Konferenca ndërqeveritare Shqipëri-BE, qeveria: Hyjmë në fazën e re të negociatave! Vendimi vlerëson ecurinë dhe reforma
Në 26 maj në Bruksel do të zhvillohet konferenca e 8-ë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Pas këtij vendimi të marrë nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (COREPER), Shqipëria hyn në një fazë të re të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian (fazës së mbylljes së negociatave).
Qeveria shqiptare e ka cilësuar vendimin e marrë sot si një moment të rëndësishëm për ecurinë e negociatave me Bashkimin Europian.
Sipas Qeverisë, vendimi i sotëm konfirmon progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve kyçe në procesin e negociatave për anëtarësim, forcim të shtetit të së drejtës dhe konsolidimit të institucioneve demokratike.
“Ky vendim përbën një moment të rëndësishëm në ecurinë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe konfirmon progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve kyçe të procesit të negociatave për anëtarësim, të shtetit të së drejtës dhe konsolidimit të institucioneve demokratike”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e Qeverisë.
Po ashtu, sipas Qeverisë, ky vendim vlerëson ‘progresin e Shqipërisë në konsolidimin e reformës në drejtësi, si dhe në funksionimin e pavarur, efikas e integritetin e institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të pavarura, si dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, ky vendim vlerëson progresin në fushën e të drejtave të njeriut, përfshirë lirinë e shprehjes dhe të medias, të drejtën e pronës, respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare, barazinë dhe mosdiskriminimin, në përputhje me standardet dhe vlerat themelore të Bashkimit Evropian.’
Njoftimi i Qeverisë:
Shqipëria hyn në fazën e re të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Konferenca e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Evropian, që do të mbahet në Bruksel më 26 Maj 2026, i hap rrugën fazës së mbylljes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian
Agjencia për Media dhe Informim ju bën me dije vendimin e miratuar sot nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (COREPER) për mbajtjen e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Evropian,
Sipas këtij vendimi konfirmohet plotësimi i Kushteve të Ndërmjetme në Grupkapitullin i “Themelorët”, si dhe përcaktohen Kushtet për Mbylljen e negociatave për anëtarësim, për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.
Mbajtja e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare hap zyrtarisht rrugën për futjen e Shqipërisë në fazën e mbylljes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Ky vendim përbën një moment të rëndësishëm në ecurinë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe konfirmon progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve kyçe të procesit të negociatave për anëtarësim, të shtetit të së drejtës dhe konsolidimit të institucioneve demokratike.
Ky vendim vlerëson progresin e Shqipërisë në konsolidimin e reformës në drejtësi, si dhe në funksionimin e pavarur, efikas e integritetin e institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të pavarura, si dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, ky vendim vlerëson progresin në fushën e të drejtave të njeriut, përfshirë lirinë e shprehjes dhe të medias, të drejtën e pronës, respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare, barazinë dhe mosdiskriminimin, në përputhje me standardet dhe vlerat themelore të Bashkimit Evropian.
Vendimi i sotëm rikonfirmon mbështetjen e Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe vlerëson angazhimin e institucioneve shqiptare në zbatimin e reformave transformuese, për forcimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin demokratik dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror.
Shqipëria, e mbështetur në progresin e deritanishëm dhe e udhëhequr nga një vizion i qartë evropian, mbetet e vendosur të thellojë reformat dhe rezultatet në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, prokurimit publik, statistikave dhe kontrollit financiar, të Grupkapitullit I “Themelorët” dhe më gjerë, dhe të ecë me ritëm të qëndrueshëm në plotësimin e kritereve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, brenda kësaj dekade.
Ky është Projekti Madhor Kombëtar i Transformimit Evropian të Shqipërisë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.