Te ndryshme

Ishujt Falkland – shkëmbinjtë ku strehohet krenaria angleze!

Ronald Reagan dukej se nuk po kuptonte dot se ç’po ndodhte dhe bashkësia ndërkombëtare po shfaqej e paaftë për të zgjidhur konfliktin. Para 33 vjetësh, junta argjentinase pushtoi ishujt Falkland dhe Mbretëria e Bashkuar reagoi ngadhënjyese edhe një herë me forcën ushtarake të një perandorie. Lufta e 74 ditëve, edhe sot e kësaj dite, ka lënë pasojat e veta në marrëdhëniet mes dy vendeve

falklands_2247938b33 vjet nga beteja mes Argjentinës e Britanisë për arkipelagun e ishujve Malvine

Ndërsa dukej se ishte harruar, debati mbi ta po rindizet me forcë. Sipas tabloidit anglez, “The Sun”, ministri britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon, në ditët e fundit të marsit tha se shpejt do të shpallte masat që Londra ka marrë për të rritur sigurinë në ishujt Falkland, për shkak të një raporti mbi sigurinë, ku thuhet se Argjentina mund të nisë ofensivë, pasi ka nënshkruar një marrëveshje me Rusinë, sipas së cilës do të furnizohet me avionë luftarakë rusë.

Por çfarë janë ishujt Falkland dhe cili është vendi që ata zënë për Londrën dhe Buenos Airesin. Si nis historia dhe përse ata marrin herë pas here një rëndësi të veçantë për të dyja vendet?

Në fakt, duhej të ishte një shenjë e pajtimit: nafta e gjetur para brigjeve të ishujve Falkland, fillimisht u mendua të ndahej së bashku me Britaninë e Madhe. Por Argjentina hoqi dorë nga projekti. Londra ndërmori “hapa të pamatur në zonat e territoreve të diskutueshme”, arsyetoi ministri i Jashtëm argjentinas, Jorge Taiana, vendimin. Ndërkohë, duket se plagët e luftës mes të dyja vendeve akoma nuk janë shëruar. Argjentina është plagosur rëndë.

Kanë kaluar plot 33 vite që prej asaj kohe, kur grupi i vogël i ishujve në Atlantikun Jugor bëri që të tunden “telat e politikës botërore”.

Më 2 prill 1982, qindra ushtarë argjentinas në ishujt britanikë Falkland pushtuan të vetmin qytet, Port Stanley, dhe shumë shpejt bënë të mundur që njësia ushtarake modeste britanike e instaluar në ishull, e cila përbëhej prej 80 vetash, të kapitullonte pa kushte.

Përplasje me pasoja të pamenduara

Me goditjen e papritur argjentinase, gjeneral Leopoldo Galtieri dëshironte të trembte e të bënte të mendohej dy herë ish-pushtetin kolonial, si dhe në të njëjtën kohë, me një spektakël të heroizmit patriotik, të bënte për vete popullin, ndërsa bashkësisë ndërkombëtare t’i bënte gjithashtu të qartë se “Malvinet”, siç quhen në emërtimin që ishujt Falkland kanë në Argjentinë, na përkasin ne.

Pamjet filmike që përcilleshin nga stacionet televizive asokohe tregonin se si me mijëra veta në rrugët e Buenos Airesit kërcenin përpjetë nga gëzimi dhe privimet që u kishte bërë nënshtetasve junta ushtarake në aspektin politik, ekonomik, e atë të të drejtave të njeriut – kur kish ardhur në pushtet me anë të një grushti shteti gjashtë vjet më parë – në pamje të parë dukej se u harruan. Ai që vlente për momentin ishte vetëm fronti. Ai kishte fokusuar gjithçka.

Në teori, argjentinasit kishin dy avantazhe: së pari, një aftësi më të përmirësuar për mbrojtje, duke kapur pika kyçe në afërsi të territorit të tyre kontinental. Dhe e dyta, përse (ky kalkulim vinte së pari nga ana e gjeneral Galtierit) duhej që britanikët të bëheshin copash për një rrip ishujsh, ku banorët numëroheshin me gishtat e dorës, e që ndodhej për më tepër 8000 milje larg vendit të tyre, të vendosur atje në Atlantikun e Jugut? Në aspektin strategjik, ata ishuj dukeshin se ishin fare pa vlerë.

Por krenaria kombëtare britanike, duket se u la jashtë në llogaritë e argjentinasve, të cilët sigurisht i vunë në plan të parë kundërshtarët e tyre në krahun tjetër të botës. Kryeministrja britanike asokohe, Margaret Thatcher, duhej të përballej me një gjendje politike shumë të rënduar në vend.

