Koment: Ukraina mes falimentimit dhe luftës
Petro Poroshenko u premtoi ukrainasve një jetë më të mirë. Por nuk ka shenja për këtë në horizont. Me të drejtë kritikat kundër presidentit po rriten. Një vit pas zgjedhjes ai duhet të veprojë, komenton Bernd Johann.
Ai u premtoi bashkëkombasve reforma dhe një perspektivë europiane. Me sloganin “Për një jetë më të mirë” biznesmeni dhe politikani, Petro Poroshenko u zgjodh para një viti president i Ukrainës (Më 25 Maj 2014 në zgjedhjet presidenciale në Ukrainë, Poroshenko fitoi bindshëm. shën.red.). Ai premtoi po ashtu se do ta ndryshonte vendin sipas modelit europian. Por ndërkohë janë rritur dyshimet nëse ky premtim do të bëhet realitet. Edhe afrimi me BE-në duket më i vështirë se mendohej. Në samitin e partneritetit lindor, BE premtoi edhe më tej mbështetje për Ukrainën. Marrëveshja për tregtinë e lirë do të praktikohet nga viti 2016, por ende nuk po gjendet një rrugë për liberalizimin e vizave. Perspektiva e anëtarësimit në BE mbetet për momentin e ngrirë. BE tregon kujdes edhe për interesat ruse.
Shumë larg jetës më të mirë
Ndërkohë Ukraina përplaset mes falimentimit shtetëror dhe luftës. Me Fondin Monetar Ndërkombëtar Kievi po negocion për ofrimin e ndihmave të tjera. Në qershor priten vendimet konnkrete. Paralelisht me këtë vazhdojnë detyrimet që Ukraina u ka kreditorëve ndërkombëtarë, gati të pamundura për t’u paguar. Ristrukturimi apo falja e borxheve, siç po përpiqet për momentin Ukraina, janë skenarët që po diskutohen. Por vendi kërcënohet edhe mungesa e plotë e likuiditetit, gjë që mund të ketë pasoja të mëdha në tregjet financiare, por sidomos për vetë Ukrainën. Që nga shpërthimi i luftës niveli i jetesës së popullsisë është ulur dukshëm. Ukrainasit e shohin veten shumë larg mundësisë për një jetë më mirë. Kjo është e vërteta e hidhur.
Një nga arsyet është edhe lufta me separatistët në Lindje të Ukrainës e mbështetur nga Rusia. Shpenzimet e mëdha të luftës nuk mund të përballohen pafundësisht nga Ukraina. Megjithëse përkrahësit e vijës së ashpër në Kiev – në qeveri dhe në Këshillin Kombëtar të Sigurisë – ende bëjnë sikur do ta zgjidhin këtë problem ushtarakisht. Nuk ka një zgjidhje të tillë. Këtë e kanë bërë të qartë dështimet e muajve të fundit. Përveç kësaj edhe urgjenca financiare e vendit i tregojnë kufijtë kësaj rruge.
Jo zgjedhje ushtarake për luftën në Lindje
Presioni për veprim ndaj Poroshenkos po rritet. Brenda vendit ai ende paraqitet i sigurtë në fitore. Në mënyrë demonstrative presidenti paraqitet me uniformë ushtarake para ushtarëve. Sigurisht Ukraina është e kërcënuar dhe duhet të mbrohet. Në Lindje rrezikon një shkallëzim i ri i situatës: Qyteti i rëndësishëm port, Mariupol është vënë në fokusin e separatistëve, madhe çdo kohë mund të pritet një sulm. Por fuqia demonstrohet edhe në dialog dhe gadishmërinë për kompromis. Në komunikimin me politikanët e huaj, Poroshenko e tregon këtë aftësi. Në këto bisedime ai kërkon zgjidhje politike, duke qenë në një linjë me Gjermaninë dhe partnerët europianë. Perëndimi e mban presionin ndaj Moskës përmes sanksioneve. Por në të njëjtën kohë duhen bërë negociata edhe me separatistët. Nuk ka alternativë tjetër për këtë- veç luftës. Armëpushimi i negociuar para më shumë tre muajsh është më se i brishtë. Por zbatimi i plotë i ujdisë së arritur në Minsk është rruga e vetme për ta shpëtuar Ukrainën nga një gjakderdhje edhe më e madhe.
Tek vullneti për reforma bën pjesë edhe lufta kundër oligarkëve
Vetëm kështu mund të arrihet një stabilizim politik dhe ekonomik i të gjithë Ukrainës. Akoma në vend sundon korrupsioni dhe nepotizmi. Oligarkët e pasur të kampeve të ndryshme vendosin në prapaskenë dhe kontrollojnë industritë kyçe të vendit. Të krijohet përshtypja se ata ende nuk preken dot nga ligji dhe drejtësia. Nuk mund të flitet se Ukraina ndodhet para një epoke të re në luftën kundër kësaj epidemie të rëndë për vendin. Prandaj me të drejtë kritikat ndaj qeverisë po rriten. Në qendër të tyre kryeministri Arsenij Jazenjuk. Shumë ukrainas e akuzojnë atë për mungesë të vullnetit për reforma.
Po Poroshenko? Presidenti ende ngurron. Sidomos kur bëhet fjalë për të kufizuar pushtetin e oligarkëve. Ndoshta sepse ai është vetë njëri prej tyre. Në votimet presidenciale ai kishte premtuar se do të ndahej nga biznesi i tij. Deri më tani kjo nuk është bërë. Po qe se Poroshenko vërtet do një jetë më të mirë për qytetarët e vendit të tij, atëherë ai duhet të veprojë në luftën kundër oligarkëve. Tjetra, Poroshenko ka nevojë për një kryetar qeverie që ta ndjekë atë në këtë rrugë.