Te ndryshme

Klara Petaçi: Enigma e së dashurës besnike të Musolinit

Torollake e devotshme apo spiune e Church-illit? Asnjë nga të dashurat e tij nuk kishte arritur të qëndronte më gjatë në lidhje me Musolinin sesa Petaçi. Në ditarin e saj, ajo ka përshkruar çdo detaj, çdo hap të Duçes. Sidoqoftë, se kush e vrau çiftin “më të famshëm” të kohës në Itali, akoma mbetet një enigmë

Edhe e vdekur, romanja arrinte të thithte vështrime xheloze. “Shih pak se çfarë këmbësh të bukura kishte Petaçi!”, thuhet të kishte thirrur një grua që ishte mbështetur fort në krahët e të shoqit, për të parë më mirë spektaklin makabër. E interesuara që gjendej më 29 prill 1945 në “Piazzale Loreto” të Milanos, kishte pasur mjaft kohë në dispozicion për të parë me imtësi të gjitha pjesët e trupit të Klara Petaçit: ashtu varur me kokë poshtë, trupi i saj i pajetë gjendej para syve të turmës që shfrynte, ndërsa fundi i kishte rënë poshtë gjunjëve.

Majtas, para saj, po me këmbët lart e kokën poshtë, gjendej i varur i dashuri i saj, të cilin Klara Petaçi e kishte ndjekur deri në vdekje: Benito Musolini. Në vend që trupin e tij t’ua dorëzonin aleatëve, sikurse ishte rënë dakord, partizanët e kishin qëlluar për vdekje “Duçen” dhe të dashurën e tij më 28 prill 1945 në liqenin e Komos, e kufomat e tyre i kishin dërguar në Milano për t’ia treguar publikut.

Qysh prej asaj kohe, ka plasur një debat mes historianëve për t’i dhënë përgjigje pyetjes, se ku u vra, kur dhe kush e vrau Musolinin. Kush ishte gruaja në krah të tij, dukej e qartë: një “torollake e devotshme”, siç do të kishin dëshiruar shumë italiane të bënin ndoshta para “Duçes” së tyre të fashizmit. Në kohën e gabuar, në vendin e gabuar. Dhe basta.

Basta? Mori fund pra. Petaçi nuk ishte vetëm kurtizania e bindur, sikurse e interpretoi atë dekada më vonë, Claudia Cardinale në melodramën “Claretta” në vitin 1984. Ajo ishte një fashiste e bindur, një kroniste e ethshme e Duçes dhe në fund fare, edhe mbështetësja e tij më besnike e më energjike.

Edhe pse historia e dashurisë mes arrivistit ekstrem politik dhe 29-vjeçares, bijës së një infermiereje në fillim dukej e tensionuar.

Qysh kur ishte vajzë e re, Claretta duhet ta ketë adhuruar “Duçen” e saj si një yll kinematografie. Në moshën 14-vjeçare, ajo i shkroi atij, “qenies hyjnore”, letrën e saj të parë të dashurisë. Më 24 prill 1932, një të diel kur dielli shndriste, jetët e tyre u kryqëzuan në rrugën që të çonte në plazhin e Ostias: Me shpejtësi të madhe, Alfa Romeo e kuqe e Musolinit, e parakaloi Lancia-n e familjes Petaçi. “Është Duçja!”, thuhet të ketë thërritur Claretta – dhe ta ketë urdhëruar shoferin, t’i vihej pas Musolinit.

Në Ostia, të dy, 48-vjeçari, lider i fashistëve dhe 20-vjeçarja, u futën më pas në bisedë. Lidhja mes të dyve, cila mund të ishte fare mirë ajo mes babait e së bijës, shumë shpejt do të përfundonte në shtrat. Petaçi u nda nga i fejuari i saj, e qysh nga ajo kohë zuri të rrinte në Palazzo Venezia, e të priste që të vinte e ta kërkonte Duçja. Dhe kjo ndodhte shpesh: “Çdo ditë një grua, çdo mbrëmje” sillte në shtrat ai, sipas shërbëtorit të tij të dhomës, Quinto Navarra.

Që romanja duhej ta ndante “Benin” e saj, jo vetëm me të shoqen e tij dhe pesë fëmijët që ai kishte ligjërisht, por edhe me konkubinat e tjera, shkaktoi te Petaçi një xhelozi të madhe. Atë, si dhe lojën e saj obsesive të dashurisë me Musolinin, e tregojnë më së miri edhe ditarët e saj të botuar në vitin 2009 dhe 2011.

Dhe ato tregojnë edhe për një gjë: nëse i heq pjesët intime të Petaçit, para së gjithash pëshpëritjet në shtrat, sheh se kemi të bëjmë me një vëzhguese të mirëfilltë e të mprehtë politike. Një grua, që ishte bërë që të ndiqte e të shënjonte çdo lëvizje, çdo hap të Musolinit.

E të thuash se Klara Petaçi ishte një spiune angleze, siç sugjeron nipi i saj, Ferdinando, në parathënien e epilogun e përmbledhjes së saj me ditarë, kjo mbetet e dyshimtë. Pjesa e dytë e ditarëve të Petaçit ndërpritet më 11 dhjetor 1940 – e pas tre vjetësh Duçja zëvendësohet e arrestohet. Kundërshtarët e tij e mbajtën atë të burgosur në Abruzzo, ku çlirohet nga gjermanët dhe në Salò, në Liqenin e Gardës, instrumentalizohet përfundimisht si marionetë e verbër e Hitlerit.

