Kryebashkiakët e Dimalit, Kuçovës dhe Skraparit në seancë dëgjimore te “Territorialja”/ Memaj: Problematika në ndarjen e kompetencave në bujqësi dhe shëndetësi
Në një tryezë diskutimi mbi reformën administrativo-territoriale, kryebashkiakët e Bashkive Dimal, Kuçovë dhe Skrapar kanë paraqitur të dhëna mbi investimet, buxhetet, shërbimet publike dhe sfidat e kompetencave pas zbatimit të reformës së vitit 2015.
Kryebashkiakja e Bashkisë Dimal, Juljana Mema, deklaroi se struktura e investimeve në këtë bashki është e balancuar mes zonave urbane dhe rurale, ndërsa theksoi rritjen e të ardhurave dhe zgjerimin e shërbimeve publike në territor.
“Investimet janë në proporcion të drejtë, 41% nga buxheti, nga të ardhurat. Raporti 38% i buxhetit të bashkisë shkon për investime kapitale, kryesisht në zonat rurale. Me rritjen e pagave është ulur në 33% në 2025. Gati 41% e investimeve të realizuara në këtë bashki janë me karakter urban, 59% me karakter rural. Ndarje e drejtë në gjithë territorin”, u shpreh Mema.
Ajo shtoi se investimet për frymë arrijnë rreth 63 mijë lekë të vjetra, ndërsa kostoja e shërbimeve është rreth 37 mijë lekë të vjetra, duke theksuar një rritje të konsiderueshme të të ardhurave krahasuar me vitin 2015.
“Rritje e të ardhurave nga 2015 që e kemi gjetur me 80 milionë lekë të reja dhe e kemi çuar në total në 200 milionë lekë të reja. Kemi pasur dhe rritje të tarifave në 2017 për t’i shërbyer komunitetit rural”, deklaroi ajo.
Megjithatë, Mema theksoi se mbeten problematika në ndarjen e kompetencave, veçanërisht në bujqësi dhe ujitje, ku sipas saj mungon integrimi i plotë institucional dhe standardizimi i sistemeve.
“Problematika me kompetencat ka në bujqësi… nuk kanë kompetenca bashkitë në fushën e bujqësisë, janë të shkruara në ligjin e 2015-s. Pjesa tjetër nuk është efikase… edhe pjesa e shëndetësisë ka konflikt”, tha ajo.
Mema, vlerësoi se reforma territoriale ka ndihmuar në organizimin më të mirë të territorit dhe në rritjen e investimeve, por theksoi se ndarja e kompetencave mbetet problematike. Ajo shtoi se, ndonëse reforma e vitit 2015 synonte decentralizim, jo të gjitha funksionet janë deleguar në mënyrë efektive dhe të standardizuar.
“Bashkia Dimal është efikase në ofrim shërbimesh. Reforma kishte qëllim krijimin e bashkive me qendra rurale dhe urbane. Ka bashki që duhet të jenë më të vogla se sa janë pasi lihet pas dore pjesa rurale e tyre”, tha ajo.
Kryebashkiaku i Kuçovës: Rritje e investimeve dhe stabilitet buxhetor
Kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, vlerësoi se reforma territoriale ka sjellë rritje të ndjeshme të investimeve për frymë dhe shpërndarje më të barabartë të tyre në territor.
“Kjo ndarje ka ndryshim nga 2015-a. Ka qenë 759 lekë të reja për frymë, në 2024 është 2410 lekë investime për frymë,” deklaroi Hajdari.
Ai shtoi se investimet janë shtrirë në mënyrë të balancuar në infrastrukturë, duke përfshirë rrugë, ujësjellës, kanalizime dhe shkolla, si në qytet ashtu edhe në njësitë administrative.
“Nëse flasim vetëm për qytetin, janë bërë 20 investime me vlerë 405 milionë lekë,” u shpreh ai.
Sipas Hajdarit, struktura buxhetore ka mbetur e qëndrueshme, ku rreth 49% e buxhetit shkon për paga, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes shërbimeve dhe investimeve.
“Nga 2020–2025, zë 49% të buxhetit total të bashkisë. Pjesa tjetër ndahet mes shërbimeve operative dhe investimeve. Investimet zënë 22–23%”, deklaroi ai.
Ai bëri të ditur gjithashtu se në periudhën 2020–2024 investimet në bashki kapin shifrën rreth 17 miliardë lekë të vjetra, ku një pjesë e konsiderueshme vjen nga mbështetja e qeverisë qendrore.
Duke u ndalur te reforma territoriale, theksoi se bashkia aktuale funksionon brenda një strukture që ai e konsideron “territor natyral”, duke shtuar se bashkimi i njësive nuk ka krijuar problematika të mëdha funksionale.
“Besoj se bashkia Kuçovë është në territorin e saj natyral. Në 2015-ën, përveç asaj që njihen si rrethet e dikurshme, i është bashkuar dhe ish-komuna Lumas, që tipologjikisht mund të ketë qenë me e atashuar me Beratin, Por pas viteve ’90 pjesa më e madhe e banorëve të kësaj njësie administrative kontaktin e kanë me bashkinë Kuçovë, nuk e quaj gabim të jetë me bashkinë Kuçovë.
Nëse flasim në termat e funksionimit mund të diskutohet, por në terma territorial nuk besoj se do t’i ngjiste bashkisë Kuçovë dhe besoj as ndarja nuk do ishte efektive. Dy njësitë e tjera administrative janë në habitatin e tyre normal”, tha ai.
Kryebashkiaku i Skraparit: Fokus në zonat rurale dhe shërbimet bazë
Kryetari i Bashkia Skrapar Adriatik Mema theksoi se bashkia e tij ka një karakter kryesisht rural dhe përballet me sfida të shpërndarjes së shërbimeve në një territor të gjerë malor.
“Sot Bashkia Skrapar ka 8 njësi administrative dhe qytetin e Çorovodës. Popullsia është 15 mijë e 66 banorë, me një rënie të lehtë krahasuar me censusin e fundit”, u deklarua në takim.
Ai shtoi se rreth dy të tretat e popullsisë jetojnë në zonat rurale, duke e bërë prioritet ofrimin e shërbimeve bazë në këto zona.
“Në zonat më të largëta, përpiqemi të ofrojmë shërbimet e duhura në infrastrukturën rrugore”, tha ai, teksa shtoi se investimet zënë mesatarisht 15–20% të buxhetit të bashkisë, ndërsa pjesa më e madhe e shpenzimeve shkon për paga dhe shërbime administrative.
Mema deklaroi se reforma territoriale e ka vendosur bashkinë brenda një strukture që përputhet me traditën dhe karakterin e zonës. Ai theksoi se Skrapari mbetet një bashki kryesisht rurale, me popullsi të shpërndarë në një territor të gjerë malor, çka e bën të domosdoshëm fokusin tek shërbimet bazë.
Megjithatë, ai pranoi se sfidat lidhen më shumë me ofrimin e shërbimeve në zonat e largëta dhe me infrastrukturën rrugore sesa me vetë ndarjen administrative.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.