Kosova

Kosova anëtarësohet në Konventë të Hagës

Republika e Kosovës anëtarësohet në Konventë të Hagës (Konventa e Apostiles) dhe merr zyrtarisht pjesë në takimin e katërt.

Në një njoftim zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës thuhet se në datat 2-4 nëntor, është mbajtur takimi i katërt i Komisionit Special mbi operimin praktik të Konventës së Hagës mbi heqjen e Kërkesës për Legalizimin e Dokumenteve të Huaja Publike (Konventa e Apostiles), ku për herë të parë ka marrë pjesë edhe Kosova.

“Ky takim kishte një rëndësie të veçantë, pasi është hera e parë që Republika e Kosovës anëtarësohet në Konventën e Hagës dhe gjithashtu është hera e parë që zyrtarisht merr pjesë në një takim të tillë”, thuhet në njoftim nga MPB.

MPB bën të ditur se në këtë takim diskutimet kryesore kishin të bënin me përvojat e disa shteteve anëtare të cilat kanë filluar të praktikojnë apostilen elektronike, ku u shpalosën përparësitë dhe të metat e saj, ashtu sikurse që iu bë thirrje shteteve tjera që të fillojnë të mendojnë për kalimin nga apostilja e rëndomtë, pra në formë të letrës, në apostilen elektronike.

“Nga ana e delegacionit të Kosovës, respektivisht nga përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, shtetet anëtare të Konventës, u njoftuan në lidhje me aktivitetet e ndërmarra nga dy autoritetet kompetente për lëshimin e vulës apostile që nga koha e aderimit të Republikës së Kosovës në Konventë e deri më tani”, thuhet nga MPB.

MPB gjithashtu bën të ditur se gjatë kësaj pjesëmarrjeje delegacioni i Kosovës është ballafaquar me pengesat konkrete që i janë bërë nga Serbia sa i përket tentimit të bllokimit të pjesëmarrjes së Kosovës, në këto punime si dhe kërkesës së Serbisë, Rusisë, Argjentinës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Kinës që në dokumentet zyrtare të Byrosë për të Drejtën Ndërkombëtare Private, Kosova ta ketë edhe fusnotën duke insistuar në mbishkrimin lidhur me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Me këtë rast ka reaguar menjëherë delegacioni i Kosovës, i cili nuk është pajtuar me propozimet e tilla, duke e theksuar çdo herë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se nuk vjen në shprehje në asnjë formë dhe në asnjë rrethanë të diskutohet për shtetësinë e Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht tentativa e Serbisë që të bllokoj pjesëmarrjen tonë në këto punime, si dhe eventualisht t’ia imponoj nikoqirit që Kosova të paraqitet me fusnotë, dështoi në tërësinë e saj”, theksohet në njoftim.

Së fundmi MPB, përkatësisht Agjencia e Regjistrimit Civil, shpreh përkushtimin për zbatimin e obligimeve që dalin nga Konventa Apostile, si njëri ndër autoritetet kompetente në Kosovë për lëshimin e vulave apostile.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button