Kreditë me probleme u rritën lehtë edhe në shkurt
Raporti i kredive me probleme ngelet sidoqoftë në nivele më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur qëndronte në nivelin 5.39%. Pavarësisht kësaj, efektet e para të situatës inflacioniste në ecurinë e treguesit të kredive me probleme kanë nisur të shfaqen.
Në projeksionet e Bankës së Shqipërisë dhe bankave tregtare, një zhvillim i tillë për vitin 2023 është i pritshëm. Inflacioni i lartë gjatë vitit të kaluar ka ndikuar negativisht aftësinë paguese të huamarrësve.
Deri në këtë moment, ky efekt vlerësohet të ketë qenë më i ndjeshëm tek familjet dhe bizneset e vegjël, ndërsa ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha në përgjithësi kanë arritur të përcjellin rritjen e kostove në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tyre.
Një efekt paralel negativ ka dhënë edhe shtrenjtimi i kësteve për kreditë me norma të ndryshueshme interesi. Treguesit benchmark të këtyre kredive, yield-et e bonove dhe euribori u rritën ndjeshëm, duke pasqyruar rritjen e normave të interesit nga bankat qendrore. Kjo u përkthye në interesa kredie më të larta dhe këste mujore më të shtrenjta.
Një faktor tjetër që ndikon negativisht raportin e kredive me probleme është ngadalësimi i kredidhënies së re dhe tkurrja e portofolit të kredisë. Portofoli i kredisë për ekonominë u tkurr për të katërtin muaj radhazi në shkurt. Zvogëlimi i madhësisë së portofolit ka një ndikim matematik në raportin e kredive me probleme kundrejt totalit, duke rritur peshën e stokut të kredive në vonesë.
Megjithëse deri tani rritja e raportit të kredive me probleme është shumë e vogël, Banka e Shqipërisë ka parashikuar disa masa, në rast se kjo tendencë do të bëhet më e theksuar gjatë muajve në vazhdim.
Ruajtja e një nivel të ulët të kredive me probleme është një faktor shumë i rëndësishëm për vijueshmërinë e kreditimit të ekonomisë. Oferta për kredi është shtrënguar ndjeshëm në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, për shkak të rritjes së normave të interesit dhe rreziqeve të shtuara mbi aftësinë paguese të huamarrësve. Rritja e treguesit të kredive me probleme me shumë mundësi do ta shtrëngonte edhe më shumë ofertën për kredi.
Mekanizmi kryesor për të kontrolluar rritjen e kredive me probleme mund të jetë lehtësimi i ristrukturimit të kredive, masë që u aplikua edhe gjatë periudhës së pandemisë dhe rezultoi mjaft efikas për të mbajtur nën kontroll treguesin e kredive me probleme. Në rastet kur për huamarrësin bëhet e vështirë të përballojë këstin e kredisë, ristrukturimi mund të jetë një zgjidhje për të shmangur kalimin në mosshlyerje dhe në klasifikimin si kredi me probleme.
Format kryesore të ristrukturimit të përdorura nga bankat mund të jenë zgjatja e afatit të maturimit, kapitalizimi i interesit ose kamatvonesave, ndryshim i principalit dhe caktimi i një periudhe vonese për principalin ose interesin e kredisë.
Lehtësimi i ristrukturimit mund të bëhet duke pezulluar për një periudhë të përkohshme kërkesat rregullatore që kërkojnë klasifikimin automatik të kredive të ristrukturara si kredi me probleme. Kuadri i Bankës së Shqipërisë për administrimin e rrezikut të kredisë së bankave parashikon që, në rast se një kredi ristrukturohet, ajo duhet të klasifikohet automatikisht si kredi me probleme, edhe në rastet kur ajo është shlyer rregullisht deri në momentin e ristrukturimit.
Rregullorja kërkon që në vazhdim kredia e ristrukturuar duhet të mbajë statusin e kredisë me probleme për të paktën gjashtë muaj, kohë gjatë të cilës duhet provuar se huamarrësi ka qenë në gjendje të shlyejë rregullisht pagesat pas ristrukturimit.
Në kushte normale, kjo dispozitë e rregullores bën që bankat të mos kenë interes të pranojnë ristrukturime, sepse kreditë në fjalë duhet ti klasifikojnë si kredi me probleme dhe duhet të llogarisin provigjione për to.
Por, në periudhën mars 2020-mars 2021, këto kërkesa të rregullores u pezulluan, me qëllim lehtësimin e ristrukturimit të kredive të bizneseve dhe familjeve të prekura nga efektet e pandemisë. Kjo masë ndihmoi që raporti i kredive me probleme të mos rritet as gjatë periudhës pandemike. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për dyvjeçarin 2020-2021 bankat ristrukturuan rreth 52 miliardë lekë kredi të bizneseve dhe individëve.