Kryetarja e Dimalit kundërshton shkrirjen e bashkisë: Kemi identitet dhe potencial ekonomik
Kryetarja e Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj, ka reaguar përmes një statusi të gjatë në rrjetet sociale kundër propozimeve për riorganizimin e ri territorial, duke argumentuar se kjo bashki duhet të mbetet një njësi vendore më vete.
Memaj e ka bazuar qëndrimin e saj te historia, identiteti dhe potenciali ekonomik i zonës, duke sjellë në vëmendje se Dimali ka ekzistuar që prej shekullit të V para erës sonë dhe se territori ka pasur ndër vite një rol të rëndësishëm ekonomik e strategjik.
Sipas saj, reforma territoriale e vitit 2015 krijoi një komunitet të lidhur nga historia, tradita dhe ekonomia lokale, ndërsa ndryshimi i emrit të bashkisë në Dimal ishte rezultat i një procesi të gjerë konsultimi me qytetarët.
“Ky proces vërtetoi edhe njëherë se vullneti i këtij komuniteti të dalë nga reforma e vitit 2015 është të qëndrojnë bashkë si një njësi e tërë, se ata janë të lidhur nga historia, tradita dhe potenciali ekonomik”, shkruan Memaj.
Kryetarja e bashkisë ka ngritur pikëpyetje mbi arsyetimin e reformës së re territoriale, duke thënë se nuk është e qartë mbi çfarë kriteresh është vendosur shkrirja e Bashkisë Dimal dhe bashkimi i saj me njësi të tjera vendore.
Ajo ka krahasuar të dhënat financiare të Bashkisë Dimal me Bashkinë Berat, duke argumentuar se Dimal ka një përqindje më të lartë të investimeve nga buxheti i saj faktik dhe një numër më të ulët punonjësish për 1000 banorë.
Sipas Memajt, Bashkia Dimal ka arritur të gjenerojë më shumë të ardhura gjatë ekzistencës së saj dhe këto janë rikthyer në investime dhe shërbime për qytetarët.
“Një njësi vendore që arriti të gjenerojë 5 herë më shumë të ardhura gjatë ekzistencës së saj dhe duke bërë të mundur që këto të ardhura t’i rikthehen qytetarit, në investime kapitale dhe shërbime, pse duhet të shkrihet?”, shprehet ajo.
Në reagimin e saj, Memaj ka kundërshtuar edhe mënyrën e zhvillimit të procesit, duke pretenduar se analizat e përdorura për reformën nuk u janë vënë në dispozicion institucioneve vendore për t’u shqyrtuar dhe për të dhënë sugjerime.
Ajo ka theksuar se çdo ndryshim territorial duhet të bazohet në kritere të qarta, në një proces transparent dhe gjithëpërfshirës.
“Një organizëm administrativ është një qenie e gjallë, prandaj mendoj se çdo ndryshim duhet të jetë i mirë menduar, i argumentuar në bazë kriteresh të gjithëpranuara dhe të dalë nga një proces gjithëpërfshirës e transparent”, shkruan kryetarja e Bashkisë Dimal.
Në përfundim të reagimit të saj, kryetarja e Bashkisë Dimal ka përsëritur qëndrimin se kjo bashki nuk duhet të shkrihet.
“Përfundimisht, Dimali duhet të vijojë të jetë njësi vendore më vete”, përfundon Juliana Memaj.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.