Kosova

Irakiani që e drejton OJQ’në financuese të Al-Kaida’së jeton në Kosovë me leje të refugjatit

abdu-rrezaq2Megjithëse drejton një organizatë e cila dikur e ka financuar Al-Kaida’në dhe megjithëse qe katër vite nuk ka leje qëndrimi nga Shteti i Kosovës, mjeku nga Iraku, Abdur Rrezaq po vazhdon të qëndrojë dhe të ndërtojë xhami si dhe të bëjë aktivitete ‘humanitare’ në Kosovë. Në MPB thonë se po merren me këtë rast, kurse mekanizmi që po ia mundëson qëndrimin në Kosovë- UNHCR’ja, nuk ka koment.
Abdur-Rrezaq nuk ka leje qëndrimi qe katër vite nga Shteti i Kosovës, por ai vazhdon të qëndrojë këtu. Organizata që ai drejton, “Al-Waqfu Al-Islami”, sipas një raporti ndërkombëtarë, e ka financuar Al-Kaida’në.

Por, fakti që Qeveria e Kosovës nuk i dha një leje qëndrimi nuk e ka penguar Abdur Rrezaqin që të vazhdojë ndërtimin e xhamive në Kosovë dhe aktivitetet në Kosovë. Ai po e përdor të drejtën që ia garanton UNHCR’ja.

Ai ka marr një status të tillë nga UNHCR’ja që në vitin 2002, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Kosovës, ky status i njihet deri më 10 korrik të këtij viti.

Express ka pritur për më shumë se një javë një përgjigje nga UNHCR’ja për këtë rast, por ky mekanizëm nuk ka dhënë komente.

Sipas Ligjit për Azilin në Kosovë, organi kompetent ose autoriteti përgjegjës për të vendosur për statusin e azilit është Departamenti për Shtetësi Azil dhe Migracion (Divizioni i Azilit) i MPB’së, dhe në këtë rast, ky divizion i MPB’së është duke u marrë që nga qershori i këtij viti dhe rasti është në rishqyrtim, thonë në MPB për Express.

Karshi lejes që i dha UNHCR’ja, Abdur Rrezaq kishte marrë edhe një leje qëndrimi në Qeverinë e Kosovës, e cila i skadoi në vitin 2010.

“Ndërsa sa i përket informatave nga Divizioni për të huaj brenda MPB-së “Abdur Rezaq, ka pasur leje qëndrimi deri në vitin 2010 dhe nga ajo kohë nuk ka bërë kërkesë për vazhdimin e leje qëndrimit”, thotë për Express Zyra për Informim e MPB’së.

Abdur Rrezaq është një irakian- mjek me profesion, që së paku dihet që në Kosovë ka ardhur rreth vitit 2002, afro një vit para se në këtë vend aziatik të binte regjimi i Sadam Husjenit dhe të zëvendësohej me pushtetin e shumicës shiite në Irak, Qeveri që për të tretin mandat tash po drejtohet nga Nuri Al-Maliki dhe tash është një shtet me një pjesë të konsiderueshem të territorit të okupuar nga organizatat terroriste- Shteti Islam i Irakut dhe Shamit (ISIS).

Express ka provuar që të vendos kontakt me Abdur Rrezaq dhe me organizatën që ai drejton ën Kosovë në kontaktet që ka pasur në dispozicion në regjistrin e OJQ’ve, por nuk ka arritur.

Rrezaq në Kosovë drejton organizatën “Al-Waqfu Al-Islami”, e cila, së paku në regjistrin e OJQ’ve deri në vitin 2012 nuk figuron si OJQ e regjistruar në Qeveri, por si një person fizik i një poliklinike me emrin “Mekka”.

Megjithëkëtë fakt, “Al-Waqfu Al-Islami” deri vonë ka pasur një zyrë publike në Kryeqytet derisa në Bashkësinë Islame të Kosovës nuk e kanë fshehur kurrë bashkëpunimin me këtë OJQ.

Express ka raportuar kohë më parë se fondacioni “Al Waqf Al Islami” haptazi akuzohet si përkrahëse e grupeve terroriste, por megjithëkëtë po vazhdon bashkëpunimin me BIK’un, bashkësia më e madhe fetare kosovare nga pesë sosh sa i njohin ligjet e vendit.

Kjo organizatë ka vite që ndërton xhamitë e BIK’ut, një bashkësi fetare që përfaqëson mbi 90 % të popullatës vendase dhe tash e më shumë se një dekadë ( në mënyrë të kontestuar nga oponenca e brendshme) drejtohet nga një ish-zëvendësministër i Hashim Thaçit, magjistri i shkencave islame, Naim Tërnava.

Së fundi fondacioni e “Al Waqf Al Islami” në një ceremoni publike e me mysafir nderi Naim Tërnavën ka përuruar investimet në “Xhaminë e Dëshmorëve” në Prizren, një qytet ku operon një nga imamët më kontrovers të vendit, Mazllëm Mazllëmi.

Në këtë ceremoni ishin drejtues të fondacionit “Al Waqf Al Islami” e Tërnava kishte marrë me vete edhe disa anëtarë të Kryesisë së BIK’ut.

Ndryshe, Në kablogramet e ambasadave amerikane në Maqedoni dhe Holandë thuhet se “Al Waqf Al Islami” përkrahë pjesëtarë të organizatave terroriste, ndërsa emri i një prej krijuesve të saj në Holandë ka dalë si pjesë e listës së 20 biznesmenëve arabë që e kanë financuar ”Al Kaida’në”.

Në Kosovë “Al Waqf Al Islami” është dhe në listën e organizatave të dyshuara për përhapje të ideve radikale fetare të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, por, çuditërisht, edhe si “person fizik” i një poliklinike me emrin “Mekka”- e regjistruar si OJQ në Qeverinë e Kosovë.

Në një kabllogram të Ambasadës Amerikane në Shkup të publikuar nga “WikiLeaks” thuhej se në “Maqedoni dhe rajon ka OJQ që ofrojnë përkrahje për individë që janë pjesë apo i simpatizojnë disa grupe terroriste. Këto OJQ përfshijnë Al Waqf Al Islami, Al Haramein, Bamirësia dhe të tjera”.

Derisa në Kosovë udhëheqësi i kësaj organizate Abdur Rozzaq, ndërsa një nga udhëheqësit kryesor të saj në qendër, Ahmad Al Hussaini në Eindhoven të Holandës, ku ishte krijuar kjo organizatë, ka qenë një nga 20 biznesmenët më të mëdhenj arabë që e kanë financuar organizatën më të madhe terroriste në botë, “Al-kaida”.

Këtë e thotë edhe raporti kompanisë amerikane, JCB Concuslting, e cila nga familjet e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit në SHBA ishte kontraktuar që të gjej ata që financojnë organizatën e cila deri vonë është udhëhequr nga Osama bin Laden, derisa grupet e krijuara nga kjo organizatë tash kanë nisur krijimin e të ashtuquajturit “trekëndëshi i sunitëve” në Irak e Siri.

“Al-Kaida” ka krijuar grupe si Shteti Islam i Irakut dhe Shamit (ISIS apo ISIL) e fronit “Xhabhatu Al-Nusr”, organizata për të cilat Express ka raportuar që kanë në gjirin e tyre, deri në komandantë, shqiptarë nga Kosova.

Në Bullgari, udhëheqësi i Al Waqf Al Islami në këtë shtet ishte arrestuar në fshatin Sarnitsa në qytetin jugor Pazardzhik, me dyshimin se aktivitetet e kësaj organizate janë “kërcënim serioz për sigurinë e Bullgarisë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button