Konferenca me Hungarinë, Dervishaj: U investuan rreth 200 mln euro në ujësjellës
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj, ka marrë pjesë në punimet e Konferencës Shqipëri-Hungari. Në fjalën hapesë të konferencës, Dervishaj u ndal te investimet në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, ku në 4 vite janë investuar rreth 200 milion euro, në ujësjellës të rinj. Ai tha se nuk është nevojshme të ketë rritje të tarifave të ujit. “Jam shumë i nderuar që ndodhem në këtë konferencë, vetëm 1 javë pas inaugurimit që i bëmë linjës së parë ajrore low cost në Shqipëri, me Ministrin për Politikat e Transportit Hungarez. Një linjë ajrore shumë e rëndësishme dhe historike për qytetarët shqiptar. Por gjithashtu wizzair, do të ofrojë një shërbim shumë të mirë dhe cilësor, dhe mbi të gjitha me filozofinë e saj low cost, do të jetë një alternativë e rëndësishme dhe në aspektin financiar, pasi fluturimet do të jenë me çmime të arsyeshme. Ky forum është i rëndësishëm dhe tregon nivelin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona, veçanërisht për shërbimet që duhet ti ofrojmë qytetarëve, shkëmbimit të eksperiencës që mund të marrim prej njëri-tjetrit, dhe mbi të gjitha për të kryer sa më mirë detyrën tonë.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës e vlerëson së tepërmi sektorin e Ujit, dhe reformën tërësore që ne kemi ndërmarrë në këtë sektor.
Dua të shpreh një falënderim për ish Ministrin Edmond Haxhinasto, për fokusin e veçantë që I ka dhënë kësaj reforme dhe frutet e saj tashmë po ndihen.
Bashkë me donatorët si Qeveria Gjermane me KFË, Banka Botërore, Bashkimi Europian etj, I kemi kushtuar një vëmendje sektorit të ujësjellës kanalizimeve, ku kemi investuar së tepërmi.
Vetëm javën e kaluar kemi inauguruar ujësjellësin e ri të Sarandës me vlerë 6,7 milion euro, ndërsa kemi inauguruar më parë edhe ujësjellësin e Beratit, Lushnjës, Peshkopisë etj. Investimet në sektor në 4 vite , shkojnë deri në 200 milion euro, një pjesë me buxhet dhe donatorët. Kemi shtruar qindra kilometra me rrjet të ri në gjithë vendin”, tha Dervishaj.