Kërkim nafte në bllokun Dumrea nga gjiganti italian, ndikim të jashtëzakonshëm në ekonomi
Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot si “një moment shumë të rëndësishëm për vendin tonë, për sektorin e hidrokarbureve dhe për të ardhmen e ekonomisë së vendit tonë, nënshkrimin e marrëveshjes me kompaninë e mirënjohur italiane ENI”.
Duke folur në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me kompaninë italiane ENI, për kërkim hidrokarburesh të lëngshme në bllokun Dumrea, Rama tha se, “ky është vazhdimi i një historie të nisur shumë kohë më pare, sepse që në vitin 1903, kur ne ishim ende pjesë e Perandorisë Otomane, ishin inxhinierët italianë ata që erdhën të parët për të filluar të krijonin një opinion lidhur me nëntokën tonë”.
“Eksplorimet vazhduan më pas në vitin 1918 me shpimin e parë të një pusi në Drashovicë të Vlorës dhe ishte po meritë e miqve tanë italianë në atë kohë e një kompanie italiane, AIPA, që për herë të parë u krijua si kompani e mirëfilltë dhe e strukturuar për të nxjerrë dhe përpunuar naftë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se, “nga viti 1928 kur u realizuan shpimet e para në Kuçovë deri në fund të vitit 1944 kur italianët u larguan përfundimisht nga vendi ynë, AIPA kreu me mijëra shpime dhe prodhimi ynë i naftës arriti 950 mijë tonë”.
Rama tha se, “raporti ynë me naftën është disi i komplikuar edhe për shkaqe në radhë të parë historike dhe politike. Thuhet se kur Viktor Emanueli në 39-ën u prezantua me idenë e pushtimit të Shqipërisë ngriti pyetjen se çfarë dreqin i duhet mbretërisë italiane 28 mijë kilometra katrorë shkëmb matanë detit dhe përgjigja e Kontit Ciano ishte se ata shkëmbinj mund të plotësonin 100 % të nevojës italiane për krom, 30% të nevojës për naftë dhe me pak investime mund të mbulonin të gjithë nevojën italiane për hekur”.
“Historia më pas dihet si vijoi mes një kontradikte që pengoi zhvillimin normal të sektorit që vijoi me rritje të burimeve njerëzore brenda vendit, ku u krijuan burime njerëzore shumë të lartë dhe mbylljes totale të vendit në raport me botën, çka kufizoi maksimalisht kapacitetet zhvilluese dhe teknologjike të vendit”, u shpreh Rama.
Megjithatë, shtoi Rama, “në momentin e parë pas rënies së diktaturës ka një shkrim në gazetën Republika në shtator të 91-it që titullohet “ENI birëson Shqipërinë”. Në atë shkrim flitet për një eksplorim në vijë me një perimetër prej 30 mijë kilometrash katrorë në detin shqiptar. Po në fakt u deshën 30 vjet që ne sot të kemi, jo vetëm një kontratë me ENIN, që nga pikëpamja e vlerës ekonomike për shtetin dhe qytetarë shqiptarë është më e mira dhe e favorshme që është shkruar. Për këtë dua të falënderoj me gjithë zemër miqtë italianë që vërtetë janë treguar shumë të hapur dhe konstruktivë ndaj kërkesës tonë për të pasur një kontratë që të ketë një përfitim të drejtpërdrejtë më të madh sesa kontratat e mëparshme për shtetin dhe një përfitim shumë më të mirë strukturuar në aspektet kohore”.
“Por përtej kësaj për të pasur edhe një partner që jo thjesht do të eksplorojë dhe zbulojë naftë, por dhe do ndihmojë në rritjen e cilësisë së burimeve tona njerëzore. Dhe çka kemi biseduar ka qenë përfshirja e ENI-t në kuadrin e kornizës së Paktit për Universitetin në një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave për të ndihmuar në rritjen e kapaciteteve për të hapur mundësi për trajnime, mastera e me radhë”, tha Rama.
“Më vjen shumë mirë që sot ne firmosim këtë kontratë dhe pse përkoi me një moment shumë të vështirë, por ishte një këmbëngulje e madhe nga ana e ministres dhe skuadrës për ti sjellë miqtë italianë para Vitit të Ri sepse ky ishte objektivi që brenda vitit të mbyllnim këtë kontratë dhe pastaj të vazhdonte puna me eksplorimet”, nënvizoi Rama.
Sipas të gjithave studimeve, theksoi Kryeministri, “blloku i Dumresë ku do të fillojë eksplorimi ka një rezervë të pritshme të konsiderueshme. Ashtu sikundër zbulimi i bërë në Shpirag është një nxitje më shumë për të vijuar me eksplorimet”.
Rama theksoi se, “bëhet fjalë për një tjetër investim të rëndësishëm të huaj direkt në Shqipëri të një kompanie gjigante, me të ardhura më të mëdha se gjithë PBB e Shqipërisë, e cila vendos një flamur me shumë peshë në hartën e investimeve të huaja në Shqipëri. Dhe përtej vlerës monetare dhe ekonomike do të sjellë në vendin tonë vlerën e madhe të dijes dhe vlerën e madhe të një bashkëpunimi që do të rrisë cilësisht të gjithë hapësirën që mbulon ky sektor”.
Rama tha se, “nga ana e kompanisë kemi marrë një përgëzim për shpejtësinë dhe efikasitetin në procesin e përpunimit dhe të firmosjes së kontratës. Më vjen shumë mirë që kemi dhënë një tjetër shembull konkret të dallimit të madh mes atij që është perceptimi kur flitet për të bërë investime të huaja dhe për të firmosur kontrata në Shqipëri dhe atij që është realiteti. Dhe në një proces të filluar në gjysmën e dytë të vitit ne jemi sot këtu për të konkluduar me një kontratë, që në këndvështrimin tonë është një kontratë jashtëzakonisht solide dhe me një përfitim të rëndësishëm të pritshëm për shtetin, për shoqërinë, për ekonominë tonë”.
“Zbulimet e bëra deri tani dhe zbulimi pritshëm nga ana e kompanisë italiane sigurisht do të kenë ndikim të jashtëzakonshëm në ekonominë e vendit në vitet në vijim. Pra ajo që është e rëndësishme është të fillojmë nga puna menjëherë pas nënshkrimit të kontratës . Falënderoj miqtë italianë për të gjithë impenjimin dhe gatishmërinë për të nënshkruar një kontratë kaq të favorshme për ne. Jam i sigurt që përderisa kanë qenë kaq bujar në raport me kërkesat tona janë të sigurt që do gjejnë shumë naftë dhe përfitimi do jetë plotësisht i merituar edhe për ta”, u shpreh Kryeministri Rama.