Kamerat e sigurisë, Dervishaj: Ligji i ri brenda standarteve
Zbatimi i ligjit për shtimin e masave të sigurisë nëpërmjet videosurvejimit në ambiente publike dhe private mblodhi në një tryezë komisionerin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe institucionet publike dhe private.
Komisioneri Besnik Dervishaj e cilësoi ligjin aktual konform standarteve, pas ndërhyrjes së fuqishme të institucionit që ai drejton.
“Në momentin që ai është hartuar ne kemi ndërhyrë shumë fuqishëm që në këtë ligj të reflektohen dhe parimet e mbrojtjes së të dhënave personale. Në mënyrën fillestare siç ishte hartuar mund të lindte disa boshllëqe në këtë drejtim”, tha Dervishi.
Sipas komisonerit një nga pikat është që në blloqet e pallateve kamerat e sigurisë në ambientet e përbashkëta do të vendosen nëse bien dakort mbi 75 për qind e banorëve.
Ndërkohë përfaqësuesi i policisë së shtetit në këtë takim vlerësoi sugjerimet e komisonerit, ndërsa thekosi se tani e rëndësishme është zbatimi i ligjit.
“ Për ne është shumë e rëndësishme që ligji të fillojë zbatimin e tij sipas afateve sepse në këtë mënyrë rritet siguria e vetë subjekteve. Do të ketë efekte pozitive në rritje të treguesve të rendit dhe sigurisë në tërësi. Por dhe do të ndihmojë në punën e strukturave policore në zbulimin e krimeve”, tha Albert Dervishaj, drejtor i Rendit në DPP.
Ndërkohë drejtoresha e mbrojtjes së të dhënave, ka nënvizuar disa nga mangësitë që janë vërejtur kryesisht në qendrat tregtare gjatë procesit të monitorimit me videosurvejim.
“Mungesa e sigurisë në aksesimin e të dhënave, ka patur akses të pakufizuar. Vendosja e kamerave në ambient të papërshtatshme, mungesa e rregullave të shkruar për qëllimin, mënyrat e mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave personale nëpërmjet përdorimit të këtij sistemi, si dhe tejkalimi i afatit për mbajtjen e regjistrimeve”, thotë Pjerina Gaxha, drejtoreshë e mbrojtjes së të dhënave.
Subjektet private dhe shtetërore kanë detyrim brenda këtij viti të zbatojnë ligjin e ri për videosurvejimin.