ISIS dhe rreziku i Ballkanit, ekspertët: Produkt mediatik
Përgjatë këtyre ditëve, agjencia e lajmeve “Deutsche Welle” i ka kushtuar disa artikuj rrezikut që i kanoset Ballkanit prej xhihadistëve, por më i fundit prej tyre analizon mundësinë e një kthimi të rajonit në portë sulmi për ISIS.
Historia ballkanike e 100-vjeçarit të fundit është një kronologji e vetme e shtypjes së myslimanëve, citohet të kenë thënë eksponentë të lartë të grupit më të dhunshëm ekstremist të momentit.
Sipas tyre, rrugëdalja e vetme në luftën kundër komunistëve, të ashtuquajturve “kryqëzorë” ose “hebrej”, vetëkuptohet që është xhihadi.
Në një video të prodhuar me kujdes, myslimanëve të Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë u bëhet thirrje të vrasin fqinjin “e pafe”.
“Vendosni lëndë shpërthyese nën automjetet dhe shtëpitë e tyre. Hidhni helm në ushqimin e tyre, lërini të ngordhin”, thërriste një i ri me mjekër në gjuhën boshnjake.
Terroristëve në video madje u kishin vënë edhe nofka, të cilat kanë të bëjnë me origjinën e tyre si: Al-Bosni, Al-Albani, Al-Kosovi. Por, paralajmërimet e tyre janë teprime apo realiste? – shtron pyetjen “DW”.
Për çdo rast, një objektiv të parë propaganda e Shtetit Islamik e arriti. Për ditë të tëra, mediat rajonale raportuan të gjitha se ISIS e ka vendosur Ballkanin në shënjestër.
Të tilla raportime kritikohen nga eksperti boshnjak i terrorizmit, Vlado Azinoviç, i cili pretendon se ato janë të dobishme për ekstremistët.
“Vetëm në Twitter, ISIS publikon çdo javë mbi 200 mijë lajme të shkurtra. Të gjitha përmbajnë kërcënime të tilla në gjuhë të ndryshme. Prandaj është gabim të besosh se ISIS e ka mendjen thjesht në Ballkan”, citohet ai.
Teorinë se pikërisht Ballkani paraqet një portë invazioni për xhihadistët, eksperti i terrorizmit e shikon si produkt mediatik dhe shprehje të “histerisë”.