Ekonomia

Kallëzohet ish-drejtori, urdhër KESH-it: Të arkëtohen 500 mln dollarë nga CEZ-i

Halit Velaj akuzohet për shpërdorim fondesh, ndërsa ish-drejtuesi i HEC Koman, për abuzim me tenderët

Nga Zamir Alushi

TurbinatIsh-administratori i KESH-it, Halit Velaj, i emëruar nga qeveria “Berisha” në krye të KESH-it pak javë para zgjedhjeve të vitit 2013, kallëzohet në prokurori për shpërdorim të fondeve. Gjithashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka lënë porosi për drejtuesit aktualë të Korporatës Elektroenergjetike që të arkëtojnë rreth 500 milionë dollarë detyrime të CEZ Shpërndarjes për energjinë e furnizuar.

Kontrolli

KLSH-ja njofton se ka ushtruar auditim në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) sh.a., Tiranë, me objekt: “Zbatimi i ligjshmërisë dhe rregullshmërisë në veprimtarinë ekonomiko-financiare dhe vlerësues” për aktivitetin e kryer në periudhën 2012-2013. Në përfundim të këtij auditimi, kanë rezultuar disa mangësi dhe shkelje të akteve ligjore e nënligjore në fuqi, për të cilat kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, ka rekomanduar 31 masa me karakter organizativ për përmirësimin e veprimtarisë së Këshillit Mbikëqyrës dhe administratorit të KESH-it. KLSH-ja, ndër të tjera, kërkon disiplinimin, monitorimin dhe miradministrimin e shpenzimeve operative; sigurimin e burimeve të financimit për shlyerjen e overdrafteve në vlerën 30 132 731 mijë lekë. Lidhur me detyrimet e CEZ-it, KLSH-ja kërkon arkëtimin e shumës së CEZ Shpërndarjes sh.a. prej 53,7 miliardë lekësh ose mbi 500 milionë dollarë, për energjinë e blerë për mbulimin e humbjeve në rrjet dhe furnizimin e konsumatorëve. “Është shumë e rëndësishme për të ardhmen e gjendjes financiare të KESH sh.a., që ky detyrim të niset menjëherë që të shlyhet nga ana e CEZ Shpërndarjes”, theksohet në raportin e auditimit.

Në këtë kuadër, KLSH-ja kërkon edhe arkëtimin e detyrimit prej 40.6 miliardë lekësh (ose rreth 400 milionë dollarë) të klientëve, shumë e paarkëtuar nga shitja e energjisë para vitit 2006. Ndërkaq, KLSH-ja kërkon zhvillimin e një analize të hollësishme për penalizimet financiare të KESH-it, që arrijnë në shifrën e 4 112 482 mijë lekëve ose mbi 40 milionë dollarë.

Dëmi dhe ndëshkimet

Halit Velaj

KLSH-ja ka kërkuar që KESH sh.a. të ndjekë të gjitha procedurat administrative dhe të gjitha shkallët e gjykimit për arkëtimin e dëmit në shumën 53 876 549 lekë, të shkaktuar nga paga dhe shpërblime të paligjshme gjatë vitit, mungesë arkëtimi të detyrimeve debitore, si dhe gjatë zbatimit të kontratave për punime të paguara, por të parealizuara, si dhe mungesën e penalizimeve për vonesa. Referuar parregullsive dhe shkeljeve të ndryshme të konstatuara dhe përgjegjësive individuale të evidentuara, KLSH-ja ka kërkuar marrjen e masave administrative dhe disiplinore për 16 punonjës të KESH sh.a. që nga nivel drejtor departamenti deri te specialistë. Gjithashtu, nga auditimi i dokumenteve të vëna në dispozicion, rezultoi se Halit Velaj, në cilësinë e administratorit të përgjithshëm të KESH sh.a. dhe N.S., në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor të hidrocentralit Koman, kanë kryer veprime dhe mosveprime të kundërligjshme. Dëmi i shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit nga dy personat e sipërpërmendur arrin në 59 544 980 lekë ose mbi 585 mijë dollarë. Administratori i përgjithshëm i KESH sh.a., ka autorizuar kryerjen e pagesave si detyrim për subjektet vendore, për shumën 6 732 600 lekë, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe me vetë vendimin e mëparshëm të tij, duke i shkaktuar shoqërisë KESH sh.a. një dëm ekonomik prej 6 732 600 lekësh. Gjithashtu, Velaj ka dhënë shpërblim financiar për punonjës të ndryshëm në shumën 33 683 180 lekë, pa marrë më parë miratimin e Këshillit Mbikëqyrës të KESH-it dhe të ministrit të linjës. N.S., në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor të HEC Koman, gjatë procedurës së prokurimit “Blerje dhe vendosje 4 elektropompa horizontale të reja me pjesët e këmbimit rezervë të tyre dhe instalimin e skemës së kontroll monitorimit automatik-manual në stacionet e pompimit të galerive të digës Koman”, në vlerën 19 129 200 lekë, ka urdhëruar zhvillimin e saj me “Negociim pa botim paraprak të njoftimit të kontratës”, duke shmangur procedurat standarde të prokurimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button