë, për shoqërinë dhe ekonominë. Përkundrazi, vitet e zgjedhjeve rëndom shoqërohen me një atmosferë fjalësh e nervozizmi të stërmadh. Këto normalisht nuk i bëjnë mirë shoqërisë dhe sidomos ekonomisë – se sidomos biznesi (i përgjegjshëm) normalisht preferon qetësinë, urren pasigurinë.

Banka jonë natyrshëm do të ndjekë në një masë ecurinë e sistemit bankar dhe në një masë do të jetë autonome. Eksperienca jonë pozitive disavjeçare më jep një besim që, pa pritur shumë të shohim ç’do të ndodhë në këtë vit zgjedhor, të shpreh sigurinë se ky do të jetë një vit shumë i mirë për bankën tonë. Ndoshta edhe më i miri deri tani.

Si e prisni ecurinë e kreditimit dhe NPL-ve për sistemin bankar dhe bankën tuaj në 2017-n në afatin e shkurtër dhe të mesëm dhe cilët janë faktorët kryesorë që do të ndikojnë për secilën?

Ecuria e kreditimit patjetër do të varet nga kjo ndërthurje e vitit zgjedhor dhe reagimit të investimeve dhe konsumit të bizneseve dhe individëve ndaj tij. Ecuria e NPL-ve po ashtu. Por mbi NPL, po edhe mbi kreditimin më gjerë, do të ketëndikim disproporcional edhe cilësia e sistemit gjyqësor, si dhe reformat e shumëpritura në sistemin e përmbarimit. Një rast së fundmi krejt skandaloz në fushën e përmbarimit më ka forcuar besimin se në këtë fushë, edhe 2017-a do të jetë një vit “zakonshëm i keq”. Shqipëria nuk duket të ketë potencial të brendshëm për të siguruar një proces normal të trajtimit të kredive të këqija. Në këtë kontekst, është gati e habitshme si arrin sistemi bankar të rrisë kreditimin sadopak, si dhe të mbajë nën kontroll NPL-të. Së fundmi u habita me një informatë për rritjen e kreditimit jashtë vendit, si dhe cilësinë më të mirë të atij portofoli krahasuar me portofolin brenda vendit. Me rezervën se nuk i di detajet, kjopër mua do të ishte shumë indikative që sistemi bankar, nga halli për të vazhduar ritmin e vet të rritjes, i duhet të dalë edhe jashtë kufijve të vendit, dhe ky kreditim të rezultojë më i mirë se ai brenda vendit.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Sfida kryesore e sistemit bankar do të jetë konsolidimi i tij. Jemi në një periudhë të ndryshimeve të mëdha në gjithë kontinentin europian, si dhe në shtetet partnere të Shqipërisë. Këto ndryshime më të gjera do të konvergojnë edhe me ndryshime të brendshme. Sistemi bankar pas 5 ose 10 viteve pres të duket shumë më ndryshe sesa është tani. Ai mund të dalë më mirë, ose edhemë keq sesa është tani. Kjo do të varet nga mjaft faktorë që janë jashtë kontrollit të vendit. Por do të ketë varësi të madhe edhe nga faktorët brenda vendit, në radhë të parë nga rregullatori, nga Banka e Shqipërisë. Ajo mban përgjegjësinë supreme të modelimit të ndryshimit të sistemit bankar, nëpërmjet komandimit të procesit të licencimit, të bashkimit të bankave, po ashtu të masave monitoruese dhe korrigjuese në vazhdimësi etj. Mund të thuhet se menaxhimi i këtij procesi, gati të pashmangshëm, do të jetë një sfidë interesante e përbashkët, e vetë sistemit bankar dhe rregullatorit të tij.

 

monitor 777.inddIntervistë me znj. Adela Leka, Drejtuese e Drejtorisë Ekzekutive të ProCredit Bank 

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në vitin 2016?

Edhe viti 2016 është shoqëruar nga një situatë e vështirë e me problematika të ndryshme për sistemin bankar, të ndikuara nga ngjarjet dhe zhvillimet ekonomike-financiare si brendavendit ashtu edhe jashtë tij. Sistemi bankar vazhdon të shënojë tregues shumë të mirë në lidhje me likuiditetin dhe kapitalet, të cilët qëndrojnë në nivele shumë komforte mbi minimumet rregullatore, faktorë këta që garantojnë për një sistem bankar solid dhe të aftë për të përballuar rreziqe të mundshëm. Nga ana tjetër, situata e përfitueshmërisë së sistemit bankar është cenuar duke pasur një ulje krahasimisht me vitin paraardhës.

