“Kosova është në udhëkryq”, Peka për 6 deputetët e LDK: Po shkaktojnë krizë shtetërore
Eksperti për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Avenir Peka ka deklaruar se kriza politike në Kosovë po vijon për shkak të kalkulimeve të partive politike, të cilat sipas tij nuk po vendosin në plan të parë interesin e vendit.
Peka u shpreh se Kosova prej rreth dy vitesh po përballet me kriza të përsëritura politike. Sipas tij, edhe nëse zgjedhjet përsëriten, i njëjti mekanizëm mund të prodhojë sërish bllokim.
“Ajo çfarë vërehet fatkeqësisht është që asnjëra nga partitë politike nuk po mendon për Kosovën, por po mendon për kalkulimet politike që ka edhe Kurti vetë, por edhe partitë e tjera. Kosova ka një sistem që në mënyrë që të konstituohet parlamenti për zgjedhjen e presidentit duhet të ketë një kuorum prej 80 votash. Pastaj numri që voton mjafton të jetë mbi 61 e sipër. Partitë politike që nuk pranojnë të marrin pjesë për krijimin e kuorumit nuk e kanë parimore. Duan të krijojnë prapë krizë.
Ka dy vjet që ecej me këtë krizë. Janë mbajtur disa palë zgjedhje, palët nuk kanë rënë dakord, janë përsëritur zgjedhjet dhe ka shkuar duke u përsëritur kriza. Problemi qëndron që sado që të përsëritet, për shkak të këtij mekanizmi prapë do të jetë ngërç”, tha Peka.
Sipas tij, Albin Kurti nuk ka nevojë të sigurojë 80 mandate për të qeverisur, pasi për formimin e një shumice parlamentare mjafton që një parti apo koalicion të sigurojë mbi 50 për qind të votave.
“Nuk mundet Kurti të marrë 80 mandate, e para. E dyta, nuk ka pse i merr 80 mandate. Kurtit apo kujdo tjetër, një partie të veçantë apo një grupi, një koalicioni parazgjedhor apo edhe pasgjedhor, i mjaftojnë të ketë mbi 50% të votave, 51% të votave”.
Lidhur me përgjegjësitë politike, Peka tha se këtë herë përgjegjësia bie edhe mbi partitë opozitare. Ai argumentoi se nëse dy partitë kryesore bien dakord për një president konsensual dhe apolitik, duhet të ekzistojë vullneti për bashkëpunim.
“Këtë herë ia lë partive opozitare, sepse mund të kesh çfarë të duash, dhe unë kam 1,000 vërejtje për Albinin , mund të kesh çfarë të duash vërejtje, por kur dy parti kryesore ulen me njëra-tjetrën dhe bien dakord për një president konsensual që është apartiak, që shkon përtej partive
Nëse gjashtë deputetë të LDK-së thonë që ne nuk pranojmë asnjë lloj kompromisi apo bashkëpunimi me Kurtin, ku është faji i Kurtit këtu? Faji i Kurtit është se është fituesi? Nëse dy partitë e tjera thonë që ne nuk bashkëpunojmë me Kurtin, ku është faji i Kurtit këtu? Kurti do kishte faj nëse këta që kundërshtojnë bashkëpunimin do të kishin vendosur një platformë parimore ku thoshin që “ne e mbështesim një kandidaturë për president nëse, pa shkuar te emrat, nëse përdoren këto parime apo nëse plotësohen një sërë kërkesash politike”, përfundoi Avenir Peka.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.