Bota

Kinë, strukturë antiajrore në ishujt e detit të Kinës Jugore

Në atë që konsiderohet si një testim i hershëm ndaj presidentit amerikan Donald Trump, Kina thuajse ka përfunduar ngritjen e një duzine strukturash në ishujt artificialë në detin e Kinës Jugore, të cilat duken të përshtatshme për të strehuar aty raketat me rreze të gjatë veprimi tokë-ajër.

Lajmi është konfirmuar për “Reuters” nga dy zyrtarë amerikanë, ndërsa zhvillimi i fundit pritet të ngrejë dyshimet nëse dhe sesi Shtetet e Bashkuara do të kundërpërgjigjen, duke parë angazhimet në të kaluarën për të mbajtur një linjë të ashpër ndaj Kinës pikërisht për këtë rajon të diskutueshëm.

Kina pretendon sovranitet thuajse në të gjithë sipërfaqen e detin të Kinës Jugore, aty ku zhvillohet një e treta e tregtisë detare botërore. Brunei, Malajzia, Filipinet, Taivani dhe Vietnami kanë gjithashtu pretendimet e tyre për këto ujëra. Administrata e presidentit Trump i ka quajtur ndërtimet mbi këto ishuj nga Kina si të paligjshme.

Ngritja e strukturave reale me çati të palosshme në shkëmbinjtë nënujorë Subi, Mischief dhe Fiery Cross, pjesë e zinxhirit të ishujve Spratly ku Kina ka krijuar edhe pista ajrore, mund të konsiderohet si një përshkallëzim ushtarak sipas asaj që thonë zyrtarët amerikanë, të cilët kanë folur në kushte anonimati.

“Këto nuk janë struktura dosido të ngritura nga kinezët në detin e Kinës Jugore, por ngjajnë me disa të tjera që janë të afta të strehojnë bateritë ‘SAM’, ndaj dhe përfundimi logjik është se ato do të shërbejnë pikërisht për këtë gjë”, tha një zyrtar i shërbimeve sekrete amerikane, duke iu referuar raketave tokë-ajër.

Një tjetër zyrtar tha se strukturat duken të jenë 20 metra të gjata dhe 10 metra të larta. Një zëdhënës i Pentagonit tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për “demilitarizimin e detit të Kinës Jugore”, si dhe nxit të gjithë palët me pretendime që përplasen me njëra-tjetrën të ndërmarrin hapa në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Geng Shuang tha të mërkurën se ishte në dijeni të raportit, edhe pse nuk konfirmoi se Kina po planifikonte dërgimin e raketave në këto shkëmbinj nënujorë. “Kina është duke zhvilluar aktivitete normale ndërtimi në territorin e saj, përfshi edhe dërgimin e strukturave për mbrojtjen terriotoriale të nevojshme dhe të përshtatshme, pasi kjo është një e drejtë e ligjshme bazuar në ligjin ndërkombëtar për kombet sovrane”, tha ai për reporterët.

Në seancën e konfirmimit në Senat gjatë muajit të kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson shkaktoi irritimin e Kinës kur tha se Pekinit nuk i duhet lejuar qasja në ishujt e krijuar prej tij në detin e Kinës Jugore. Më pas, Tillerson e ka zbutur disi gjuhën, sikurse edhe Trump është përpjekur të reduktojë tensionet duke u angazhuar të respektojë qëndrimin afatgjatë amerikan për njohjen e një Kine të vetme, gjatë një telefonate të zhvilluar më 10 shkurt me presidentin kinez, Xi Jinping.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button