Ekonomia

Klosi: Në Korçë ka 6500 vende të lira pune, por duhen profesionistë

Punësimi, puna e denjë dhe arsimi profesional ishin në qendër të takimit që ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi zhvilloi me drejtues të zyrave të Punës, shkollave profesionale, Inspektoratit të Punës dhe biznesit në qytetin e Korçës. Në fjalën e tij, ai theksoi se ashtu si në gjithë Shqipërinë, edhe aty ekziston një raport jo i drejtë mes kërkesave për punë dhe kërkesës së biznesit për punëtorë.

Kështu, ministri duke iu referuar të dhënave zyrtare të Zyrës së Punës Korçë, bëri të ditur se në të, gjatë vitit të shkuar janë regjistruar 6500 kërkesa për punë, të paraqitura nga sipërmarrja private. “Korça është një qark ku punohet e ku ka punë, dhe po të shohësh të dhënat tona të Zyrës së Punës, vetëm në vitin e kaluar, pra në vitin 2015 janë 131 biznese që kanë ofruar plot 6500 vende të reja pune. Kanë kërkuar ndihmën e zyrës Korçë, vende të cilat kanë qenë kryesisht në profesione të tilla, si në industri përpunuese, për punëtorë qepje/ tekstili, punëtorë qepje këpuce, kamerier, ndihmëskuzhinier, punonjës ndërtimi, inxhinierë ndërtimi e shumë të tjera”, – tha ministri Klosi.

Ai sfidoi të gjithë ata që nuk besojnë te këto shifra të shohin të dhënat zyrtare por edhe të kontaktojnë biznesin e rajonit të Korçës për të parë ofertën reale që vjen nga sipërmarrja për krahë pune. Por sipas tij, problemi që evidentohet është se në shumicën e rasteve kërkohen njerëz të kualifikuar, që kanë një zanat. Ndaj theksoi ministri, është e domosdoshme që këta punëtorë të paraqiten pranë qendrave dhe shkollave të formimit profesional për të ndjekur kurset për të marrë një zanat. “Ata që kanë një mundësi për të punuar të mos jenë abuzivë, por të shkojnë te zyrat e Punës, të shkojnë te shkollat dhe qendrat profesionale dhe të marrin një zanat. Dhe ne si institucione, të luajmë gjithmonë e më mirë rolin koordinues mes biznesit dhe zyrave të Punës, për të pasur mundësi që punëtorë të kualifikuar të gjejnë vende pune dhe për punëtorët që duan të punojnë, realisht ka punë. Kjo pasi në Shqipëri ka punë, por në Shqipëri duhen profesionistë”, – shtoi Klosi.

Ai inspektoi gjithashtu ambientet e ndërmarrjes së përpunimit të mishit “Tona” në qytetin e Korçës, e cila ka përfituar dy herë nga programet e nxitjes së punësimit dhe që këtë vit kërkon të aplikojë sërish me qëllim që të punësojë edhe 50 punëtorë të tjerë, të cilët do t’i shërbejnë zgjerimit të biznesit. Ministri Klosi mori pjesë gjithashtu edhe në analizën e punës për rajonin Korçë-Elbasan të Inspektoratit Shtetëror të Punës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button