Kosova

KFOR do ta shqyrtojë kërkesën e Serbisë për dislokimin e trupave

Autoritetet ushtarake të Serbisë kanë dorëzuar zyrtarisht tek KFOR-i kërkesën për kthimin e 1.000 trupave serbe në Kosovë. KFOR-i do ta shqyrtojë kërkesën. Prishtina zyrtare e hedh poshtë në mënyrë kategorike. Autoritetet e Serbisë i kanë dorëzuar zyrtarisht Forcave Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë KFOR, kërkesën për kthimin në Kosovë të 1000 ushtarëve serbë, bazuar siҫ thonë në Beograd, në rezolutën 1244 të KS-it. Zyrtarë të KFOR-it pranuan se e kanë marrë kërkesën e Serbisë dhe thanë se “aktualisht jemi duke e shqyrtuar” këtë kërkesë, duke mos komentuar nëse do  të lejohet apo jo. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se  KFOR-it i është dorëzuar kërkesa fizikisht në një pikë kufitare me Kosovën. “Para pak kohësh e njoftova presidentin e Republikës dhe kyeministren se Forcat e Armatosura të Serbisë, gjegjësisht Komisioni për Zbatimin e Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës pranë Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, ka dorëzuar këtë në mëngjes, në vijën administrative afër Merdarit, në formë të shkruar, vendimin e Qeverisë së Serbisë me të gjitha dokumenet e nevojshme”, tha Vuçeviq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuҫiq, këmbëngulës për kërkesën formale, vetë është i bindur, se ajo do të refuzohet nga KFOR-i, ndonëse thotë se Serbia këtë kërkesë e ka bërë vetëm duke u bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila sipas tij, parasheh kthimin e 1000 trupave serbe në Kosovë.

Osmani: Agresion dhe pretendim territorial

Autoritetet e Kosovës e hedhin poshtë në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e 1000 ushtarëve në Kosovë, dhe këtë pretendim, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi, “agresion dhe pretendim të Serbisë për territor”. “Jemi të gjithë dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ky kërcënim është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste për vendosjen e trupave ushtarake në Kosovë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e di fare mirë që prezenca e ushtrisë serbe në Kosovë mori fund në vitin 1999”, tha Presidentja Osmani, gjatë  fjalimit vjetor në Kuvendin e Kosovës. Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se paralajmërimet për dislokimin e trupave serbe në Kosovë janë “kërcënim me agresion” nga Serbia. Kthimin e mundshëm të 1000 trupave ushtarake të Serbisë  në Kosovë e ka kundërshtuar në mënyrë kategorike edhe SHBA-ja. Këtë e tha gjatë vizitës në Beograd, i ngarkuari i SHBA-së për Ballkanin Gabriel Escobar, pas një takimi që zhvilloi me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kundërshtim i qartë amerikan

“Shtetet e Bashkuara refuzojnë një kthim të tillë. Kriza nuk duhet militarizuar. Ky nuk është momenti për të përdorur ushtrinë, është koha për diplomaci, dialog dhe kompromis, sikurse edhe për imagjinatë, të mendojmë se çfarë sjellë e ardhmja e rajonit”, tha Escobar.

Në kohën e miratimit të rezolutës 1244 të KS-it të OKB-së, në qershor të vitit 1999, dhe hyrjes së KFOR-it në Kosovë, parashihej kthimi i një numri të personelit ushtarak dhe policor jugosllav në Kosovë. Kthimi i tyre parashihej për të kryer disa funksione si “ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimin/pastrimin e fushave të minuara, mbajtjen e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe, dhe mbajtjen e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare. Mirëpo, nëntë vjet pas miratimit të Rezolutës 1244, me 17 shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj që njihet nga vendet kryesore perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia.

Kërkesa e Serbisë vjen në kohën e rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ku që nga 6 dhjetori janë shënuar  incidente me armë zjarri, granata dore dhe rrugët kryesore në veri po mbahen të bllokuara nga serbët lokal. E gjithë kjo në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb nga policia e Kosovës.

KFOR dërgon trupa shtesë

Forcat paqeruajtëse të KFOR-it shprehen, se gjatë kësaj jave kanë dërguar trupa shtesë dhe patrulla në veri të Kosovës. “Ne po e monitorojmë nga afër situatën në veri të Kosovës. KFOR-i ka aftësi dhe personel për të ofruar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet, në bazë të mandatit tonë që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha KFOR përmes një reagimi.  Po ashtu KFOR tha se “pret që të gjitha palët të koordinohen nga afër me këtë mision dhe të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës”. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të ofruar siguri dhe liri të lëvizjes në Kosovë. Zgjidhja duhet të gjendet përmes dialogut”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button