Ekonomia

Komisioni i Ekonomisë miratoi marrëveshjen me IFC për forcimin e zhvillimit të sektorit privat

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të hënën marrëveshjen e konsulencës me Korporatën Financiare Ndërkombëtare.

Përmirësimi i klimës së biznesit, si një prioritet i programit të qeverisë, po mbështetet nga institucione të ndryshme ndërkombëtare, Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), anëtare e grupit të Bankës Botërore, si dhe nga institucionet shqiptare me ekspertizë për përmirësimin e klimës së biznesit.

Për këtë qëllim, më 18 gusht 2015 është nënshkruar marrëveshja e konsulencës ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC).
Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje kjo korporatë (IFC) do të ofrojë mbështetje në forcimin e zhvillimit të sektorit privat në Shqipëri, duke u fokusuar kryesisht në fushat e tregtisë, investimeve, mjedisit të biznesit dhe konkurrueshmërisë, me fokus të veçantë në agrobiznes.

IFC-ja , referuar marrëveshjes, ka rënë dakord të sigurojë shërbimet e konsulencës sipas projektit të tregtisë dhe investimeve në agrobiznes të Ballkanit Perëndimor, të zbatuar në Shqipëri, dhe projektit të këshillimit mbi reformën e treguesve për Evropën dhe Azinë Qendrore. Për këtë, do të ngrihet një grup pune për të menaxhuar projektin në emër të qeverisë shqiptare, i përbërë nga një përfaqësues i kabinetit të Kryeministrit, një përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe një përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.

Shërbimet e konsulencës kanë të bëjnë me reformat bazuar në tregues, politikën e investimeve, rregulloret e biznesit si dhe qasjen në treg.

Kostoja totale e shërbimit të konsulencës nga IFC-ja, e parashikuar në këtë marrëveshje është 1 730 000 (një milion e shtatëqind e tridhjetë mijë) dollarë amerikanë. Qeveria shqiptare do të kontribuojë me 140 000 (njëqind e dyzet mijë) dollarë amerikanë në para dhe 300 000 (treqind mijë) dollarë në natyrë, që konsiston në ofrimin e ambienteve të klientit për organizimin e takimeve, vënien në dispozicion të stafit për përmbushjen e qëllimeve të marrëveshjes.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button