Gjykata e Posaçme cakton 7 prillin për Argita dhe Jamarbër Malltezin
Gjykata e Posacme ka caktuar datën 7 prill për të shqyrtuar kërkesën e bërë nga Argita dhe Jamarbër Malltezi, vajza dhe dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, për lirimin e 25 pasurive të sekuestruara më herët nga SPAK në kuadër të dosjes “Partizani”.
Gjatë seancës së sotme, prokurorja e Posaçme, Enkeleda Millonai, deklaroi se Jamarbër Malltezi zotëron edhe prona të tjera që nuk janë sekuestruar dhe nuk ka paraqitur prova që të tregojnë mungesë aftësie paguese.
Ndërkohë, Malltezi u shpreh në sallë se gjyqi ndaj tij dhe pasurive të tij është “luftë klasash”, duke aluduar në një trajtim të padrejtë financiar dhe social.
Avokati i familjes, Klodian Skenderaj, deklaroi se tejzgjatja e sekuestrimit të pasurive ka ndikim të drejtpërdrejtë në situatën financiare dhe familjare të klientit të tij. Ai shtoi se ka depozituar një ekstrakt llogarish bankare që tregon se llogaritë e tij janë zero, duke nënvizuar se subjekti nuk ka burime të tjera për të përballuar shpenzimet.
Megjithatë, Millonai theksoi se fakti që llogaritë janë bosh nuk do të thotë domosdoshmërisht se Malltezi ka pamundësi financiare, duke theksuar se çështja do të shqyrtohet nga gjykata në datën e caktuar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.