Ekonomia

Klosi tryezë me ambasadorët për arsimin profesional: 26 mijë vende të reja pune

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka prezantuar para ambasadorëve dhe donatorëve të huaj në vendin tonë vizionin dhe nevojën për vijimin e reformës së Arsimit dhe Formimit Profesional, për ta shndërruar atë në mundësi jo vetëm punësimi por edhe zhvillimi ekonomik.

Ministri Klosi në prezantimin e tij theksoi se për qeverinë shqiptare, mbështetja për këtë arsim do të thotë mbështetje për një punë të sigurt dhe të denjë. “Kur ne flasim për arsimin profesional, ne flasim për disa mundësi më shumë për ekonominë shqiptare, për të pasur mundësi që ajo të rritet dhe të forcohet duke ofruar njerëz me aftësi profesionale; flasim për një mundësi për të ngritur një klasë të tërë të shtresës së mesme shqiptare, ku njerëzit jetojnë nëpërmjet punës së ndershme dhe janë të gatshëm t’i afrohen sistemit në të cilin ndodhemi me profesionin e tyre, me aftësitë dhe karrierën e tyre të suksesshme”, – tha ministri Klosi.

Më tej ai shtoi se të ndjekësh arsimin profesional në vendin tonë, tashmë ke një mundësi më shumë se të tjerët që të përballesh si me tregun vendas të punës, ashtu edhe me atë europian. “Duke folur për arsimin profesional, ne kemi mundësi që në Shqipëri të ndërtojmë një gjeneratë tërë njerëzish, të cilët janë të gatshëm jo vetëm për tregun shqiptar të punës, por edhe për tregun europian. Shembujt e parë janë në rrugë të mbarë dhe ne kemi sot qytetarët e parë shqiptarë, të cilët mund të punësohen si europianë vetëm sepse ata kanë ndjekur arsimin profesional”, – tha ministri para ambasadorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, që kanë mbështetur në vijimësi vendin tonë për të çuar më tej reformën në Arsimin Profesional.

Gjithashtu, ai bëri të ditur se, pavarësisht numrit të madh të punëkërkuesve të regjistruar në zyrat tona të Punës, ekziston paralelisht edhe një situatë tjetër, ku më shumë se 26 mijë vende pune mbeten në pritje të një punëtori të kualifikuar.

“Së bashku me ju, zotërinj ambasadorë, dhe së bashku me përfaqësues të komunitetit donator, ne duhet t’i japim përgjigje pyetjes: përse Arsimi Profesional në Shqipëri? Sepse kemi shumë njerëz që kërkojnë punë dhe kemi po ashtu 26 mijë vende të reja pune, të cilat kërkojnë punëtorë të kualifikuar. Sigurisht që kemi shumë probleme dhe problemi ynë kryesor është që këta njerëz të papunë t’i bëjmë profesionistë të vërtetë, që mund të jetojnë me punë të ndershme dhe me këtë punë të ndershme mund t’i afrohen tregut shqiptar dhe tregut europian të punës. Diferenca ndërmjet vendeve bosh të kërkuara dhe njerëzve që kërkojnë punë në Shqipëri mund të reduktohet vetëm duke shkuar në shkollat e mesme të Arsimit Profesional”, – tha Klosi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button