“Kryeministri Spajiç nuk kishte parasysh Shqipërinë”- Mali i Zi tërhiqet, i kthen përgjigje Tiranës: Shqipëria nuk na
Mbetet e tensionuar dhe e paqartë situata gjeopolitike mes Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, vijon të mos sqarojë se cilat janë dy vendet e rajonit që, sipas tij, po përgatisin veprimtari hibride për destabilizimin e vendit.
Agjencia serbe “Beta” raporton këtë të shtunë se heshtja e Spajiçit ka sjellë interpretime kundërshtuese dhe reagime politike në Podgoricë, Beograd dhe Tiranë.
Televizioni publik malazez, RTCG, duke cituar burime të larta të ekzekutivit, shkruan se Shqipëria nuk ishte një nga vendet që kishte parasysh kryeministri.
Sipas këtij raportimi, Edi Rama kërkoi sqarime nga Qeveria malazeze dhe nga Podgorica iu komunikua se pretendimi për Shqipërinë nuk ishte i vërtetë.
Ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, deklaroi se Shqipëria nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e asnjë skenari destabilizues kundër Malit të Zi, vend fqinj, aleat në NATO dhe partner në procesin e integrimit evropian.
Polemika nisi pasi gazeta “Vijesti”, duke iu referuar katër burimeve, raportoi se Spajiç kishte nënkuptuar Shqipërinë dhe Serbinë. Gazeta “Dan” publikoi një version tjetër, duke përmendur Serbinë dhe Kroacinë. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç mohoi përfshirjen e Beogradit dhe tha se Spajiç mund të kishte pasur parasysh Kroacinë.
Ndërkohë, Qendra Digjitale Forenzike e Malit të Zi e cilëson Serbinë si aktorin kryesor të kërcënimeve hibride, por thotë se “nuk ka evidentuar ndikim të ngjashëm nga Shqipëria apo Kroacia”.
Presidenti Jakov Milatoviç ka kërkuar mbledhjen urgjente të Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, ndërsa Spajiç kërkon që më parë të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Deri në një sqarim zyrtar nga kryeministri, pretendimi se bëhet fjalë për Shqipërinë dhe Serbinë mbetet vetëm raportim mediatik, jo akuzë zyrtare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.