Kosova

Kosova shënon 19 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s

Autoritetet në Kosovë thanë të martën se Kosova synon anëtarësimin në NATO për të ndihmuar jo vetëm vetën dhe rajonin por edhe më gjërë.

Këto komente u bënë gjatë zbulimit të një pllake përkujtimore në qendër të Prishtinës kushtuar pjesëtarëve të rënë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë, në kuadër të shënimit të nëntëmbëdhjetë vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Deri më tani 157 ushtarë të KFOR-it kanë humbur jetën në Kosovë, kryesisht në aksidente.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se në këtë ditë Kosova kujton të gjithë ushtarët e forcave të KFOR-it që ranë në shërbim të ruajtes së paqes dhe sigurisë në vend. Ai tha se Kosova është e gatshme të marr edhe përgjegjësi për të kontribuar për paqe nëpër botë.

“Kosova synon anëtarësimin në NATO, në organizatën e ushtrive të paqes për të ndihmuar jo vetëm vetën dhe rajonin por këdo dhe kudo që ka nevojë. Kosova është e gatshme të kontribuoj për sigurinë dhe paqen në botë. Ky memorial është që Kosova e ka vendosur për rrugën e vet dhe nderimin ndaj të rënëve. Ne e mirëpresim qëndrimin e përhershëm të KFOR-it në Kosovë. Liria është vlera jonë e përbashkët e Kosovës dhe aleatëve”,tha kryeministri Haradinaj.

Ndihmës asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, John Manza tha se KFOR-i vazhdon të mbetet i suksesshëm dhe të ndihmojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurtë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovës.

“Ky monument do të mbetet një simbol për atë se çfarë kemi arritur për gjatë viteve në Kosovë. Si kemi arritur sukses për të tejkaluar dallimet e së kaluarës duke ndërtuar një Kosovë të fortë e të re që synon drejt të ardhmes, dhe kjo e ardhme pashmangshëm është në familjen euro-atlantike”,tha ai duke nënvizuar se NATO do të mbetet e përkushtuar për sigurinë e Kosovës edhe në të ardhmen.

“NATO është e vendosur të qëndrojë në Kosovë për sa kohë që është e nevojshme. Përderisa situata e sigurisë po vazhdon të përmirësohet në mënyrë të qëndrueshme, mbështetja që NATO tani po siguron në Kosovë dhe që është duke u fokusuar është në bazën e nevojave emergjente dhe faktorëve nxitës”,tha zoti Manza.

Trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, hynë në Kosovë më 12 qershor të vitit 1999 prej nga po largoheshin trupat serbe dhe që atëherë kjo cilësohet si dita e lirisë së Kosovës.

Atëbotë në Kosovë u vendosën rreth 50 mijë ushtarë, ndërsa numri i tyre është shkurtuar vit pas viti. Aktualisht në terren ndodhen rreth 5 mijë trupa, misioni i të cilëve, sipas zyrtarëve të NATO-s, ka të bëjë me një mjedis të sigurt për të gjithë dhe vendosjen e lirisë së lëvizjes.

Në Prishtinë vlerësohet se NATO-ja ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt por edhe rindërtimin e Kosovës e cila doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e rreth 5 mijë të zhdukur.

Në nëntëmbëdhjetë vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s udhëheqësit politikë në Kosovë e shohin 12 qershorin si njëra nga ditët më të shënuara në kalendarin historik të Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button