Ekonomia

Këshilli Mbikëqyrës shkarkon Fullanin, emëron Elisabeta Gjonin në krye të BSH

Në mbledhjen e cila ka zgjatur më tepër se 4 orë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka shkarkuar nga detyra Guvernatorin Ardian Fullani. Ndërkaq në deklaratën e publikuar në faqen e Bankës së Shqipërisë thuhet se “Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u njoh me ndalimin nga Policia e Shtetit të Guvernatorit, z. Ardian Fullani dhe të Inspektores së Përgjithshme të institucionit zj. Elivar Golemi.

Godina qendrore e Bankes se Shqiperise
Godina qendrore e Bankes se Shqiperise

Në vijim, Këshilli Mbikëqyrës vendosi t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në bazë të nenit 47, pika 2, shkronja “c” të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”. Më tej në deklaratë thuhet se Këshilli konstatoi se mungesa e Guvernatorit nuk krijon vakum institucional në drejtimin e institucionit, në kushtet kur përcaktimet ligjore dhe nënligjore mundësojnë kalimin e qartë të kompetencave të tij tek Zëvendësguvernatori i Parë.

Në deklaratën drejtuar mediave thuhet “ Këshilli shpreh mbështetjen e plotë për Zëvendësguvernatorin e Parë në marrjen e kompetencave për drejtimin ekzekutiv të bankës, dhe vlerësoi pozitivisht masat e marra prej saj për të siguruar vijimësinë normale të veprimtarisë operacionale të institucionit. Këshilli Mbikëqyrës siguron publikun dhe autoritetet e vendit që po ushtron funksionet e tij me përgjegjshmërinë më të lartë. Banka e Shqipërisë do të vijojë të ofrojë të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm me Kuvendin e Shqipërisë dhe me organet e zbatimit të ligjit, në mënyrë transparente dhe profesionale, me dëshirën për të zbardhur ngjarjen dhe për të sqaruar plotësisht përgjegjësitë e të gjithë personave të marrë nën hetim.

Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se falë masave që janë marrë dhe do të merren për përmirësimin e funksionimit të Bankës së Shqipërisë dhe falë profesionalizimit të personelit të saj, ky institucion do të rikthehet për të qenë simbol i krenarisë së shtetit dhe shoqërisë shqiptare”-përfundon deklarata e përbashkët e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës.

Po kështu, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë  ka zyrtarizuar emërimin e Elisabeta Gjonit në krye të Bankës së Shqipërisë.  Mbledhja u zhvillua në zyrën e zonjës Gjoni, pranë ‘Medresesë’, aty ku BSH ka marrë disa ambiente me qira.

Guvernatori i Bankës Ardian Fulani u arrestua mbrëmjen e djeshme në zyrën e tij. Ndaj guvernatorit Fullani rëndon akuza e ‘shpërdorimit të detyrës’, për skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Shtetit, për të cilën ai rrezikon deri 7 vjet burg. E njëjta akuzë rëndon edhe mbi Inspektoren e Përgjithshme, Elivar Golemi.

Sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se dy zyrtarët e lartë të Bankës Qendrore, për shkak të mosveprimeve të tyre, kanë krijuar kushtet që të cenohet siguria e parave në administrim të BSH. Me arrestimin e kreut të BSH-së dhe inspektores Golemi, numri i të dyshuarve shkon në 19 persona.

Deklarata e plotë pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të BSH

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u njoh me ndalimin nga Policia e Shtetit të Guvernatorit, z. Ardian Fullani dhe të Inspektores së Përgjithshme të institucionit zj.Elivar Golemi. Deklarata e Prokurorisë që pasoi, bëri të njohur edhe akuzat që motivuan ndalimin e tyre.