Rreziku më i pranishëm dhe domethënës që ndikon në mënyrë direkte situatën e sistemit bankar, vazhdon të jetë ai i kredive me probleme, i cili vazhdon të mbetet në nivele të larta.
Ngjarjet në lidhje me sigurinë fizike dëshmojnë për një rrezik të ri të shfaqur së fundmi në sistemin bankar, i cili ndikon jo vetëm përfitueshmërinë e bankave, por gjithashtu cenon dhe imazhin dhe reputacionin e tyre në publikun e gjerë.

Viti 2016 ka qenë dinamik dhe i suksesshëm për Bankën ProCredit. Ka qenë viti i konsolidimit të modelit tonë të ri të biznesit dhe fokusimit tek profili i klientëve tanë të synuar, në linjë me të cilat shkojnë edhe investimet e bëra në Zonat 24/7, në pjesën e imazhit dhe rrjetit të njësive të biznesit. Vazhdojmë të pozicionohemi si bankë inovative në treg, që nëpërmjet teknologjive të avancuara sjellim një frymë të re nëpërmjet zhvillimit të banking-ut elektronik, si për biznese ashtu edhe për individë. Më konkretisht, gjatë vitit 2016 kemi zbatuar depozitimin në ATM për monedhat LEK dhe EUR, duke qenë banka e parë dhe e vetme në treg, që ofron këtë shërbim. Gjithashtu gama e mundësive dhe shërbimeve në mënyrë elektronike është zgjeruar më tej, duke iu sjellë klientëve tanë mundësi të kryejnë shërbime bankare edhe jashtë orarit zyrtar të bankës, kurdo që është e favorshme për ta, 24 orë në 7 ditë të javës.

Gjithashtu përsa i përket kredidhënies, në një vit plot me sfida dhe ndryshime, banka ka arritur të mbajë një portofol me cilësi të mirë, gjë që na pozicionon në pozita shumë të mira dhe nën mesataren e tregut.

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2017?

Bazuar në pritshmëritë mbi rritjen ekonomike të vendit gjatë vitit 2017, si dhe vazhdueshmërinë e një politike monetare lehtësuese nga ana e Bankës së Shqipërisë, 2017-a pritet të jetë një vit pozitiv për sistemin bankar. Gjithsesi, bazuar dhe në përvojat e shkuara, si dhe në faktin që 2017 është një vit zgjedhor dhe me paqëndrueshmëri politike në vend, ekzistojnë rreziqe potenciale që rezultati final të mos jetë në linjë me pritshmëritë. Në radhë të parë duhet të ekzistojë një klimë e qetë dhe e favorshme për investitorët (vendas dhe të huaj), të cilët janë partnerët kyç për zhvillimin e mëtejshëm të aktivitetit kreditues, si një motor i gjenerimit të rritjes së sistemit bankar.

Fitch Ratings, në publikimin e raportit të saj, ka rritur vlerësimin për ProCredit Bank Shqipëri, në “B+”, duke dhënë një siguri shtesë mbi perspektivën e qëndrueshme afatgjatë për rrezikun afatgjatë të kreditit. Ky vlerësim bazohet në angazhimin dhe mbështetjen strategjike si të aksionerit ProCredit Holding (100%), ashtu edhe të institucioneve financiare ndërkombëtare, që janë aksionerët kryesorë të ProCredit Holding, të cilët ofrojnë bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje për kapital dhe likuiditet për ProCredit Holding si edhe bankat e grupit.
Për ProCredit Bank, 2017 do të jetë viti i konsolidimit të mëtejshëm të modelit të ri të biznesit, gjatë të cilit pritet të merren dhe frytet e përpjekjeve, punës dhe investimeve të bëra gjatë dy viteve të fundit. Kjo do të arrihet nëpërmjet forcimit të pozicionit tonë si bankë e fokusuar tek bizneset SME, duke ofruar partneritet dhe shërbim të plotë bankar për bizneset e konsoliduara dhe të suksesshme në Shqipëri, të cilët vlerësojnë dhe përqafojnë modelin tonë të biznesit. Gjithashtu edhe pjesëmarrja në Programin për Mbështetjen e Agrobiznesit, i prezantuar nga BERZH, do t’i mundësojë bankës sonë të rrisë huadhënien në këtë sektor, duke mbështetur financimin e agrobizneseve shqiptare. Si një bankë e specializuar për bizneset SME, ne jemi të përkushtuar të mbështesim investimet e reja dhe t’i ndihmojmë ata t’u përgjigjen sfidave dhe mundësojmë të investojnë në teknologji moderne, të ndërmarrin projekte të eficencës së energjisë, dhe të zgjerojnë pjesën e tyre të tregut. Ne i konsiderojmë këta si faktorë kyç për zhvillimin e qëndrueshëm, jo vetëm të bizneseve, por në mënyrë indirekte dhe ekonomisë ku ato operojnë.