Papunësia kishte arritur një nivel prej tre milionësh dhe popullariteti i së ashtuquajturës “Zonja e hekurt”, po i afrohej greminës dhe një konflikt në politikën e jashtme, i ndezur edhe më shumë nga një ndërhyrje e papritur armiqësore, asaj duket se i erdhi si me porosi. Në vend që të zbutej e të zgjidhte rrugën diplomatike, siç mund të mendonte shumëkush në atë kohë, duke pasur parasysh gjendjen e brendshme në Britani, ajo nuk përtoi të tregonte me forcë muskujt e “perandorisë”, duke dërguar luftanijet me ushtarë në drejtim të Patagonisë së largët.

Ajo çka pasoi në javët që erdhën, ishte një patriotizëm me tone të larta dhe retorika marciale e luftës. Mbretëria e Bashkuar u mobilizua me të gjitha instinktet e saj mbrojtëse, që deri në atë kohë lëvizjet paqësore e ato diplomatike kishin bërë që të ngeleshin në hije e të mos u njiheshin kapacitetet. Shtypi nisi të fliste për beteja të fituara sa hap e mbyll sytë e suksese të padiskutueshme dhe ku zjarri armik shuhej me forcën e krenarisë angleze.

Poshtë logos së gazetës së një të përditshmeje asokohe, më konkretisht thuhej: “‘The Sun’, gazeta që u rri përkrah djemve tanë në front”. Ndërkohë, “Daily Express” i bënte elozhe shefes së kabinetit, Thatcher, në maj të 1982-shit, duke shkruar: “Ajo personifikon kombinacionin unikal të ndërhyrjes energjike dhe nuhatjes e vendosmërisë për të vepruar; nuhatjes kur sheh se diçka po shkon keq dhe energjisë për t’i rezistuar e fundosur këtë të keqe”.

Anglia zhytet në një aventurë lufte

Me javë të tëra, një përshkallëzim i konfliktit u shpalos në sytë e opinionit publik mbarëbotëror, pa i dhënë këtij të fundit madje as mundësinë të bënte diçka për ta zgjidhur problemin me diplomaci. I habitur, ish-presidenti amerikan asokohe, Ronald Reagan, pyeste veten dhe të tjerët se si ka mundësi që dy shtete të hynin në konflikt për “ca ishuj shkëmbi e akulli”.

Në orët e para të mëngjesit të 21 majit 1982, kur flota pushtuese britanike nisi zbarkimin e ushtarëve të saj të parë në ishujt Falkland, tashmë ishte më se e qartë se Anglia ishte e vendosur të rimerrte kontrollin në ishujt Falkland, të cilat ata i pretendonin qysh nga viti i largët 1833.

Me nëndetëse me mbushje bërthamore dhe me një arsenal gjigant raketash e topash, hesapeve me Argjentinën ishte menduar t’i jepej kësisoj fund sa më parë. Mjaftuan vetëm tri goditje, për të mbytur në ujërat e ftohta të Atlantikut të Jugut, kryqëzorin argjentinas, tashmë shumë të vjetruar, “Belgrano” dhe së bashku me të, edhe rreth 350 anëtarët e tij, duke fundosur kështu edhe krenarinë e manifestuar, me ç’duket, para kohe të vendit të tyre.

Nën presion të plotë dhe të gjendur në kushtet e një ndjenje në rritje turpi, trupat argjentinase kapitulluan më në fund pas 74 ditësh luftë, më 14 qershor 1982. Bilanci: rreth 650 argjentinas e më shumë se 250 britanikë mbetën të vrarë, me mijëra u plagosën. Dhe Britania e Madhe besoi se kishte rizbuluar kështu “shpirtin e saj” në Atlantikun Jugor.

Hija e “Luftës së Malvineve” 

Deri më sot, “Lufta e Malvineve” i ka rënduar vazhdimisht marrëdhëniet mes dy shteteve të përfshira dikur në atë konflikt, edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë qëkurse ai ndodhi. Edhe sot e kësaj dite, 33 vjet pas përpjekjes për të marrë sërish nën zotërim ata ishuj, Argjentina akoma e pretendon këtë arkipelag për vete dhe e mendon si një të drejtë të patjetërsueshme të sajën kontrollin mbi to.

Po britanikët? Ata akoma janë të bindur se lufta nuk ishte një aventurë fatale, por një derivat i politikës së zgjuar të jashtme angleze, të dirigjuar nga “Zonja e hekurt”. “Unë nuk kam asnjë dyshim se ajo luftë ishte diçka plotësisht e justifikuar”, pati deklaruar vite më parë Kryeministri britanik, Toni Bler, në Londër, ndërsa shënohej 25-vjetori i konfliktit që tashmë ka hyrë padyshim në analet e historisë botërore.

Por pozicione të tjera pajtuese, pacifiste e kundërshtuese, sigurisht që e shohin me një sy tjetër atë hap të ndërmarrë nga “Zonja e hekurt” asokohe, kërkojnë medoemos një rivlerësim të tij nën dritën e realiteteve të reja. Por askush nuk di të thotë me siguri nëse ia vlejti që me të vërtetë për një grusht shkëmbinjsh e blloqe akulli të shuheshin qindra jetë?!

Përgatiti: Armand Plaka

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button