Te ndryshme

Jeta brenda mureve të qyteteve më të fortifikuara në botë

Mure të mëdha masive prej guri ishin dikur vija e fundit mbrojtëse e qyteteve të lashta. Ato ishin struktura që mbronin banorët nga armiqtë e jashtëm. Përgjatë viteve, shumë prej mureve janë shembur, por ato që kanë mbetur vazhdojnë të mbrojnë një stil jetese për banorët, duke u ofruar atyre vlerësimin e përditshëm të historisë dhe duke influencuar aspekte të ndryshme të jetës, nga siguria, te trafiku dhe turistët.

Bisedat me banorët e disa nga zonave më të njohura në botë, të gjitha nën mbrojtjen e UNESCO-s, si vlera të Trashëgimisë Kulturore Botërore.

Dubrovniku, Kroaci

I bekuar me vendndodhjen buzë detit dhe aksesin e lehtë në aeroport, qyteti mesdhetar i Dubrovnikut është bërë edhe më i famshëm në vitet e fundit pas përfshirjes në serialin televiziv Game of thrones. Muret mesjetare që vazhdojnë për rreth dy kilometra në Qytetin e Vjetër datojnë në shekullin e 16. Rrugët vetëm për këmbësorët kanë ndihmuar në ruajtjen e atmosferës historike. Fluksi i turistëve të nxitur nga Hollivudi, sipas banores Maja Miloviçiç, ka shtyrë shumë vendas t’i japin shtëpitë e tyre me qira te vizitorët.

“Fëmijët që rriten në Qytetin e Vjetër kanë respekt për historinë dhe monumentet. Qyteti i mëson atyre ç’është e bukura dhe harmonia në arkitekturë, gjë që është e ardhmja e këtij qyteti dhe brezave të tjerë”, thotë ajo.

Muret po ashtu ofrojnë një ndjesi komuniteti. “Shumë familje të reja me fëmijë kthehen këtu, sepse i duket më e sigurt dhe më miqësore për fëmijët e tyre dhe rreziqet që mund t’u kanosen atyre”, shton Miloviçiç.

Jerusalemi

Ndonëse muret që rrethojnë Qytetin e Vjetër sot janë ndërtuar në vitet 1500, guri e ka rrethuar këtë vend që nga kohët biblike. “Ndjesia e lashtësisë – edhe jashtë mureve – është shumë e pranishme në ndërtesat e vjetra me gurë, në emrat e rrugëve dhe kudo tjetër”, shkruan Liz Cohen për eksperiencën në Jerusalem.

Ndonëse disa besojnë se këtu ka një tension politik, jeta brenda qytetit, duket se ta ndryshon këtë perspektivë. Cohen, një vendase, e përshkruan jetën e përditshme të qetë, të thjeshtë dhe miqësore. Jeta moderne zhvillohet normalisht brenda mureve të lashta, të cilat kanë një të shkuar të famshme dhe një të ardhme të begatë.

Avila, Spanjë

Muret e Avilës u ndërtuan në shekullin e 12 për të mbrojtur banorët nga konfliktet midis mbretërive Kastile dhe Leon që ishin në luftë. Rreth 1000 vjet më vonë, ato vazhdojnë të rrethojnë qytetin e ruajtur mrekullisht, që është i mbushur me kisha të stilit roman dhe gotik. “Efekti është sikur të jetosh në një përrallë mesjetare”, thotë Carolina Ares, një vendase. “Është magjike”.

Qyteti i vjetër është miqësor, me një ritëm të qetë. Banorët janë kryesisht të vjetër, ndërsa ka shumë aktivitete kulturore dhe letrare që i shkojnë për shtat historisë së vendit. Të rinjtë popullojnë më tepër pjesën jugore të qytetit, e cila është më moderne.

Kartagjena, Kolumbi

Në anën tjetër të botës dhe qindra vite më vonë, Spanja ndërtoi një tjetër grumbull muresh. Qyteti portual i Karaibeve, Kartagjena, provoi se ishte një vend i rëndësishëm për Spanjën. Si anglezët, ashtu dhe francezët, e sulmuan qytetin, por spanjollët shpenzuan miliona realë për të ofruar mbrojtje në kohën e piratëve në shekullin 18. Themelet e mureve dhe fortesave të tij, qëndrojnë ende në këmbë edhe sot e kësaj dite.

“Të jetosh në Qytetin e Vjetër është sikur të jesh pjesë në një skenë xhirimi filmash”, thotë Silvia Tcherassi, stiluese dhe pronare e një hoteli në vend. Ndërtesat e reja kombinohen bukur me muret e vjetra. Sipas Tcherassit, Kartagjena është një qytet i vërtetë karaibian.

Karkasone (Carcassonne), Francë

Nëse jetoni në një qytet që rrethohet nga mure tre kilometra, atëherë nuk keni zgjidhje tjetër veçse t’i hyni historisë. “Të bën të mendosh rreth jetës qindra vite më parë, aftësive të artizanëve që ndërtuan shtëpitë, muret dhe çdo gjë tjetër në atë kohë”, thotë australiani Jacqui Boulter që jeton në qytet që prej vitit 2013.

Vetë qyteti ka më pak se 50 familje të përhershme, por mbi katër milionë turistë e vizitojnë atë çdo vit. “Shumica e turistëve nuk e dinë se ka njerëz që jetojnë këtu”, thotë Boulter. “Ata mendojnë se është vetëm për turizëm”.

Jeta bëhet e vështirë brenda mureve të lashta, pasi bankat dhe zyrat e postës mbyllen dhe trafiku bëhet i padurueshëm prej mbipopullimit veror. Por dimri i bën bashkë banorët, të cilët mbështesin njëri-tjetrin dhe i kthejnë sytë nga historia si emëruesi i tyre i përbashkët.

*Burimi: BBC.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button