Ekonomia

Koronavirusi, Gent Sejko: BSh ul normën e interesit nga 1% në 0,5%, të minimizojmë pasojat e pandemisë

Një masë për të luftuar efektet e përhapjes së koronvirusit ka ndërmarrë sot edhe Banka e Shqipërisë.  Në një dalje për mediat, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko njoftoi uljen e normës bazë të interest nga 1% në 0,5%, niveli më i ulët ky në histori. “Sot, në mbledhjen e datës 25 mars 2020, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të lehtësojë më tej qëndrimin e politikës monetare dhe kushtet monetare e financiare në vend. Më konkretisht, Këshilli Mbikëqyrës vendosi: Të ulë normën bazë të interesit, nga 1.0% në 0.5%; Të ulë normën e interesit të kredisë njëditore, nga 1.9% në 0.9%; Të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 0.1%.

Përhapja e pandemisë COVID-19 në Shqipëri përbën një sfidë për ekonominë dhe sektorin tonë financiar. Masat e nevojshme të kujdesit, të marra nga autoritetet publike dhe private për të kufizuar përhapjen e virusit COVID-19 në popullsi, do të kenë dhe një ndikim të dyfishtë në aktivitetin ekonomik. Nga njëra anë, reduktimi i përkohshëm i prodhimit dhe punësimit sjell uljen e ofertës së mallrave e shërbimeve në treg dhe reduktimin e të ardhurave të familjeve. Nga ana tjetër, distancimi social sjell rënien e kërkesës, si dhe tkurrjen e shitjeve, të të ardhurave dhe të likuiditetit të bizneseve.” tha Sejko.

Fjala e plote:

Ndodhem sot para jush, në këtë format jo të zakonshëm komunikimi, për t’ju bërë me dije vendimin e fundit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Ky vendim merret në vazhdim të masave të mëparshme të Bankës së Shqipërisë për zbutjen e ndikimit të pandemisë COVID-19 në shëndetin ekonomik dhe financiar të vendit. Sot, në mbledhjen e datës 25 mars 2020, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të lehtësojë më tej qëndrimin e politikës monetare dhe kushtet monetare e financiare në vend. Më konkretisht, Këshilli Mbikëqyrës vendosi: Të ulë normën bazë të interesit, nga 1.0% në 0.5%;
Të ulë normën e interesit të kredisë njëditore, nga 1.9% në 0.9%. Të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 0.1%.

Përhapja e pandemisë COVID-19 në Shqipëri përbën një sfidë për ekonominë dhe sektorin tonë financiar. Masat e nevojshme të kujdesit, të marra nga autoritetet publike dhe private për të kufizuar përhapjen e virusit COVID-19 në popullsi, do të kenë dhe një ndikim të dyfishtë në aktivitetin ekonomik. Nga njëra anë, reduktimi i përkohshëm i prodhimit dhe punësimit sjell uljen e ofertës së mallrave e shërbimeve në treg dhe reduktimin e të ardhurave të familjeve. Nga ana tjetër, distancimi social sjell rënien e kërkesës, si dhe tkurrjen e shitjeve, të të ardhurave dhe të likuiditetit të bizneseve.

Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, ulja e normës bazë të interesit është një masë e nevojshme për reduktimin e kostos së huamarrjes së re, për reduktimin e kostos së shërbimit të borxhit ekzistues dhe për lehtësimin e qarkullimit të likuiditetit në bizneset dhe familjet shqiptare. Ajo ndihmon funksionimin sa më normal të mekanizmit të transmetimit të politikës monetare si dhe lehtëson presionin mbi bilancet financiare të operatorëve ekonomikë, duke iu dhënë atyre më shumë kohë, hapësirë dhe frymëmarrje për përballimin e goditjes.

Ky vendim i sotëm plotëson masat e tjera që kemi marrë për minimizimin e efekteve të pandemisë. Gjatë ditëve të fundit: Banka e Shqipërisë ka rritur kapacitetet operacionale për të garantuar furnizimin e ekonomisë me monedhë dhe kartëmonedhë, si dhe për të garantuar funksionimin normal të sistemit të pagesave elektronike. Brenda kufizimit orar të lëvizjes të vendosur nga autoritetet publike, të gjithë operatorët ekonomikë duhet të jenë të vetëdijshëm se sistemi i pagesave do të funksionojë normalisht.

Banka e Shqipërisë ka adoptuar strategjinë operacionale të injektimit të pakufizuar të likuiditetit në sektorin bankar. Ky sektor, dhe nëpërmjet tij bizneset, familjet dhe sektori publik, do të kenë mundësi të tërheqin pranë Bankës së Shqipërisë të gjithë likuiditetin e nevojshëm dhe të kërkuar prej tyre.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të lehtësojë procedurat e shtyrjes me një tremujor të pagesës së kësteve të kredisë për bizneset dhe familjet e prekura nga kriza, duke i ofruar sektorit bankar hapësirat e nevojshme rregullatore për ta bërë këtë.

Këto masa që ne kemi marrë, brenda fushës sonë të kompetencës, mundësojnë dhe plotësojnë paketën fiskale të shpallur nga qeveria shqiptare, e cila synon të zhvendosë një pjesë të faturës financiare të përballimit të krizës nga sektori privat në sektorin publik. Këshilli Mbikëqyrës mbetet në monitorim të vazhdueshëm të situatës. Në linjë me masat e marra nga bankat e tjera qendrore dhe në varësi të evoluimit të situatës, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet operacionale dhe hapësirën rregullatore që disponon për të minimizuar pasojat e pandemisë në ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar.

Në çdo rast, objektivi i aksionit tonë do të jetë ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit, lehtësimi i kostove të krizës për bizneset dhe familjet shqiptare, dhe krijimi i premisave për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë në periudhën vijuese. Plotësimi i këtyre parakushteve i hap rrugë respektimit të objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm dhe të gjatë. Masat tona monetare, rregullatore dhe institucionale, do të qëndrojnë në fuqi për sa kohë do të jetë e nevojshme. Në një perspektivë më afatgjatë, Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të theksojë se mesazhet që kemi dhënë në vazhdimësi mbi shëndetin e ekonomisë dhe të sistemit bankar shqiptar mbeten të vlefshme. Më lejoni t’i ritheksoj: Shqipëria gëzon shëndet të mirë ekonomik dhe financiar; parametrat e funksionimit të ekonomisë dhe të sektorit bankar janë të shëndetshëm; rezervat e likuiditetit dhe të kapitalit të sektorit bankar shqiptar janë të larta.

Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës vëren se minimizimi i pasojave afatgjata të pandemisë kërkon përpjekje serioze, të koordinuara dhe të harmonizuara, nga të gjitha autoritetet publike dhe private në vend.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button