Kosova

Kadri Veseli: “Asosacioni nuk cënon sovranitetin e Republikës së Kosovës”

Kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, flet për DW mbi demarkacionin me Malin e Zi, bashkësinë e komunave serbe, dialogun me Serbinë, Gjykatën Speciale dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.

DW: Zoti Veseli, po e nis këtë intervistë me zhvillimet aktuale, koalicioni qeverisës nuk po mund të arrijë një konsensus të gjerë rreth çështjeve madhore, siç janë demarkacioni dhe asociacioni i komunave me shumicë serbe. Meqenëse kjo nuk po arrihet mendoni se vendi duhet të shkojë në zgjedhje te parakohshme?

Kadri Veseli: Koalicioni është stabil, lista Serpska është e vërtetë që ka një kohë që nuk është duke ardhur në kuvendin e Kosovës dhe për çështjen për të cilën ju i referoheni demarkacionit duhen dy të tretat e votave, por sidoqoftë ne do të vazhdojmë që të përçojmë mesazhin tek qytetaret e Kosovës, se duhet më tëpër zhvillim, më tepër angazhim për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe t’u ikim temave që ka për qëllim politizimin dhe egon e pushtetit për arsye se Kosova në këtë fazë ka më së shumti nevojë për një perspektive ekonomike.

E përmendet listën Serpska, tashmë ky subjekt politik po vazhdon ta bojkotojë parlamentin dhe qeverinë, jeni takuar me ta, mendoni se ata po kërkojnë ndonjë kompromis?

Po ne jemi takuar me ta dhe vazhdimisht takohemi, ky subjekt politik ka qenë konstruktiv gjatë punës së tij, por sido që të jetë vendimi i tyre është marrë nga ata, ne e respektojmë vendimin e tyre, por, zyrtarisht ata nuk po marrin pjesë në punimet e kuvendit të Kosovës.

Cilat janë kushtet që ata po kërkojnë që të kthehen në parlament, shumë zhvillime po varen nga vota e tyre?

Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk mund të ketë kushtëzime sepse shumica parlamentare vepron me 60 deputet dhe kjo shumicë parlamentare ka 89 deputetë, ku 11 janë nga lista Serpska dhe këtu ka një koncesus të plotë për vendimet që duhet të merren me një shumicë të thjeshtë. Sidoqoftë, unë mendoj se do të ketë reflektim nga lista “Serpska” dhe ata do të vijnë në punimet e kuvendit, por kushtëzime në Republikën e Kosovës nuk mund të bëjë askush.

Po çfarë po bëhet me çështjen e demarkacionit, ky tashmë është vënë kusht nga Komisioni Evropian, që duhet ratifikuar për çështjen e liberalizimit të vizave. Ju ditë më parë u deklaruat se do të kërkoni nga Mali i Zi që t’i shkruajë letër Komisionit Evropian dhe ta theksojë që Mali i Zi dhe Kosova nuk ka probleme me shënimin e vijës kufitare. Por, a mendoni se mjafton një gatishmëri e Malit të Zi, që të bindet Komisioni Evropian?

Është e rëndësishme që me Malin e Zi ne kemi raporte fqinjësore jashtëzakonisht të mira, kemi edhe kontakte politike si lidership dhe të gjitha mesazhet që i marrim nga koleget e Malit të Zi janë mesazhe shumë pozitive. Çështja e demarkacionit, nuk mundet dhe nuk duhet të jetë mollë sherri ndërmjet dy vendeve, përkundrazi ne do ta tejkalojmë këtë sfidë, ne do të bëjmë shënimin e kufirit, për arsye se është në interesin e qytetarëve dhe është në interes të sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe veçanërisht kur kemi të bëjmë me një kusht që i është vënë Kosovës nga Komisioni Evropian, që Kosova ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi. Ne besojmë se kushti është paksa i tepruar, se ne kemi raporte të Mira me Malin e Zi, dhe lidershipi i këtij shteti e ka një qëndrim të vetin, nuk flas në emër të tyre, por ata nuk kanë dëshirë që Kosova të ndëshkohet për një çështje ndërkohë që Kosova ka raporte të mira me ta. Kjo është e tëra.

