Kriza e diasporës dhe kuvendi si “qyl” qeveritar
-Nëse nuk mblidhemi nga “dëshira e vullneti” pse bëjmë kuvende?-

Pse mendoj se “spektakli politik” i qeverisë shqiptare me “ikanakët” si puna ime ishte një “trushplarje” publike. Jo sepse aty nuk isha unë, apo edhe shumë intelektualë të tjerë që flas shpesh në Amerikë. Aspak. Unë ndihem “i ngopur” me mbledhje dhe podiume. Mua më trondisin gjërat që nuk bëhen si duhet, por vetëm për zhurmë dhe “dhunë” propagandistike. Mjafton fakti që një kuvend, i cili duhet të jetë një vetëdije dhe organizim i “ikanakëve” shqiptarë, kontrollohet nga qeveria dhe vetë kryeministri bëhet “dhëndri” i kësaj ngjarje, hedh poshtë të gjitha tezat e me demek ne që ikim “po shpëtojmë Shqipërinë” apo demokracinë e saj. Jo. Ne nuk mundemi dhe nuk do të mundemi kurrë të jemi të tillë.
Të gjithë ne që kemi ikur nga Atdheu ynë jemi “dezertorë” që duhet të ulim kokën përballë asaj pjese qëndrestare shqiptare që ka fituar simpatinë time të thellë. Ne nuk na takon të shkelim në “qilimat e kuq” që duket sikur qeveria i hedh si një kockë ndaj qenërisë së disave. Ne duhet të heshtim ndaj atyre që vërtet, me shumë sakrifica, prapë jetojnë aty, bëjnë biznes aty, përballen me shumë probleme dhe, përsëri, shpresojnë. Ata, të përditshmit e Tiranës dhe çdo pjese tjetër të Atdheut që “tradhtuam”, janë heronjtë që duhet të shkelin në “tapetat e kuq”. Aty dua të shoh fermerët shqiptarë, biznesmenët e ndershëm, sipërmarrësit privatë, taksixhinjtë, kuzhinierët, kamarierët, gjithë njerëzit e strukturës private shërbimtare të Shqipërisë.
Nderi dhe mirënjohja besoj se mbetet në Tiranë e kudo në Shqipëri, ku jeta, edhe pse tejet e vështirë, përsëri ka bukuritë e veta, falë shqiptarëve të vërtetë që nuk u dorëzhen. Ata nuk kanë emër. Ata nuk dalin në ekrane. Ata nuk kanë vend nëpër gazetat e portalet pa fund. Ata, për mua, janë “shpatullat” e atdheut që lamë dhe ikëm. Mua më dridhet shpirti kur shoh punën e tyre dhe nuk do vija kurrë të kapardisesha si “diasporë shqiptare”, sepse është turp dhe po aq tallje me vlerat e njeriut punëtor në atdhe.
A kam “xhelozi” që shkruaj kaq hidhur? Jo. Nuk kam xhelozi, as smirë, as ego. Unëmund të marr avionin dhe të shkoj ku të dua, pa ftesë e sponsor. Unë fare mirë mund të isha bërëpjesë e një farse qeveritare dhe mund të mbyllja gojën. Nuk do kisha guxim të shkruaja, as tëhidhja ide. Shqetësimi im është se me ne ikanakët, qeveria shqiptare dhe segmente të saj duketsikur bëjnë po atë lojë që bëhej dikur me “mërgatën e qyqeve” që shkrimtari Nasho Jorgaqi e ka kthyer në letërsi.
