Ekonomia

Kërkesat për subvencione në bujqësi- AZHBR kërkon shtyrjen e afatit për aplikimet

Duke nisur nga sot, fermerët pritet të kenë në dispozicion edhe dy javë të tjera më shumë kohë,  për të aplikuar në skemat e mbështetjes financiare 2016, që po zbaton ministria e Bujqësisë.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR)  Suela Popa bëri të ditur për ATSH-në, se, “ndonëse është planifikuar për t’u mbyllur sot, më 13 prill, afati i aplikimeve për përfituesit e subvencioneve në bujqësi, AZHBR për hir të disa vonesave në pajisjen e fermerëve me NIPT, për disa nga skemat, ka gjykuar për shtyrje të afatit”.

“Nuk është vendosur ende. Ndërsa pritet përgjigja nga ministria e Bujqësisë dhe ajo e Financave”, tha Popa.
Sipas të dhënave paraprake fluksi dhe interesi i fermerëve aplikues rezulton të jetë disa herë më i lartë se një vit më parë. Përfituesit do të nxirren nga proçesi i informatizimit, i cili u vu në zbatim për herë të parë vitin e kaluar nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) si forma më e re bashkëkohore e klasifikimit.

Përmes këtij sistemi kompjuterik synohet të rritet transparenca për vlerësimin e projekteve dhe të eleminohet korrupsioni, duke rikthyer besimin se dhënia e subvencioneve jepet realisht në bazë të meritës.

Sipas të dhënave zyrtare, fondi i vënë në dispozicion të sektorit rural për këtë vit është 14 milionë euro, ndërsa numri i fermerëve dhe agropërpunuesve fitues do të jetë rreth 12 mijë ose 2 mijë fermerë më shumë se vitin e kaluar.

Sektorët që do të financohen janë:
a) investimet për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm të tregut;
b) përmirësimin e teknologjisë së kultivimit dhe të mbrojtjes së bimëve;
c) prodhimin e perimeve në ambiente të mbrojtura;
ç) mbarështimin e blegtorisë, bletarisë dhe akuakulturës;
d) furnizimin e qëndrueshëm të tregut dhe rritjen e të ardhurave financiare për familjet e zonave rurale;
dh) nxitjen e kreditimit bankar e të investimeve në sektorin e përpunimit, ruajtjes dhe marketingut të produkteve bujqësore, blegtorale, shpendëve, akuakulturës, mjaltit dhe bimëve medicinale;
e) rritjen e mundësisë së fermerëve për mjete të mekanizuara;
ë) nxitjen e formalizimit, kooperimit dhe organizimit të shoqërive të bashkëpunimit bujqësor (SHBB).

Masat e mbështetjes dhe masa e përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, do të përdoren sipas rajonizimit të hartës bujqësore, të miratuar nga ministritë e linjës, për:
a) Mbështetje për përmirësimin e teknologjisë të kultivimit dhe mbrojtjes së bimëve, b) Mbarështimi i blegtorisë, bletarisë dhe akuakulturës, c)Furnizimi i qëndrueshëm i tregut dhe rritja e të ardhurave financiare për familjet e zonave rurale dhe d) Nxitja e investimeve dhe e kreditimit bankar në sektorin e bujqësisë, blegtorisë, shpendëve, bletarisë, akuakulturës dhe bimëve medicinale.

Sipas këtij vendimi, mbështetja përmes subvencionit, parashikon financim në masën 70% të normës së interesit, për 7 vite radhazi, për kreditë deri në 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë, që do të merren për aktivitetet e mëposhtme:

– Ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, akuakulturës, shpendëve dhe bimëve medicinale;
– Mekanizimin e bujqësisë, blegtorisë, akuakulturës dhe bimëve medicinale;
– Ndërtimin e objekteve që do të shërbejnë për mbarështimin e kafshëve, shpendëve e të akuakulturës;
– Ndërtimin e serave për kultivimin e perimeve dhe prodhimin e fidanëve e të produkteve të tjera bujqësore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button