Keni biseduar ju personalisht me lidershipin e Malit të Zi, se si të zgjidhet ky problem dhe të dy vendet të ecin përpara, sepse, edhe Mali i Zi së shpejti pritet të jetë pjesë e NATO-s?

Situata zgjedhore dhe pas zgjedhore në Mal të Zi, neve udhëheqësve të institucioneve të Kosovës na i ka vështirësuar pak kontaktet dhe do të duhej një qëndrim që do të ishte më preciz nga ana e Malit të Zi rreth këtyre çështjeve, por me lejoni të theksoj Kosova do të përmbushë sovranitetin e vet përmes shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi dhe kjo është çështje kohë. Nuk kemi probleme, që na ndajnë me Malin e Zi pavarësisht që ende për çështjen e demarkacionit veçanërisht opozita jonë ka një qëndrim që është kontestues ndaj kësaj çfarë kemi nënshkruar dhe unë besoj që me konsolidimin e qeverisë në Mal të Zi do të kemi qartësim edhe më të madh të kësaj situate, por mos të ketë dyshim dikush që Kosova nuk do ta përfundojë këtë çështje. Kjo është çështje e cila do të përfundojë, Mali i Zi është partner i yni, Mali i Zi i ka orientimet euroatlantike dhe ne jemi në të njëjtën anije të përbashkët politike dhe strategjike.

Të kthehemi te dialogu me Serbinë, dy ditë më parë u arrit marrëveshja për kodin telefonik, pas gjashtë vjet bisedime, ka edhe një serë marrëveshjesh të tjera që janë arritur, por disa nga to nuk po gjejnë zbatim. Mendoni se ky format i dialogut me Serbinë duhet të vazhdojë kështu, apo duhet ndryshuar formati në mënyrë që dialogu të jetë më i efektshëm?

Në princip dialogu ndërmjet fqinjëve duhet të vazhdojë aq më tepër me një shtet që ka pretendime të padrejta ndaj Republikës sonë edhe pse me ndërmjetësimin e BE-së. Ne do ta vazhdojmë këtë dialog teknik, sepse janë çështje të cilat kanë të bëjnë me interesin qytetar dhe strategjik të Kosovës, ne duhet ta pranojmë edhe një fakt, ka rezistencë e cila shihet qartë veçanërisht nga ana e Serbisë në implementimin e disa marrëveshjeve që janë të rëndësishme. Është mirë nënshkrimi i marrëveshjes për kodin telefonik, është pozitive dhe duhet të mbahet çështja e lëvizjes së lirë që në fakt është një turp që akoma mbahen barrikada të ndryshme në shekullin e 21-të në kufij për lëvizjen e lirë të qytetarëve, në një Evropë e cila synon bashkimin. Por ajo çfarë do të ishte edhe më e rëndësishme, të intensifikohet dialogu dhe në të njejtën kohë dialogu t’i shërbente interesave tona të përbashkëta si dy vende të pavarura dhe sovrane dhe mos të ishte vetëm një lloj karrote për përfitimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Këtu besoj ne jemi shumë të qartë, ne jemi shtet i pavarur dhe sovran do të mbrojmë të gjitha politikat tona përgjegjëse për interesin e qytetarëve tanë, por në të njëjtën kohë do të vazhdojmë dialogun.

Kur e thatë interesin reciprok, në opinionin kosovar është krijuar përshtypja që nga ky dialog po përfiton vetëm Serbia. Si e shihni ju marrëveshjen e fundit për kodin telefonik. E shihni si kthim të Serbisë në Kosovë, apo realizim të interesave të Kosovës?

Veseli: Këtë e shoh si një hap drejt forcimit të shtetësisë së Kosovës. Ta keni parasysh mjafton edhe për një fëmijë ta dijë se kur ta sjell prefiksin 383 kjo është një gjë shumë e mirë dhe është diçka të cilën nuk e ka Serbia. Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran, nuk ka kthim prapa për këtë duhet të ecim bashkërisht. Ajo që është kryesore është të ecim në fushën e zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve. Edhe njëherë dua ta ritheksoj, çështja e sovranitetit tonë është një çështje që e ka legjitimitetin dhe buron nga rrënjët e dëshirës, vullnetit dhe qëllimit të popullit.

