Kriza përfshin bujqësinë në Malësinë e Madhe, fermeri: Çmimi i sherebelës në rënie, subvencionet të pamjaftueshme
Martin Markvukaj, banor i fshatit Zagorë në Malësinë e Madhe, pas disa vitesh emigrim në Itali është kthyer në Shqipëri duke investuar kursimet në
Martin Markvukaj, banor i fshatit Zagorë në Malësinë e Madhe, pas disa vitesh emigrim në Itali është kthyer në Shqipëri duke investuar kursimet në kultivimin e sherebelës.
Ai thotë se çmimi i këtij produkti ka pësuar rënie të ndjeshme ndër vite, ndërsa subvencionet dhe mbështetja për fermerët janë të pamjaftueshme dhe shpesh të shpërndara në mënyrë selektive.
Sipas tij, mungesa e kushteve bazë në zonë po thellon edhe më tej shpopullimin dhe se të gjitha të ardhurat e përfituara nga emigrimi i investoi në kultivimin e sherebelës.
“Në momentin që unë kam ardhur në Shqipëri sherebela kishte një çmim të arsyeshëm që ja vlente të punoje tokën. Ku ja vlente tani të kultivosh sherebelën sepse kushtonte 160-170 lekë kilja. Pas një viti ra në 100 lekë, pas dy vitesh ra në 70 lekë dhe sot për sot shitet 100 lekë kilja”, është shprehur Martini.
Fermeri thotë se, edhe pse çmimi i naftës është ndër më të lartët në rajon, subvencionet nuk po shkojnë tek fermerët, por shpërndahen në mënyrë selektive.
“Më dramatikja është se pavarësisht se çmimi naftës është më i larti në rajon, edhe ai pak sponsorizim i naftës dhe i dynymëve, shumë herë fondi nuk vjen tek fermeri, por ajo shkonte tek zyrtarët e tyre, tek patronazhistët e partisë aktuale në pushtet. Sikur ne të kishim të drejtën të punojmë dhe të subvencionoheshim, nuk do i kërkonim shtetit lëmoshë”, është shprehur ai.
Martini thotë se situata në zonë është e vështirë, pasi shpopullimi është pothuajse total dhe problemet e infrastrukturës janë të shumta.
“Gjatë dimrit kemi nga një javë që rrimë pa drita, kurse gjatë verës sa herë që bie shi, sa herë që fryn erë ikin dritat, jena pa energji. 6 muajt e verës ne nuk kemi ujë të pijshëm, bëjmë kilometra për t’u furnizuar me ujë të pijshëm. Në lagjen time, ku unë isha veti 7 në klasë, tani nuk kam asnjë shok klase që jeton në Shqipëri, të gjithë janë në emigracion!”, ka theksuar Martini.
Ai shton se pa subvencione dhe mbështetje reale nga shteti, perspektiva për bujqësinë në zonë mbetet e zymtë. Zagora është një fshat pak kilometra larg bashkisë së Malësisë së Madhe dhe Shkodrës, ku e vetmja formë e të ardhurave për banorët mbetet bujqësia.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.