Kuba kërkon Guantanamon në këmbim të marrëdhënieve diplomatike
Kuba ka kërkuar të mërkurën nga Shtetet e Bashkuara kthimin e bazës ushtarake të Guantanamos. Presidenti Raul Castro bëri thirrje gjithashtu për heqjen e embargos tregtare dhe largimin e Kubës nga lista amerikane e shteteve sponsorizuese të terrorizmit.
“Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike është fillimi i një procesi për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Por kjo nuk mund të jetë e munduar derisa bllokada vazhdon ende, derisa ata mbajnë ende nën kontroll territorin e pushtuar në mënyrë të paligjshme, bazën detare të Guantanamos”, ka deklaruar Raul Castro në Kosta Rika në samitin e Bashkësisë së Amerikës Latine dhe shteteve të Karaibeve.
Muajin e kaluar dy vendet ranë dakord për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike, të ndërprera që prej 1961. Javën e kaluar u mbajtën bisedime të nivelit të lartë. Një delegacion amerikan mbërriti në Havana për të filluar negociatat që kanë për qëllim rihapjen e ambasadave në kryeqytetet e dy vendeve.
Vetëm dy ditë më parë, qasja e re SHBA-Kubë është miratuar edhe nga ish-lideri kubanez Fidel Castro. “Unë nuk i besoj politikës së SHBA dhe as kam shkëmbyer një fjalë me ta, por kjo nuk do të thotë se refuzoj zgjidhjen paqësore të konflikteve”, thotë ai në një letër. Këto janë komentet e para të tij që nga lëvizja historike e ndërmarrë në dhjetor nga dy vendet.
Kuba, në afat të pakufizuar, u ka dhënë me qira Shteteve të Bashkuara bazën në vitin 1903, pasi Shtetet e Bashkuara e pushtuan këtë vend gjatë luftës spanjollo-amerikane në vitin 1898.