Hoxha përshëndet votimin në PE: Udhëtimi evropian i Shqipërisë po përparon
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka përshëndetur votimin në Parlamentin Evropian të raportit të progresit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë si një tjetër votë të rëndësishme besimi për të ardhmen evropiane të vendit.
Në një postim në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se pas miratimit nga Komiteti për Punët e Jashtme në muajin maj, raporti u votua sot në seancë plenare me 483 vota pro nga 656 eurodeputetë që morën pjesë në votim, ose rreth 74% mbështetje.
Sipas ministrit, ky rezultat riafirmon mbështetjen e fortë të Parlamentit Evropian për rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe njeh progresin e konsiderueshëm të arritur në fushat kryesore të reformave.
“Mesazhi është i qartë: Udhëtimi evropian i Shqipërisë po përparon, përpjekjet tona për reforma po japin rezultate të prekshme dhe objektivi ynë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian është realist dhe i arritshëm”, shkroi Hoxha.
Ai falënderoi Parlamentin Evropian, raporterin Andreas Schieder dhe të gjithë mbështetësit e procesit të zgjerimit të BE-së, duke theksuar se negociatat e anëtarësimit mbeten një instrument kyç për vijimin e reformave dhe përmbushjen e standardeve evropiane.
Ministri nënvizoi gjithashtu se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të ruajtur ritmin e reformave, me synimin për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.