Investimet mes dy vendeve janë të ulëta; Ja arsyet
Investimet, Shqipëria kryeson me pasuritë e paluajtshme dhe shërbimet financiare
Era Jashari, nga Dhoma Amerikane e Tregtisë së Kosovës, tha se sipas statistikave nga Banka Qendrore e Kosovës, investimet shqiptare në Kosovë në vitin 2016 ishin 28.6 milionë euro (12% e totalit), nga 40.1 milionë euro në 2015-n. Në total, investimet kumulative nga Shqipëria në Kosovë, nga viti 2007 kanë arritur në 193 milionë euro.
“Në vitin 2015, Shqipëria u rendit ndër pesë investitorët kryesorë të Kosovës, pas Zvicrës, Turqisë, Gjermanisë dhe Austrisë”, tha ajo. Gjithsesi, performanca e IHD-ve është e dobët dhe vendet e reja të hapura nga investimet e huaja janë në sektorët e patregtueshëm, kryesisht pasuria e paluajtshme.
Investimet nga Shqipëria, në bazë të aktivitetit ekonomik, në vitin 2016 ishin kryesisht në pasuritë e paluajtshme, ndërmjetësimin financiar, tregtinë me shumicë e pakicë dhe industri përpunuese. Në vite, investimet që kanë dominuar, sipas prezantimit të znj. Jashari kanë qenë në fushën e pasurive të paluajtshme-ndërtim dhe ndërmjetësimit financiar. Në periudhën 2013-2016, investimet në pasuri të paluajtshme dhe ndërtim ishin përkatësisht 28.1 dhe 23.6 milionë euro dhe në ndërmjetësimin financiar rreth 20.3 milionë euro.
Ndërsa investimet nga Kosova në Shqipëri, në vitin 2016, ishin 15.6 milionë euro. Vlera më e lartë e investimeve nga Shqipëria në Kosovë sesa anasjelltas ngre pikëpyetjen nëse klima e investimeve në Shqipëri është më jo favorizuese në raport me atë të Kosovës.
Për periudhën 2013-2016, investimet në pasuritë e paluajtshme nga Kosova në Shqipëri, që zënë peshën kryesore, ishin 23.8 milionë euro dhe në shërbime tregtare 7.2 milionë euro.
Nga Shqipëria në Kosovë ushtrojnë aktivitetin 903 biznese, ndërsa nga Kosova në Shqipëri rreth 600. Jashari tha se falimentimi i bizneseve nga Kosova në Shqipëri është një aktivitete normal, teksa ka një konkurrencë të lartë me bizneset greke e italiane.
Jashari shton se bizneset e Kosovës kanë më shumë probleme me lejet e ndërtimit dhe pagesën e taksave e tatimeve. “Investimet mes dy vendeve janë shumë më të ulëta se potenciali, pavarësisht përmirësimit të infrastrukturës”, tha znj.Jashari. Ajo shton se duhen përmirësuar procedurat doganore.
Avni Ponari, drejtues i kompanisë së sigurimeve Sigal thotë se edhe Kosova dhe Shqipëria kanë të njëjtën natyre, të njëjtën formë organizimi. “Industria e sigurimi sot, në të gjithë rajonin nuk është e zhvilluar. Sigurimet për frymë në Shqipëri janë 25 euro, në Kosovë 50 euro kurse në Kroaci 700 euro. Në Kosovë paguajmë një taksë për qarkullimin prej 5% dhe për shkak të kësaj takse, në Kosovë, sigurimet janë me humbje”, tha z.Ponari.
Ministri i Zhvillimit të Kosovës Blerand Stavileci tha se të dy vendet kanë varësi të lartë nga importet dhe industri jo të zhvilluar. Bizneset synojnë fitime afatshkurtra dhe të shpejta duke mos u përqendruar te industria prodhuese. “ Duhen lidhje infrastrukturore që ka shënuar përparime si në telekomunikacion, energji etj”, tha z.Stavileci.
Në lidhje me energjinë ai tha se kanë arritur marrëveshje me një kompani amerikane për të ndërtuar termocentralet me kapacitet 450 megavat. Ai u shpreh optimist në lidhje me funksionimin e bursës së energjisë.
Irena Beqiraj, këshilltare e kryeministrit Edi Rama për ekonominë tha se Ballkani Perëndimor deri në vitin 2015 ka pasur investime kryesisht në shërbime. Investitori i huaj kërkon stabilitet makro, forcë pune të kualifikuar, siguri pune, si dhe stabilitet politik dhe jo sherre etnike.
Sipas saj duhen unifikuar certifikatat dhe qeveria po punon për këtë.