Fokus të veçantë do të ketë mbajtja dhe forcimi i marrëdhënies me klientët individë, duke vazhduar të promovojmë kulturën e kursimit, si mënyra më e mirë për ndërtimin e aseteve familjare, si dhe promovimin e përdorimit të shërbimeve bankare elektronike.

Si e prisni ecurinë e kreditimit dhe NPL-ve për sistemin bankar dhe bankën tuaj në 2017-n në afatin e shkurtër dhe të mesëm dhe cilët janë faktorët kryesorë që do të ndikojnë për secilën?

Ashtu siç është shprehur në pikën paraardhëse, pritshmëritë për ecurinë e kreditimit janë pozitive, ashtu siç ishte planifikuar në planet e biznesit të bankës, por situata e brendshme dhe e jashtme e vendit është njëkohësisht komplekse dhe me shumë rreziqe që mund të ndikojnë në materializimin e pritshmërive për rritje të kreditimit.
Gjithashtu, pritshmëritë për ecurinë e kreditimit për bankën ProCredit janë pozitive, bazuar në fokusin që kemi në mbështetjen e bizneseve SME. Investimet inovatore në shërbimet bankare dhe financiare që ofrojmë janë një hap në drejtim të qëllimit afatgjatë për të ofruar të gjitha kushtet për të qenë banka partnere e tyre dhe për t’i mbështetur ato për t’u zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme.

Përsa u përket NPL-se së bankës, banka ProCredit ndër vite ka pasur një cilësi të mirë të portofolit të kredisë dhe përgjatë 2016ka vijuar të ketë një performancë më të mirë se sistemi bankar. Ecuria e cilësisë së portofolit ka qenë pozitive për fundin e vitit 2016 ku NPL për dhjetor 2016 ka rezultuar 11.7% kundrejt 18.2% të mesatares së sistemit bankar.

Për 2017, pritshmëritë janë për një përmirësim të mëtejshëm të cilësisë së portofolit të kredisë, e cila do të reflektohet edhe në NPL. Trendi i NPL për 3-mujorin e parë të vitit 2017 vazhdon të jetë pozitiv. Banka ProCredit vazhdon t’i kushtojë vëmendje të veçantë kredidhënies së përgjegjshme dhe mbështetjes së investimeve të bizneseve SME që operojnë kryesisht në fushën e prodhimit, shërbimit apo tregtisë. Për ne është shumë e rëndësishme që çdo klient të marrë shërbimin që i përshtatet më mirë nevojave të tij në përputhje, me kushtet dhe planin e investimit.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Sfidat e sistemit bankar janë të lidhura me ecurinë e përgjithshme të ekonomisë së brendshme dhe zhvillimin e prodhimit vendas, si themel për një zhvillim të qëndrueshëm. Një ecuri pozitive do të sillte impaktet e veta në rritjen/gjenerimin e kërkesës së re, si dhe uljen e nivelit të kredive me probleme. Gjithashtu, qëndrueshmëria e borxhit publik dhe situatës politike do të krijonin një klimë të përshtatshme përsa më lart.

monitor 777.inddFlet z. Bozhidar Todorov, drejtor ekzekutiv i First Investment Bank – Albania (FIBank – Albania)

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2016?

Sistemi bankar vazhdon të ketë ecuri të mirë dhe të menaxhojë shumë mirë sfidat me të cilat përballet. përgjithësi, sistemi bankar është ndër industritë më të stabilizuara dhe ka një nivel të lartë kapitali dhe likuiditeti.