Le të bëjmë një pyetje të thjeshtë: Ҁfarë arritën 4 kuvende të Diasporës shqiptare? Kush raportoi sukseset dhe dështimet? Kujt i bie përgjegjësia për to? Kur një çast, kryeministritshqiptar i “ndriti ideja”, ndërtoi posaçërisht një “Ministri Diaspore”, por përse? Çfarë arriti kjoministri dhe pse u shkri, duke u bërë si “kaposhi një thellë”? Cilat ishin rezultatet e këtij dikasteriqë, pa pyetur askënd, u shkri dhe u bë thjesht një drejtori speciale? A pati mendim për këtë diaspora e “ndritura e vendit”? Jo. Çdo gjë është bërë si një spektakël, thjesht për të krijuar iluzione dhe fasada. Mendimi im personal është që “vota e diasporës”, që afrohet si arritje e madhe, është gjëja më pa rëndësi dhe me kosto të lartë. Nëse pritet që “vota jonë të bëjë ndryshim”, ky ndryshim nuk ka për të ardhur kurrë. Një ndryshim që nuk vjen nga brenda, nga ata që jetojnë realitetin dhe qeverisjen, vështirësitë dhe dhunën e padukshme, që shohin korrupsionin dhe nuk ia “presin dot kokën”, por mbështillet si një lak që merr frymën, ai nuk është ndryshim, por “importim” i votës me taksat e shqiptarëve. Kjo lloj vote nuk duhet të vendosë fatin e atyre që nuk patën fat të iknin, ose nuk deshën të iknin.
Kuvendi i katërt i Diasporës Shqiptare nuk di pse më duket si kongreset e dikurshme të PPSH-së. Ato në fakt i thërriste Plenumi i KQ, sot kuvende të tilla qesharake i thërret qeveria. Një pyetje që nuk bëhet: cila ishte platforma mbi të cilën u ngrit një kuvend i tillë? A ishte një shpallje mbarëkombëtare, ku secili mund të bëhej pjesë? Cila ishte “kuota” që paguhet për të marrë pjesë në një kuvend? Kudo ku kemi qenë, kongreset dhe konferencat e ndryshme kanë një kosto, një gjobë regjistrimi, gjë që bie mbi pjesëmarrësit. A dihet se sa u pagua nga diasporistët për të marrë me qira Pallatin e Kongreseve? A janë publikë fakte të tilla financiare që në fakt rrëfejnë seriozitetin e një aktiviteti? Nëse gjithë kostoja e këtij kuvendi u përballua nga çdo pjesëmarrës, kjo dëften një potencial dhe pavarësinë e diasporës, por edhe fuqinë e saj për të qenë e pavarur nga qeveria. Nëse ndodhi diçka krejt tjetër, pra nëse gjithë kostoja e kuvendit ishte “dhuratë qeveritare”, ky është skandal. Ne nuk duhet të marrim pjesë në aktivitete ku nuk “futim dorën në xhep”, por presim “qylin qeveritar”. A nuk duhet bërë një revizionim financiar i asaj aureole lavdie në qendër të Tiranës? Ajo nxjerr në thelb të vërtetën e asaj që u ofrua në ekrane si “arritje e Diasporës”.
Këtu vijmë tek dështimi i vërtetë i asaj që quhet Diasporë Shqiptare. Unë nuk e quaj hiç veten “diasporë”, thjesht jam një ikanak. A ka diaspora shqiptare një organizim të vetin? Pse në Amerikë akoma shikohet si shpëtim vetëm “Vatra Shqiptare”? A nuk është kjo organizatë një “ulkonjë plakë” që duhet anashkaluar dhe të ndërtohet diçka e re?
Unë jetoj mbi një çerek shekulli në Amerikë, por deri më sot nuk kam mundur të marr qoftë edhe një letër të vetme ku një organizatë serioze të më ofrojë diçka që do isha pjesë apo do më pëlqente të kontribuoja. Ajo që ne duhet t’u themi qytetarëve qëndrestarë në Tiranë e gjithë Shqipërinë është se ne që kemi ikur kudo jemi si “këmbët e dhisë”, siç thotë një shprehje popullore. Në çdo mjedis shqiptar kudo, në Detroit, në Boston, Çikago, Los Angeles, kudo, ka një “luftë të brendshme”, pëshpëritje pas shpine, kurthe të liga dhe prapaskena që në festën e flamurit rrinë “nën hijen e tij”. Thjesht ne jemi më të çorganizuarit dhe më të përçarit. A thua jam i gabuar? A mund të themi se cili ishte grupi organizator në Amerikë për kuvendin e katërt? Po për të parin, cilët ishin?
