Kosova, kredi 42 milionë euro për rehabilitimin e hekurudhës
Qeveria e Kosovës përfitoi një kredi prej 42 milionë euro nga Banka Evropiane e Investimeve(BEI) për modernizimin e hekurudhës në linjën Mitrovicë-Hani i Elezit. Ky projekt, i cili u vlerësua mjaft i rëndësishëm për lidhjen e rrjetit hekurudhor me Ballkanin dhe BE-në, pritet të fillojë së implementuari në vjeshtën e vitit të ardhshëm.
Ministri i Financave Avdullah Hoti, pas nënshkrimit të marrëveshjes tha se “kjo marrëveshje vjen pas atyre të nënshkruara me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim me vlerë prej 39 milionë euro. Marreveshja e sotme është 42 milionë euro për të financuar këtë projekt që kushton rreth 200 milionë euro komplet me pjesëmarrje edhe të Komisionit Evropian dhe të qeverisë së Kosovës”.
“Po punojmë shumë në përgatitjen e projekti gjatë vitit të ardhshëm dhe shpresojmë që nëse çdo gjë shkon sipas planit, në vjeshtë të vitit të ardhshëm mund të fillojnë edhe punimet në rehabilitimin e kësaj linje të hekurudhës”, nenvizoi ministri Hoti.
Sipas tij, kredia është me kushte mjaft të volitshme dhe praktikisht e mbulon kohen gjatë së cilës do kryhen punimet.
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Bankës Evropiane të Investimeve, Romualdo Massa Bernucci tha se nënshkrimi marrëveshjes është si rezultat edhe i takimit të nivelit të lartë në Vjenë që është mbajtur në gusht për prioritetet operative në Kosovë dhe rajon në lidhje me infrastrukturën hekurudhore.
“Kam kënaqësinë që sot po ecim përpara duke vepruar në lidhje me strategjinë e transportit që është rehabilitimi i hekurudhave në Kosovë që është një projekt sh umë i rëndësishëm për vendin. Në parim përfshihet rehabilitimi i 149 kilometrave të hekurudhës prej 330 km të rrjetit të përgjithshëm. Nënshkrimi i sotëm është vetëm hap i parëdhe shpresojmë të lëviz projekti përpara”, tha Massa Bernucci.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovës, Samuel Zhbogar tha se përmes këtij projekti, Kosova do të përfitojë nga një grant investues i konsiderueshëm i BE-së, si pjesë e rezultateve konkrete të BE-së në agjendën e lidhjes për Ballkanin Perëndimor dhe angazhimin e saj për perspektivën evropiane. Sipas tij, rehabilitimi i rrjetit hekurudhor do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët e Kosovës.
“Zgjatja e korridorit në Ballkanin perëndimor do të ofrojë lidhje më të mirë me rajonin dhe me Bashkimin Evropian. Më specifikisht rehabilitimi i kësaj hekurudhe do të sjellë perfitime direkte për popullin e Kosovës, për shkak se ndërlidhja do të shkurtojë kohën e udhëtimit dhe paratë, që do të ofrohen nga BE, pritet të ofrojnë një përfitim të dyfishtë për ekonominë e Kosovës”, tha se Zhbogar.
Linja hekurudhore “Route 10” është 250 km e gjatë, prej së cilës 148 km janë në Kosovë dhe pjesa tjetër në ish- Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Serbi. Modernizimi pritet të nisë në fund të vitit 2016 dhe të finalizohet në fund të vitit 2020. Aktualisht, projekti për modernizimin e hekurudhave në Kosovë ka marrë një zotim prej gjithsej 122 milionë eurosh. Krahas 40 milionë eurove nga granti i BE-së dhe 42 milionë eurove nga kredia e BEI-së, ky projekt ka përfituar 40 milionë euro nga kredia e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që është dakord uar në shtator 2015. Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) ka kontribuuar gjithashtu në këtë projekt.