“Kirurgjia e farsës autokratike” në PD, Sali Berisha mposht Sali Berishën
Nga Rigels Seliman
Në teatrin e absurdit politik shqiptar, premiera e radhës kishte vetëm një aktor, një regjisor dhe një spektator që duartrokiste veten: Sali Berishën. Rikofirmimi i tij me 95% të votave në krye të asaj që ka mbetur nga Partia Demokratike nuk është thjesht një ngjarje politike; është një udhëtim nostalgjik drejt metodave të votimeve alla-enveriste, ku rezultati dihet para se të shtypet fleta e votimit. “Shoku Sali” doli në garë me rivalin e tij më të fortë dhe më të rrezikshëm: Sali Berishën. Dhe, me një heroizëm që të kujton kohërat e shkuara, arriti ta mposhtë atë!
Gara me hije dhe demokracia me “ndrydhje”
Triumfi i Berishës pa garë është certifikata e vdekjes së pluralizmit të brendshëm në atë parti që dikur lindi si shpresa e lirisë. Duke skualifikuar me laps të trashë pesë kandidatë që guxuan të mendonin se në një parti mund të ketë garë (mes të cilëve Ervin Salianjin e Evi Kokalarin), Berisha tregoi se koncepti i tij për demokracinë është i thjeshtë: “Demokracia jam unë, të tjerët janë thjesht numra për të plotësuar kuorumin.” Por shifrat, ky mallkim i ftohtë matematikor, nuk gënjejnë dot aq bukur sa fjalimet e ballkonit:
17 mijë vota më pak se Lulzim Basha në vitin 2017.
Mbi 12 mijë anëtarë që bojkotuan hapur procesin.
Një numër anëtarësie që u mbajt sekret si të ishte plani i ndonjë bunkeri bërthamor, vetëm për t’u shpallur kur kutitë ishin mbushur mjaftueshëm.
Kur Sali Berisha merr më pak vota se Lulzim Basha në ditët e tij më të këqija, kjo tregon se “revolucioni” nuk po marshon përpara, por po zvogëlohet rreth oborrit të të njëjtëve njerëz.
“Do t’ju mbaj shënim!”- Dashuria e liderit suprem
Pjesa më kulmore, ku tragjedia thyhet në komedi të zezë, është kërcënimi i veshur me “kujdes prindëror” ndaj 1055 anëtarëve që guxuan të votonin kundër apo të abstenonin. Deklarata e Berishës se “vota e tyre do të mbahet shënim” të kujton mbledhjet e ish-Byrosë Politike, ku çdo shikim i vëngërt apo hezitim analizohej për “devijim ideologjik”. Në botën e Berishës, vota kundër nuk është e drejtë demokratike, është një “hezitim” që duhet shëruar nën udhëheqjen e tij të ndritur. Mesazhi është i qartë: Unë ju shoh, unë ju di, dhe unë nuk harroj.
Një partizim në rrudhje e sipër
Ndryshimet e pritshme në statut në Kuvendin Kombëtar pas një jave nuk janë gjë tjetër veçse qepja e një kostumi të ri ligjor për trupin e plakur të një partie që po kthehet në pronë private. Ndërsa rivalët enden dyerve të Gjykatave të Tiranës për të kërkuar një drejtësi që në atë shtëpi politike ka humbur me kohë, Shoku Sali përgatit fazën tjetër të monologut të tij. I mbyllur në kalanë e vet, i vetëshpallur fitimtar mbi asgjënë, Sali Berisha sot udhëheq një PD më të vogël, më të izoluar, por mbi të gjitha, më të frikësuar. Ai fitoi 95% të votave, por humbi të ardhmen. Sepse një parti që ka frikë nga gara e brendshme, nuk mund të jetë kurrë gati për të fituar përballë një populli.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.