Pas këtyre zhvillimeve, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u mblodh dhe mori një informacion të detajuar rreth situatës. Në vijim, Këshilli Mbikëqyrës:
a) vendosi t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në bazë të nenit 47, pika 2, shkronja “c” të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”;

b) konstatoi se mungesa e Guvernatorit nuk krijon vakum institucional në drejtimin e institucionit, në kushtet kur përcaktimet ligjore dhe nënligjore mundësojnë kalimin e qartë të kompetencave të tij tek Zëvendësguvernatori i Parë;

c) shprehu mbështetjen e plotë për Zëvendësguvernatorin e Parë në marrjen e kompetencave për drejtimin ekzekutiv të bankës, dhe vlerësoi pozitivisht masat e marra prej saj për të siguruar vijimësinë normale të veprimtarisë operacionale të institucionit;

Këshilli Mbikëqyrës, siguron publikun dhe autoritetet e vendit që po ushtron funksionet e tij me përgjegjshmërinë më të lartë. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë do të vijojë të ofrojë të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm me Kuvendin e Shqipërisë dhe me organet e zbatimit të ligjit, në mënyrë transparente dhe profesionale, me dëshirën për të zbardhur ngjarjen dhe për të sqaruar plotësisht përgjegjësitë e të gjithë personave të marrë nën hetim. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se falë masave që janë marrë dhe do të merren për përmirësimin e funksionimit të Bankës së Shqipërisë dhe falë profesionalizimit të personelit të saj, ky institucion do të rikthehet për të qenë simbol i krenarisë së shtetit dhe shoqërisë shqiptare.

Kush është Elisabeta Gjoni
Elisabeta GjoniZj. Elisabeta Gjoni është Zëvendësguvernatore e parë e Bankës së Shqipërisë që prej muajit janar 2012. Ajo është edhe anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që prej muajit nëntor 2011.

Para ushtrimit të këtyre detyrave, Zj. Gjoni ka pasur një karrierë të pasur në sektorin financiar dhe në fushën e rregullimit të tij. Ajo ka shërbyer si Kryetare e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që prej themelimit të këtij institucioni në 2006 deri në dhjetor 2011. Më herët, ajo ka shërbyer në sektorin e titujve si Kryekomisionere e Komisionit Shqiptar të Letrave me Vlerë. Gjithashtu, ka qenë anëtare e bordit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për 8 vjet dhe Zëvendësguvernatore e Bankës së Shqipërisë gjatë viteve 1995 -1997. Zj. Gjoni ka shërbyer si Guvernatore Alternative për Shqipërinë në BERZh, si këshilltare financiare për financat për Presidentin e Republikës së Shqipërisë gjatë viteve 1992-1996 dhe si anëtare e Komitetit Negociator për Borxhin e Jashtëm. Karrierën e saj tashmë të konsoliduar, ajo e pasuroi duke punuar në sektorin financiar privat pranë Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve.

Pas diplomimit në vitin 1982 për financë në Universitetin e Tiranës, zj. Gjoni pati një karrierë të pasur në fushën akademike. Ajo ishte lektore me kohë të plotë për drejtimin financiar gjatë viteve 1982 – 1992 dhe, aktualisht, është lektore e ftuar për çështje të financës dhe ekonomisë në Universitetin e Tiranës dhe universitete të tjera në Shqipëri.

Gjatë karrierës profesionale, ka marrë pjesë dhe ka dhënë leksione në shumë veprimtari të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare. Zj. Elisabeta Gjoni gjendet në të dhënat biografike Ëho is ëho – Global Banking & Finance 2000-2001 International Edition dhe është autore e një sërë studimesh, artikujsh e materialesh kërkimore mbi financën, politikat ekonomike, bankingun, tregjet kapitale, etj.

Përveç kontributit të saj të vlefshëm në sektorin financiar shqiptar, zj. Gjoni jep kontribut aktiv për të ndihmuar njerëzit në nevojë, në veçanti fëmijët. Ajo është anëtare e bordit të Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, një organizatë jofitimprurëse, që punon me përkushtim për të ulur varfërinë dhe për të ndihmuar fëmijët në nevojë. Ajo është edhe anëtare e “Miqtë e Galerisë Kombëtare të Arteve”.
Zj. Elisabeta Gjoni është e martuar dhe ka dy vajza.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button