Për Fibank Albania, 2016 ishte viti më i mirë që nga kur është e pranishme në Shqipëri dhe kjo ka qenë ecuria e këtyre viteve të fundit. Viti 2016 ishte më i miri për sa i përket përfitueshmërisë, duke u renditur ndër 5 bankat më të mira, pavarësisht madhësisë së Bankës sonë. Edhe tregues të tjerë të performancës siç janë kthyeshmëria nga aktivet dhe kapiteli patën të njëjtën ecuri pozitive dhe janë shumë më pozitive sesa mesatarja e sistemit bankar.

Ritmi i rritjes së kredive dhe depozitave vitin e kaluar ishte ndër më të lartët me 16% dhe 11% respektivisht. Çfarë e bën rritjen tonë edhe më domethënëse është edhe fakti që ne ruajtëm dhe përmirësuam raportet e kapitalit dhe likuiditetit.
Rezultatet pozitive u arritën pas përpjekjeve të bëra në drejtim të përmirësimit të shërbimeve dhe produkteve të ofruara.

Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2017?

Ne po shohim përpara dhe kemi pritshmëri për t’u rritur më tej dhe siç e kemi treguar i kemi mundësitë për t’u rritur shëndetshëm dhe me burimet e brendshme. Megjithatë Fibank Albania dhe grupi në të cilin ne bëjmë pjesë ka ambicie dhe ne do të konsiderojmë çdo blerje të mundshme të përshtatshme, e cila do të bëjë të mundur rritjen e konsiderueshme të pjesës se tregut të Fibank.

Sistemi bankar si industria më e mirërregulluar në Shqipëri ka treguar që është gati dhe se ka potencialin e nevojshëm për t’u zgjeruar dhe për të mbështetur rritjen ekonomike, pavarësisht nivelit të rrezikut të vendit, dhe do të vazhdojë përpjekjet edhe në vitin 2017.

Si e prisni ecurinë e huasë për bankën tuaj dhe sistemin bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm dhe faktorët kryesorë që do të ndikojnë në ecurinë e huadhënies?

Fibank Albania ka vendosur objektiva ambiciozë në terma afatshkurtër dhe afatmesëm dhe do të vazhdojë të jetë shumë aktive në huadhënie. Ne jemi ‘të uritur’ për të financuar projekte biznesi fitimprurëse dhe t’u ofrojmë produkte konkurruese dhe të dizenjuara sipas nevojave të klientëve që është bërë edhe veçoria jonë.
Sistemi bankar ka treguar që ka qëllim që të jetë aktiv në huadhënie dhe një shenjë e qartë janë ecuria në rënie e normave të interesit të ofruara nga të gjitha bankat, edhe pse disa banka janë më aktive se të tjerat ndër të cilat edhe Fibank Albania. Një tjetër tregues i rëndësishëm është niveli i kapitalit dhe i likuiditetit i të gjithë sistemit bankar, që dëshmon se Bankat jo vetëm kanë dëshirën por edhe të gjitha mundësitë e duhura për të dhënë kredi me norma interesi mjaft të favorshme.

Faktorët që ndikojnë në huadhënie varen shumë nga zhvillimi i Shqipërisë në përgjithësi dhe i ambientit të biznesit në veçanti. Reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare duken të jenë në rrugën e duhur dhe ka shenja që ekonomia e vendit po hyn në një kurbë rritëse, gjë e cila është shumë pozitive për të gjithë agjentët ekonomikë.

Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?

Në dy vitet e fundit, sistemi bankar ka përjetuar konkurrencë të lartë që është reflektuar në nivelet e ulëta historike të normave të interesit që bankat po ofrojnë. Në fakt, kjo ecuri e normave të interesit nuk reflekton nivelin e rrezikut të Shqipërisë dhe të ambientit të biznesit në vend. Megjithatë, ky është një tregues i potencialit të sistemit bankar.

Fibank Albania ka vendosur objektiva ambiciozë për rritjen e peshës së saj në Shqipëri dhe është vazhdimisht në kërkim të mundësive. Ne jemi duke shfrytëzuar avantazhin konkurrues që na jep fakti se jemi banka e vetme në Shqipëri, pjesë e një grupi bankar, që e njeh mirë tregun vendas si rezultat i të qenët një nga grupet më të mëdha me aksionerë vendas në rajon.

“Monitor”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button