Te ndryshme

Kompleksi i Napoleonit, sa të vërteta janë ato që thuhen për burrat e shkurtër?

A është i vërtetë kompleksi i Napoleonit që thotë se burrat e shkurtër janë më agresivë dhe më xhelozë sesa ata që janë më të gjatë? Studimet vihen përballë njëra-tjetrës për të zbuluar të vërtetën

Trashëgimia e Napoleon Bonapartit është shumë e madhe. Ai reformoi sistemin ligjor kontinental, bëri që shumica e Europës dhe botës të lëvizë djathtas dhe deri përpara mundjes në Vaterlo 200 vjet më parë, ai ishte një nga liderët ushtarakë më të mëdhenj në histori.

Por ai la emër edhe për diçka më pak të rëndësishme që konsiderohet si kompleksi i Napoleonit, sindromë sipas së cilës burrat shtatshkurtër sillen me agresivitet, xhelozi dhe i japin rëndësi vetes për të kompensuar mungesën e gjatësisë.

Besohet se nga kjo vuajti Stalini, Musolini dhe Atila i hunëve. Disa kritikë thonë se ka ndihmuar në shpjegimin e sjelljes së ish-presidentit francez Nikolas Sarkozi, 167 cm i gjatë.

Debati është ringjallur kohët e fundit, duke sjellë edhe një herë në vëmendje nëse ekziston vërtet një gjë e tillë si sindroma e burrave të shkurtër dhe nëse mund të ndikojë gjatësia në personalitet?

Kompleksi i Napoleonit u identifikua më 1926-n nga psikiatri austriak Alfred Adler, që doli me idenë e kompleksit të inferioritetit, ku ata që vuanin prej tij shfaqnin një mungesë të vetëvlerësimit.

Megjithëse Napoleoni mendohet të ketë qenë i shkurtër, 170 centimetra, kjo ka qenë gjatësia mesatare e burrave në fund të shekullit 18. Çudia u shtua për shkak të portreteve të diktatorit, i cili qëndronte krah rojave të gjatë.

Kompleksi ka mëdyshur psikologët për më shumë se një shekull. Disa thonë se bëhet fjalë për një fenomen të vërtetë, ndërsa të tjerë besojnë se nuk ka prova për ekzistencën e tij.

Çfarë është e sigurt, është fakti se njerëzit e gjatë janë më të pasur, kanë më shumë sukses në punë, janë më të shëndetshëm dhe kanë jetë romantike më të mirë se ata që janë më të shkurtër.

Një studim i vitit 2004 zbuloi se personat e gjatë fitojnë më shumë. Ai përllogariti se çdo tre centimetra gjatësi i shtonte rreth 789 dollarë më shumë rrogës vjetore të dikujt.

Më pas një kërkues bëri një sondazh për menaxhimin e gjysmës së kompanive më të njohura në SHBA dhe zbuloi se 58 për qind e shefave ekzekutivë ishin të paktën 180 cm të gjatë.

Që nga viti 1916, periudhë kur politikanët janë shfaqur në ekrane, kandidati amerikan presidencial më i gjatë ka fituar 17 herë, kandidati më i shkurtër vetëm gjashtë herë.

Studime të tjera kanë treguar se burrat e gjatë e kanë më të lehtë të gjejnë një partnere afatgjatë dhe se adoleshentët e gjatë gjejnë më me lehtësi të dashura.

Njerëzit e shkurtër kanë më shumë gjasa të tkurren, të kenë sëmundje zemre, të jenë të palumtur dhe të mos jetojnë shumë gjatë.

Askush nuk e di me saktësi se përse njerëzit e gjatë dhe veçanërisht burrat e gjatë, ia dalin më mirë në jetë. Mund të jetë e lidhur me evolucionin. Burrat e gjatë shihen nga gratë si më të shëndetshëm, më në formë të mirë trupore dhe si më të fortë.

Të gjatët ngjajnë më me vetëbesim, më të sigurt në dijet që kanë dhe si rezultat kjo mund të sjellë përfundime më të mira në provime, në perspektivën e karrierës dhe në jetën romantike.

Por a ka prova për zemërimin e burrave të shkurtër? Një provë në mbështetje të kësaj teorie erdhi prej profesorit Abraham Buunk nga Universiteti Groningen i Holandës. Ai intervistoi 100 burra dhe 100 gra në marrëdhënie dashurie dhe zbuloi se burrat me gjatësi deri në 164 cm ishin më xhelozë.

Për gratë ai zbuloi se si ato të gjata dhe ato të shkurtra shfaqnin më shumë xhelozi se femrat me gjatësi mesatare.

Por eksperimente të tjera nuk kanë shfaqur prova për një kompleks Napoleoni.

Një studim i vitit 2007 në Britani zbuloi se burrat e gjatë nervozoheshin më shpejt se ata të shkurtër kur provokoheshin nga të tjerët.

Kritikët kanë shprehur mendimin se shpesh bëhen gabime kur lidhen defektet e personalitetit me gjatësinë. Sipas tyre, ka edhe plot burra të tjerë të shkurtër që janë të qetë e paqësorë. Për shembull, Gandi është i gjatë 161 cm.

Nëse sindroma e Napoleonit është e dobët te burrat, te gratë ajo nuk ekziston. Disa studime kanë treguar se femrat më të shkurtra kanë më pak me besim te vetja, gjë që ndihmon të kuptohet përse ato kanë nevojën të veshin taka të larta për të nxitur vetëvlerësimin.

Në fund të fundit duket se si burrat e gjatë edhe gratë e gjata dalin më mirë në punë dhe fitojnë më shumë para. Por e vërteta është se secili e bën vetë jetën e tij.

*Burimi: Daily Mail

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button