Zoti Veseli, ndihen institucionet e Kosovës në presion nga bashkësia ndërkombëtare që ta themelojnë asociacionin e komunave me shumicë serbe, kjo kërkesë u përsërit edhe nga komisioneri i BE-së për zgjerim Johanes Hahn, i cili ishte për vizitë në Kosovë?

Aspak. Ky është një obligim ndërkombëtar i Kosovës, i cili rrjedh nga vet shtetësia e Kosovës dhe ne do ta kryejmë asociacionin e komunave, por ajo që është kryesore, kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës – të jenë të sigurt qytetarët tanë – nuk do të cënohet në asnjë mënyrë. Ne vetëm do ta forcojmë sovranitetin tonë. Serbët dhe integrimi i tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, respektimi i stemës, respektimi i flamurit, respektimi i ligjeve të Kosovës në komunat serbe është në interes të vet shtetit të Kosovës.

Do të thotë ju nuk keni frikë nga ndarja në vija etnike nga asociacioni i komunave me shumicë serbe?

As nuk do ta lejojmë të ndodhë dhe as nuk do të ndodhë. Ne jemi duke punuar drejt integrimit të vendit tonë, keni parasysh situatën pas vitit 1999, ne kemi një lëvizje më të lirshme në pjesën veriore të Kosovës, kemi një situatë më të mirë komunikimi ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në të gjitha hapësirat e Republikës së Kosovës. Nuk kemi probleme ndërmjet vete, duhet të ecim përpara, muret nuk krijojnë integrim, muret krijojnë ndasi dhe konflikte. Ne do t’i integrojmë qytetarët tanë dhe ta keni parasysh çdo komunikim ka të bëjë me qytetarët tanë, ndërsa, sa i përket çështjes me Republikën e Serbisë, ne i kemi ndarë gjërat më 12 qershor 1999.

Zoti Veseli, një çështje për të cilën dua të flas është Gjykata Speciale. Ditë më parë ishte në Kosovë kryeprokurori i kësaj gjykate, i cili heton pjesëtarë të UÇK-së të dyshuar për krime lufte. Në të njëjtën kohë, në Kosovë po zhvillohen procese gjyqësore të udhëhequra nga gjyqtarë të EULEX-it, po ashtu për krime lufte, ku disa bashkëluftëtarët tuaj po gjykohen dhe dënohen për krime lufte. Disa herë nga udhëheqës politik kosovar është thënë që UÇK-ja është  target. Pra mendoni se Gjykata Speciale dhe gjykimet nga EULEX-i për krime lufte kanë ardhur si pasojë që institucionet  Kosovare të drejtësisë nuk e kanë kryer punën si duhet. Si mendoni Ju?

Kini parasysh që ne me vullnetin tonë jemi futur në këtë proces, për arsye se gatishmëria jonë është më e madhe për të paguar çdo çmim për shtetin tonë dhe Republikën e Kosovës  dhe do të heqim çdo dilemë, e cila është bërë mbi themelet e kësaj shtetësie, që ka të bëjë me procesin e çlirimit dhe pavarësimit të Republikës së Kosovës. Natyrisht ne i kemi kryer obligimet tona si institucione të Republikës së Kosovës, kemi pasur shumë argumente për të thënë dhe për të folur dhe do të flasim në mosndëshkimin  e kriminelëve dhe atyre që kanë kryer masakra në Kosovë, ku me mijëra njerëz janë vrarë nga pushteti i Serbisë në Kosovë.  Sidoqoftë,  për Kosovën dhe për ne është shumë e rëndësishme liria jonë dhe shteti ynë. Ky është një çmim që gjeneratat e kanë paguar në vazhdimësi. Natyrisht se ne do të ecim përpara dhe jam shumë i sigurt, se nuk do të ketë dënim e as cënim të UÇK-së, ajo ka qenë luftë e pastër çlirimtare dhe ashtu sikurse në dy proceset e kaluara në Hagë, me ballafaqimin e bashkëluftëtarëve tanë, do të kemi një drejtësi, e cila besoj do të jetë e pavarur dhe do ta dëshmojë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button