318 letra ka shkruar për Petaçin në atë kohë Musolini, tashmë në dëshpërim, në ato 600 ditë të jetës së të ashtuquajturës “Republika e Salòs”. E paraqet veten si “ëndërrimtar të përmalluar” dhe “personalitet qesharak” apo dhe “kufomë të gjallë”: një peng në duar të gjermanëve, e që flet për “mërzi të pafund”. Në jetë duket se atë e kanë mbajtur në atë kohë pra vetëm mendimet për konkubinën e tij.

Ajo, që u arrestua gjithashtu, megjithëse u lirua pas gjashtë javësh, dukej se ishte mburoja e “Duçe”-s. Familja Petaçi, e cila kishte përfituar shumë nga lidhja e vajzës së tyre me Musolinin, u arratis në veriun e qeverisur nga besnikët fashistë të Duçes. Nën sytë që i shihnin vazhdimisht të rojeve SS, e dashura e Musolinit mori një vilë në Gardone, jo larg nga rezidenca e “diktatorit të urryer”. Dhe bëri gjithçka që t’ia hiqte depresionin Benit të saj.

Në një letër të 21 prillit 1944, Petaçi i kërkonte atij të dilte hapur kundër Hitlerit: “Ti duhet të këmbëngulësh për të drejtën tënde të pamohueshme, që të vendosësh në mënyrë të pavarur mbi çështjet e brendshme italiane”. Më vonë, ajo i shkruante Musolinit: “I dashuri im, më dhemb të shoh njerëzit e tu të dobët, që i ke nën urdhra. Mendo pak: Ti je Duçja, kapoja, edhe pse vetëm i disa të paktëve që të kanë mbetur, edhe pse i vetëm një metri katror”.

Gjithnjë e më shumë, Petaçi i kërkonte të dashurit të saj, të mos jepej, sikurse bënte në një letër të datës 5 qershor 1944: “Vetëm guxim, Ben, vetëm guxim. Për sa kohë që ti ekziston, Italia e ka fitoren të sigurt”. Por punët nuk ishin aspak ashtu, pasi kontrolli mbi Italinë, Benit të saj kishte kohë që i kishte rrëshqitur.

Në mbrëmjen e 25 prillit 1945, Musolini, së bashku me Petaçin, si dhe me një grusht të besuarish, u përpoq të lëvizte nga Milano në drejtim  të veriut. Në Dongo, në brigjet e liqenit të Komos, rrugën, autokolonës së drejtuar nga gjermanët, ia zunë partizanët. Musolini, që ishte maskuar i veshur me një uniformë të Wehrmacht-it gjerman, tashmë kish mbaruar – sikurse dhe e dashura e tij: 33-vjeçarja kishte tentuar një arrati me familjen drejt Spanjës.

Më 28 prill, çifti u qëllua nën rrethana akoma të pasqaruara edhe sot e kësaj dite, nga partizanët – vetëm dy ditë para se Hitleri dhe “zonja e tij e zemrës”, Eva Braun, të vendosnin t’i jepnin fund jetës në bunkerin e Führer-it në Berlin. Përse diktatori duhej të vdiste, mund të thotë dikush. Nëse ai do t’u ishte dorëzuar aleatëve, do të kishte dalë para një gjykate krimesh: “E gjithë Italia do të kishte shkuar bashkë me të në gjyq”, do të thoshte kohë më vonë, gjenerali italian dhe ish-shef i rezistencës antifashiste, Raffale Cadorna.

Por, përse arma u drejtua edhe kundër të dashurës së tij? A mos ajo vallë do të shndërrohej në dëshmitaren e padëshiruar të vrasjes së Duçes, apo mos ndoshta thjesht nga pakujdesia? A u përdhunua ajo nga partizanët para se ta vrisnin, siç pretendonte Giorgio Pisanò, një gazetar i ekstremit të djathtë italian, në vitin 1996? –  Përgjigje akoma nuk ka për këto pyetje.

Në natën e 29 prillit 1945, rreth orës 2.30, anëtarët e rezistencës, i vendosën trupat e dy të dashuruarve, sikurse edhe disa trupa të tjerë fashistësh të vrarë prej tyre, në Milano, në sheshin “Piazzale Loreto”: pikërisht atje, ku tetë muaj më parë, 15 partizanë italianë me urdhër të gjermanëve, ishin qëlluar për vdekje. Turma njerëzish vërshuan atë mëngjes drejt sheshit, për të parë çiftin më të famshëm të kohës.

Disa syresh qëlluan tërë duf edhe gurë mbi trupat e vdekur të tyre, e një grua madje qëlloi disa herë me armë ndaj kufomës së Musolinit. Kur sulmet nisën të dalin jashtë kontrollit, trupat e Petaçit, Musolinit, Alessandro Pavolinit, si dhe të tre fashistëve të tjerë, u varën kokëposhtë në një pikë karburanti, më lart se turma e irrituar.

“Fati të donte në anën time. Atje do të qëndrosh, le të na kushtojë sa të dojë, tani e në të ardhmen”, kishte profetizuar Musolini ndaj të dashurës së tij më 5 prill 1944. “Duçja” duket se paskësh pasur të drejtë. A.P.

Burimi: Der Spiegel

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button