Ekonomia

Kastrati, Sigal, Samir Mane të interesuar për të blerë INSIG

Ministria e Financave ka njoftuar se shtatë subjekte kanë shprehur interes dhe kanë tërhequr dokumentacionin e tenderit për të blerë shoqërinë shtetërore të sigurimeve INSIG. Mësohet se dy prej tyre janë shoqëri sigurimi, ndërsa dhe një ndër grupet më të mëdha në vend, Balfin po e shqyrton mundësinë e hyrjes në tregun e sigurimeve. Samir Mane, Ceo i Balfin ka pranuar për Monitor se ka tërhequr dokumentet dhe po i studion. Edhe burime nga grupi Kastrati, më i madhi në vend pohuan për Monitor se kanë tërhequr dokumentet përmes Albsig.

Dokumentet i ka tërhequr dhe Sigal Uniqa, operatori më i madh aktual në tregun e sigurimeve. “Po e shqyrtojmë nëse është me leverdi”, tha Avni Ponari, Drejtori i Sigal. Kompania ka aktualisht 28% të tregut të sigurimeve të jo jetës.

Në janar 2016, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Qeveritare në Ministrinë e Financave njoftoi tenderin për shitjen e 100 % të paketës së aksioneve për “INSIG” sh.a, ku vlera e 100 % e aksioneve të shoqërisë “INSIG” sh.a është përcaktuar 15,305,000 Euro. Afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve është 10 marsi.

INSIG kishte rreth 6% të tregut të sigurimeve të jo jetës në Shqipëri në fund të 2015-s dhe 8.3% të atij të jetës. Kompania ka aktivitet dhe në Kosovë e Maqedoni.

Kastrati është tashmë në tregun e sigurimeve, përmes Albsig, dhe po synon zgjerimin e mëtejshëm. Në fund të vitit 2015. Albsig kishte 9.9% të tregut të sigurimeve në fund të vitit 2015, nga 9.7% në 2014-n.
Në renditjen e kompanive sipas qarkullimit vjetor për vitin 2014, Kastrati sha (kompania kryesore e grupit, që merret me tregtimin e naftës), ishte më e madhja në vend.

Grupi Balfin është ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri. Për vitin 2014, Grupi Balfin National dhe International ka realizuar një turnover në vlerën 295 milionë euro (rreth 41 miliardë lekë), duke shënuar një rritje me 113% krahasuar me një vit më parë, sipas të dhënave nga vetë grupi. Pak kohë më parë Balfin njoftoi se së bashku me partnerët, ka filluar edhe një investim në bujqësi prej 6 milionë eurosh për ndërtimin e serave me synim tregun europian, në një strategji për të diversifikuar aktivitetin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button