Koment: Gënjeshtra e azilit
Nuk është vetëm varfëria shkaku për arratinë dhe dëbimin, para së gjithash janë luftërat dhe terrori. Prandaj ndihma për zhvillimin nuk mund ta zëvendësojë demokracinë. Politikanët duhet ta pranojnë këtë.
Na ishte njëherë një përrallë politike. Ngjarjet e saj zhvilloheshin në Bonn-in kaq të paqtë. Politikanët e tregonin atë çdo mbrëmje në televizion. Ata donin të ndihmonin refugjatët, thonin ata, me shumë para. Ata donin të vizitonin refugjatët në vendet e tyre, të ndërtonin shkolla, të ngrinin spitale dhe të shtrinin tubacione uji. Ata donin të sillnin paqe dhe pajtim.
Kanë kaluar më shumë se 20 vjet që kur politikanët kanë nisur ta tregojnë këtë përrallë. Ajo mban titullin “t’i luftojmë shkaqet e arratisë në vendet e origjinës” dhe çoi në 23 maj 1993 në një kufizim masiv të së drejtës bazë për të marrë azil, e drejtë e sanksionuar në nenin 16 të kushtetutës gjermane. Edhe deputetë socialdemokratë i besuan asaj. Ata votuan atëherë në Bundestag pro kompromisit të diskutueshëm për azilin.
Ndihma për zhvillimin nuk pengon luftëra
Përralla gjeti një fund të hidhur. Raporti më i fundit për refugjatët i Amnesty International e demaskon ëndërrnajën politike si gënjeshtër për refugjatët. Sepse megjithë buxhetet në rritje për bashkëpunimin ndërkombëtar, mbi 50 milionë vetë ndodhen në arrati – numri më i madh që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.
Është më se e dukshme: krizat globale të refugjatëve nuk pengohen dot me para për luftimin e shkaqeve të supozuara të arratisë në zonat e krizës. As lufta e tanishme në Siri, as luftërat ballkanike të viteve 90 me masakrat në Bosnjë dhe në Kosovë nuk do të qenë penguar me mbështetje për projekte ndihme dhe zhvillim ekonomik.
Natyrisht, ministrave gjermanë nuk mund t’ua marrësh për keq, kur me fjalë të mëdha si paqe, parandalim i terrorit ose liri bëjnë publicitet për buxhetin e institucionit të tyre. Është edhe e drejtë, që rritja e buxheteve për ndihmën në zhvillim ka rëndësi fundamentale, për të pakësuar varfërinë në të gjithë botën, për të përmirësuar shanset për shkollim dhe për të zgjeruar infrastrukturën në vendet në zhvillim dhe në ekspansion. Por është qëndrim i guximshëm të supozosh se vetëm ndihma për zhvillimin mund të sigurojë paqe dhe siguri. Përvoja tregon se kjo ndihmë i mbështet proceset e paqes, por nuk mund t’i krijojë parakushtet politike për to.
Armë për diktatorët
Prandaj është e papërgjegjshme, kur politikanët në Gjermani pohojnë herë pas here, se me para shtesë mund të luftohen shkaqet e largimit të refugjatëve në vendet e krizës. Për më tepër: përalla e politikës së zhvillimit të mbulon veç kësaj vështrimin ndaj nevojës për masa vërtet të rëndësishme dhe kontribuon në këtë mënyrë që të pengohet debati urgjent për politikën ndaj refugjatëve si dhe i lë pa përgjigje pyetje të parehatshme.
Ndihma është kërkesë humanitare
Diktatorëve si Presidenti i Sudanit, Omar Hassan Ahmad al-Baschir ose Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad u vjen shumë për hosh kjo mungesë koherence politike. Edhe në Zimbabve, në Arabinë Saudite, në Rusi dhe në Kinë, loja e dëbimit dhe përndjekjes është pjesë e repertorit politik, siç e tregon bllokada e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Por ora e përrallës politike ka kaluar. Dramat e refugjatëve në Mesdhe si dhe para brigjeve të Indonezisë dhe të Malajzisë nuk lejojnë më spostimin e problemit. Gjermania dhe Evropa duhet të arrijnë një politikë të përbashkët, humanitare për refugjatët. Jo vetëm për të shpëtuar jetë njerëzish, por edhe për t’u dalluar nga regjimet që i përçmojnë njerëzit. Sepse vlerat duhet të mbrohen në realitet, jo në përralla.