Kuvendi i të ikurve nga Shqipëria nuk ka nevojë të bëhet më në këtë mënyrë. Nëse ne që nuk jetojmë aty do ishim vërtet të organizuar, me një platformë të qartë, me kontribute dhe autorë të spikatur, që janë të pafund, unë mendoj se dikush do kishte frikë nga një potencial i tillë. Natyrisht nuk do kishte frikë opozita, por vetëm qeveria. Sepse jeta larg, jeta që ndërton me duart e tua, të mëson gjëra të habitshme dhe kryesorja është se të bën të pavarur nga qeveria e çdo lloj qeveritari. Ky është edhe thelbi i lirisë. Po qe se ne do kishim mundur të ndërtonim një institucion të vetëm, një federatë moderne, pa “vatrën me thëngjij”, zëri ynë do kishte tronditur edhe qeverinë, edhe opozitën dhe do kishim fituar “duartrokitje shqiptare”. Por ne nuk e kemi. Ne jemi kudo dhe ngado “hesap më vete”, të përçarë dhe të pabesë.
Përballë një realiteti të tillë, që duhet ta pranojmë, besoj se e vetmja alternativë e realizueshme do ishte qenia jonë si “ambasadorë” pa kredenciale. Secili nga ne, aty ku punon, aty ku jeton, të lërë emrin e vet të mirë. Të rrëfejë diçka për Shqipërinë. Të materializojë një model shqiptar që kujtohet dhe admirohet. Kjo është në dorë të secilit nga ne dhe një shumicë e bën vërtet mrekullisht.
Diaspora shqiptare nuk është dhe nuk do të mund të jetë kurrë shpëtimi i Shqipërisë. Ne mund të mbetemi “flamur shqiptar”, kudo ku krijojmë lidhjet tona, por kjo nuk ka nevojë të trumbetohet. Nuk di nëse hebrenjtë organizojnë kuvende diaspore, por di një gjë shumë mirë, se ata kudo që janë ndërtojnë “lapidar kujtese” për Holokaustin dhe çështjen e tyre. Ata janë brenda vetes edhe më të përçarë se ne, por janë po aq të bashkuar kur duan të krijojnë rrymën e tyre dhe “portretin” e kombit të tyre. Diaspora mund ta bëjë shumë mirë këtë dhe në këtë mënyrë ne ndërtojmë “lapidarë” që nderohen si vlera shqiptare; nuk na duhet asnjë lloj kuvendi bombastik në Tiranë. Ne, në këtë mënyrë, kemi bërë detyrën tonë. Shumë gjëra të tjera dinë t’i bëjnë shumë më mirë se ne shqiptarët e atjeshëm që i kanë mbijetuar tranzicionit sfidues shqiptar.
Nëse kthehemi një ditë, pa ftesë nga qeveria, ne duhet të bëjmë një gjë: të gjithë në Sheshin Skënderbej të mblidhemi dhe të përulemi, duke thënë: Faleminderit ju që nuk ikët, duke e bërë Shqipërinë më të mirë në “përleshje” me politikanët batakçinj që mendojnë vetëm për “pushtetin e tyre”.
A do jemi ndryshe në të ardhmen? Besoj se po. Sepse brezi që sollëm në jetë mendonndryshe nga ne dhe di të bëjë punë më të mira se ne, që gjysmën e jetës na e “kafshoi” sistemitjetër. Thjesht le të krenohemi që trashëgiminë tonë e sollëm në një tjetër shoqëri, që nuk ngjanme atë shqiptare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.