IT Oil shitet për 10 milionë euro te një kompani e huaj, Tamm Oil Trading
Operatori me shumicë i naftës, I.S.C. Petroleum Company (emri tregtar “IT OIL International”) është shitur te një kompani e huaj, me emrin “Tamm Oil Trading”. Transaksioni është regjistruar në QKR pak kohë më parë. Sipas të dhënave të transaksionit, “Tamm Oil Trading” është e regjistruar në Vjenë, dhe është e përfaqësuar nga Dr. Hans Jorg Tamm. Nga marrëveshja e shitjes rezulton se blerësi ka rënë dakord të paguajë 10 milionë euro shitësin, që duhet të shlyhet brenda 7 vitesh.
I.S.C. Petroleum (IT Oil) është krijuar në vitin 2011, sipas ekstraktit të QKR-së, dhe mori në 2013-n, aktivitetin e Taçi Oil International, pasi aksionerët e kësaj të fundit, në një marrëveshjeje shitjeje të kompanisë tjetër në pronësi të tyre, A.R.M.O, në gusht 2013, u ndaluan të merreshin me aktivitetin e tregtimit të karburanteve.
Që nga viti 2011 kur është krijuar, I.S.C. Petroleum ka ndryshuar disa herë pronar. Fillimisht aksioner ishte Irgen Selfo. Në mes të vitit 2015, E.B.C. OIL Company, një kompani e krijuar në vitin 2011 dhe në pronësi 100% të Elton Balliut bleu 100% të aksioneve të kompanisë. Më pas shoqëria kaloi në duart e Tamm Oil Trading dhe u bë ndërrimi i pronësisë nga shqiptare në të huaj.
Për vitin 2014, kompania raportoi një xhiro vjetore prej 5.8 miliardë lekësh (rreth 41 milionë euro), nga 1.9 miliardë lekë vitin e mëparshëm, ndërsa fitimi për 2014 ishte 47 milionë lekë (rreth 335 mijë euro).
Në bilanc rezulton që I.S.C. Petroleum ka rreth 1.3 miliardë lekë detyrime ndaj të tjerëve, nga të cilat pjesën më të madhe e ka ndaj Kuarta shpk dhe Taçi Oil International, konkretisht 879 milionë lekë dhe 236 milionë lekë.
Nafta është sektori që ka lëvizjet më të mëdha në Shqipëri, me mbyllje të kompanive, apo rritje stratosferike të tyre brenda një periudhe të shkurtër kohore. 2014-a ka shënuar një numër rekord kompanish (një pjesë të krijuara në tetor 2013), që janë rritur ndjeshëm, pas daljes nga tregu të Taçi Oil në mesin e 2013-s.
Operatorët e tregut pohojnë se tregu i naftës ka luhatje shumë të mëdha, duke qenë dhe sektori që ka më shumë falimentime.
Nga ana tjetër, ka shumë sipërmarrje, që hyjnë në treg, ndërkohë që mungon kontrolli dhe informaliteti është shumë i lartë. Edhe Autoriteti i Konkurrencës e ka pohuar këtë prirje të luhatshmërisë së madhe të tregut në një hetim për tregun e karburanteve, duke kërkuar “ndërtimin e instrumenteve për të kontrolluar hyrjet dhe daljet e shpeshta brenda vitit financiar të ndërmarrjeve që operojnë në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve, të cilët gjenerojnë konkurrencë të pandershme”.