Irak: Ramadi, qytet fantazmash
Dy javë pasi militantët e Shtetit Islamik pushtuan Ramadin, civilët e ngujuar brenda këtij qyteti irakian përballen me terror, vrasje masive dhe një krizë në rritje humanitare, thonë disa dëshmitarë të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë.
Një pjesë e madhe e popullatës civile të Ramadit ka ikur nga ky qytet menjëherë pasi Shteti Islamik morri kontrollin mbi të, më 17 maj. Më shumë se 17 mijë familje janë larguar nga ky qytet, nga data 15 deri më 29 maj, sipas të dhënave të publikuara nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim [IOM].
Por, nuk kanë arritur të gjithë të largohen prej andej. Disa mijëra civilë vazhdojnë të jetojnë ashtu siç munden në këtë qytet të kontrolluar nga IS-i, thotë Ra’ad al-Khashea, korrespondent i shërbimit irakian të Radios Evropa e Lirë në Anbar. Shumë nga ata që kanë mbetur prapa janë banorët më të varfër të qytetit, të cilët thjeshtë nuk kanë pasur mundësi financiare për t’u larguar me kohë. “Nuk ka kampe të sigurta për ta, ku do të mund të largoheshin dhe ata nuk kanë para për të marrë me qira shtëpi banimi diku tjetër”, thotë Khashea.
Po, si ëshë jeta në Ramadi sot, për ata që nuk kanë arritur të largohen, ndërkohë që janë dëshmitarë të vendosjes së një pushteti brutal nga Shteti Islamik?
“Ramadi tani duket si një qytet fantazmash. Vendi është braktisur nga familjet. Gratë po vriten, fëmijët po vriten, shtëpitë po digjen dhe plaçkiten”, thotë Muhammadi, një banor nga Ramadi, i cili ka arritur të largohet së fundmi nga ky qytet. Ata që kanë mbetur në Ramadi po përballen me interpretimin ekstrem të ligjeve të Shariatit, të cilat militantët e Shtetit Islamik i kanë vendosur menjëherë.
Duhanpirja është ndaluar gjithandej dhe të gjithë mashkujt janë të detyruar të shkojnë e të falen në xhami. Përjashtim bëjnë gratë dhe personat me aftësi të kufizuara, të cilëve u është mundësuar që ritet fetare t’i kryejnë në shtëpitë e tyre, thonë dëshmitarët. Dhe sikundër edhe në qytetet tjera të kontrolluara nga Shteti Islamik, Khashea thotë se të gjitha femrat, nga mosha shtatë vjeçare e tutje, janë të detyruara të mbulohen në tërësi, përfshirë këtu edhe fytyrën.
Grave në Ramadi u është ndaluar gjithashtu të dalin nga shtëpitë e tyre pa pasur një përcjellës të gjinisë mashkullore dhe dënimet për ata që thyejnë këto ligje janë të rënda. “Kushdo që përpiqet të denigrojë IS-in, në çfarëdo mënyre, dënohet me 80 rrahje me kamxhik”, thotë Khashea.
Që prej rënies së Ramadit nën kontrollin e Shtetit Islamik, qyteti është pothuajse tërësisht i bllokuar dhe kjo domethënë që kur furnizimet me ushqim pakësohen, banorët do të kenë vështirësi të jashtëzakonshme.
Bllokadën e bën më të pakapërcyeshme edhe fakti që përreth qytetit, forcat irakiane janë duke bërë përpjekje të rimarrin kontrollin mbi këtë qytet, duke luftuar me militantët e IS-it.
Janë disa rrugë dytësore të cilat mund të shfrytëzohen për furnizimet me ushqim, por edhe ato kontrollohen nga militantët e Shtetit Islamik. “IS-i ka mini agjenci të vogla, për tregti, industri dhe kontabilitet, të cilat merren me furnizimet ushqimore nga rajonet tjera të kontrolluara nga ky grup militant, dhe rrjedhimisht në këtë mënyrë ushtrojnë pushteti mbi banorët, të cilët kanë nevojë për ushim dhe ilaçe”, thotë gazetari Khashea. Sipas tij, pjesa më e madhe e lidershipit të këtij grupi në Ramadi janë luftëtarë të huaj, por natyrisht ka edhe irakianë. Luftëtarët e huaj janë gjithashtu të emëruar nëpër gjykatat e Shariatit të Shtetit Islamik, të cilat janë vendosur menjëherë në qytetin e pushtuar.